Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Millona: Profesori fisnik i frëngjishtes, Petro Isufi!

 

Bukuria shpirtërore e mësimdhënësit dhe fisnikëria prej zotërie të vërtetë e Petro Isufit dilte në pah në çdo aspek të jetës së tij.

 

…Ishe dhe gjitoni im, profesor Petro Isufi dhe si i tillë brenda lagjes, kishim kontakte më të shpeshta.

Aty e njohëm profesorin e nderuar, jo vetëm në aspektin e mësimdhënies, por edhe në aspektin njerëzor. E shikonim profesorin, çdo mëngjes kur merrte rrugën për në shkollë. Para syve tanë shfaqej ai i veshur me shije aristokrate, me atë xhaketën dopio-petë dhe pantallonat që zakonisht i mbante me ngjyrë më të hapur. Sidomos binte në sy krehja aq e kujdesshme e tij, që të krijonte përshtypjen e atyre fisnikëve të viteve 1940- 1950, që i shikonim nëpër filmat e kohës.

Tepër korrekt me orarin. Nuk kishe nevojë të shikoje orën, mjafton të shfaqej silueta e tij në rrugë dhe dihej që ishe në rregull me orarin dhe ne nxitonim pas tij të arrinim në kohën e caktuar në oborrin e gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrës.

Nuk e harroj një veçori të profesorit, mbante në dorë një qese të vogël plasmasi, ku fuste fshirësen dhe shkumësat për mësimin.

Të gjithë e dimë elegancën e gjuhës frënge, që i rrinte për shtat shumë edhe elegancës së profesorit, gjuha frënge i shkonte për shtat me fisnikërinë e tij.

Por profesori ishte dhe me një botë shpirtërore tepër të pasur, plot kolorit, por edhe të brishtë shumë.

Profesor, do na lejosh të tregojmë një histori, që kemi dëgjuar për ju në mes të viteve 1960:

Ka qenë dhe një kolege në atë kohë e gjuhës frënge, zonjë edhe ajo, Dora Mokin quhej dhe ishte me origjinë hebreje. Një ditë të bukur pranvere, i afrohet profesorit me një lule të bukur në dorë për t’ia dhuruar në shenjë miqësie. Ia zgjat lulen profesorit, por ai hezitoi ta merrte lulen e bukur dhe me klasin e tij, me fisnikërinë e tij, me botën e bukur, që kishte ia kthen me një zë të ngrohtë: ‘Më vure në pozitë se nuk di kë lule të zgjedh’!

Profesor besoj se tregova vetëm një grimce nga jeta juaj e bukur e brilante, që keni lënë me aq gjurmë të bukura, sa edhe sot ju kujtojmë me tërë respektin dhe mirënjohjen tonë…

Please follow and like us: