Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Mali i qyqes

– Do të ngjitemi deri aty ku qielli puthet me malin, – ia bëra me qeshje të zëshme Deas.

Ajo nuk m’u përgjigj fare, vetëm ngriti kokën dhe shikoi qiellin lart, ku shihej një shpend nga fluturon.

– E shoh vetëm një shpend të zi lart,  – tha më pastaj ajo.

– Është zogu sipas të cilit është emëruar ky Mal, thotë legjenda. Veç ai zog më parë qe Vajzë, që më pastaj të shndërrohej me dëshirë dhe lutje në fluturim, në bazë të një akti të tillë është emëruar dhe Mali.

– Babi, qenka gjë e ngatërruar kjo?

– Siç thotë legjenda, në këtë hapësirë qe bërë luftë e përgjakshme.

– E çfarë ndodhi…

– Do të vriten shumë njerëz. Mes tyre dhe shtat vëllezër të një familje. Do të mbetej vetëm një plakë në shtëpi, e cila do t’i kujtoj të vrarët dhe një vajzë të martuar shtatë ditë udhë larg nga kjo hapësirë…

– E, a do të takohen jashtë rrjedhës së jetës?

– Të vrarët mbesin gjithnjë në kujtesë!

– Sa lidhet kjo me këtë mal kaq të bukur ?!
– Lidhet përmes legjendës?

– E ka shkruar një dramë  shkrimtari Beqir Musliu për këtë ngjarje…

– Drama “Unë Halil Garria”, apo nuk është kjo?- tha Dea. – Kjo është dramë për Qyqavicën?

“…Qiqavicë, qe emëruar vajza, të cilën e martoi familja shtatë ditë udhë larg nga fshati i lindjes. Ajo nuk qe në gjendje të vinte ta vizitonte nënën dhe vëllezërit e vet asnjëherë, përgjatë një kohe. Herën e parë që kjo ndodhi me kalë të bardhë ajo do të mësojë se në shtëpinë e shkretuar nga vdekja e kishte sjell vëllai i vdekur, i ngritur nga varri për tëmbajtur besën që i kishte dhënë nënës. Të vetmen gjë që bëri Qyqavica, qe t’u lutet hyjnive, jashtë zgjimit të alivanosjes, ta shndërrojnë në qyqe, që t’i vajtojë përjetësisht vëllezërit e vdekur në luftë. Ato ia plotësuan dëshirën. E kthyen në qyqe dhe ajo fluturoi në malin që mori emrin e saj, Qyqavica, siç thotë dhe legjenda.

Ajo harroi legjendën dhe qante fatin me lot ndër sy, pjesë e së cilës  u bë e iu dha të vërtetës së malit! Të vërtetës së atyre që tirrnin jetën dhe mbyllnin vdekjen në këtë hapësirë. E të ikte nga terri që ia kishte kapluar malin dhe sytë e së ëmës.

“… për çudi Mali i Qyqes, gjatë historisë, në shumë raste, do të kthehej vërtet në një mal të dhimbjes, vuajtjeve dhe lotëve, por edhe të rezistencës ndaj të keqes, – shkruan B. L. -Kjo histori do tëpërsëritej dhe me 22 e 23 shtator të ’98-ës. Me atë rast mbi njëzet e pesë mijëushtarë e policë serbë e rrethuan Qyqavicën dhe nisën sulmin përgjatë të gjithave rrugëve, të cilat bashkoheshin nën jë pikë të vetme, në majën e saj, një lëndinë e zhveshur, prej nga shihet pothuajse e gjithë Kosova…

Mijëra fëmijë, nëna shtatzëna,  plaka e burra të moshuar, me ndonjë valixhe në duar në njësh kolonë, nën breshërinë e artilerisë së rëndë, braktisën shtëpitë e tyre, për të gjetur strehim në thellësitë e Malit të Vajtimit. Shumë prej tyre u vranë e u gjymtuan nga predhat që vinin nga të gjitha anët dhe binin gjithkah. Armiku po kërkonte t’i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së dhe ku, pikërisht aty ku me 1924 kishte marrë fund Lëvizja Kaçake e Azem Bejtës, aty ku në shkurtin e vitit 1945 Shaban Polluzha u kishte dhënë lajmin e hidhurb ashkëluftëtarëve të tij se kryengritja e tyre kishte marrë fund, aty ku udhëtari, ngado të kalojë, ndeshet në varret e luftëtarëve të panjohur, të vrarë në raste dhe kohë të ndryshme.
Njësitë e UÇK-së, të pajisura me armë të lehta dhe në numër shumëfish më të vogël se ushtria serbe, nuk mund të ndalonin dot divizionet sulmuese të saj. Krejt çfarë mund të bënin ishin të vononin depërtimin e saj dhe të ndihmonin në evakuimin e popullatës civile, bashkë me të plagosurit e shumtë. Në këtë përpjekje titanike do të bënin disa nga luftëtarët më të dalluar të UÇK-së: Fehmi e Xhevë Lladrovci do të binin në hyrje të fshatit të tyre, i cili shtrihet buzë Qyqavicës. Ata nuk ishin të vetmit. Dhjetëra luftëtarë ranë me armë në dorë gjatë atyre dy ditëve, në të katër anët e Qyqavicës, ndërsa civilët e vrarë ishin mbi njëqind e shtatëdhjetë vetë. Kështu, legjenda e lashtë për motrën e shndërruar në qyqe nga dhimbja, kishte kapërcyer kufijtë e imagjinatës për t’u bërë njësh me realitetin”.

– Do të ngjitemi deri aty ku qielli puthet me malin, – ia bëra me qeshje të zëshme Deas.

Ajo e kuptoi mahinë time dhe e përsëriti dhe një herë të njëjtën fjali me qeshje.

– Shpesh ndodh që të ndërlidhen legjendat me historitë e sotme, të ndërlidhen me emra shpendësh me vajza dhe djem në mjedise të ndryshme. Ja, dhe kjo ndërlidhje e motrës me shpendin, veç për t’i kujtuar anëtarët  e shuar të familjes, për t’i treguartrimat e flijuar për tokën mëmë…

– Rrëfim njëmend tronditës, – foli ajo dukshëm e pikëlluar.

– Pa flijime të ngjashme nuk do të qe fituar liria, – desha t’i thoshja veç e ndërrova mendjen. Disa gjëra nuk duhet të fliten, ndërsa kuptohen pa i shqiptuar fjalët.

 

Please follow and like us: