Sejmen Gjokoli: Replikë e detyruar me Ago Nezhën, kryetar i përjetshëm i SHAK “Labëria”
As kisha për ta parë në se një miku im nuk do më dërgonte linkun ku në një koment që mbante emrin Ago Nezha ishte derdhur për mua një tog me helm e baltë.
Po, po, nga vet kryetari legjendar i shoqatës, i cili siç po duket, o vdes kryetar o nuk i çitet shoqatës së Labërisë.
E lexova, helm e mavri, pisllëk në çdo gërmë.
Gati e pa besueshme, le të më thoshnin sa të donin, kurrë s’do ta besoja nëse në profil nuk do të ishte portreti i mirënjohur i kryetarit.
Unë vërtet kisha bërë një koment kritik në faqen e Deputetit Sina por thjesht për një çështje për mua parimore që lidhej me historikun e shoqatës.Asnjë anatemim tjetër personal apo fizik. Absolutisht asgjë personale.
Mbase nuk do duhej të ndërhyja në statusin e deputetit por më tunduan superlativat që zoti deputet derdhte për historikun 30 vjeçar të shoqatës hartuar në vetë të parë nga Kryetari.
Për të qenë i sinqertë, veç të tjerash, përpara mu shfaq maskarada turpëruese e ndryshimeve të statutit të nëntorit 2018.
Ndonjë “saçme” që ndoshta pa të drejtë kaloi dhe nga zoti deputet ka të bëjë me shfaqien në trajektoren e nisur e i kërkoj mirkuptim.
Kjo ishte arësyeja që edhe e kancelova komentin tim.
-Bën mirë ta heqësh ç’ke shkruar, i shkrova në privat, Agos.
Hidhi ujë zjarrit se ti e di që kam dhe unë kalem, di edhe shkrim e këndim, kam dhe ca shënime- i shkruajta.
Se hoqi, aty është, te statusi i deputetit se as ky se pa të arësyeshme ta heq.
Epo pse ta heqë, anatemohej në mënyrën më të poshtër, jashtë çdo etike e sjellje njerëzore, ish kryetari për gati një dekadë i degës “Labëria” të Vlorës e po kaq vite të tjera Zv. kryetari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare “Labëria”, gati çerek shekulli i lidhur shpirtërisht me të.
Po ç’thotë Ago kryetari në komentin sterrë.
Le ti marrim me radhë.
1.
Më quan “urith nëntoke” e “qymyrxhi”. Anatemon kështu profesionin tim të Inxhinierit të Minierave. Dhe kush e bën këtë, një profesor doktor, madje mbajtësi i urdhërit presidencial “Kalorësi i Skënderbeut”, Ago Nezha.
Nuk e di kalorësi që profesioni që anatemon është krenaria ime e jetës, puna nëntokë me ata qindra e qindra minatorë nëntoke mbetet formimi im i përjetshëm, shkolla që më mësoi të dua e vlerësoj njerëzit e punës, të mos njoh luftën klasore, të kalit guximin, qëndresën burrërore po edhe humanizmin njerëzor.
Sa keq që kryetari i Labërisë ka këtë mendim për njerëzit e nëntokës të cilët i dhanë kaq shumë eAtdheut e që qeveritë u dhanë aq pak atyre.
As sa çereku i pensionit të vaçantë që i jep ky popull nga taksat kryetarit vetë.
2.
“U zgjodh kryetar mes sherrit dhe dega e Vlorës nuk shkëlqeu”, thotë kryetari, duke i’u referuar viteve kur mu besua të drejtoja degën e Vlorës.
Në se duhet ti përgjigjesha me dy fjalë do thoshja paska lajthitur derëziu se ky harron që këto që shkruan do ti lexojnë edhe bashkëpuntorët e miqtë e mi të shoqatës ndër vite.
Harron që dega e Vlorës shkëlqeu mes simotrave, madje duke instaluar aktivitete model e të pa ndodhura më parë, ndërkohë që sherr s’ka patur ndonjëherë në historinë e saj.
Përkundrazi ka realizuar aktivitete masive kulturore me të nivelit të lartë, me okelio domethënëse shkruar në banera e skena, me grupe të shumta polifonike nga i gjithë rrethi, me vlerësime të merituara për aktivistë të shoqatës e bij labërie, me librete të posaçme letrare e artistike, të gjitha të zhvilluara në tempullin e kulturës së qytetit, në Teatrin “Petro Marko”.
Aktivitetet të tërë janë të stampuara në fotografi e celuloid e kronika televizionesh sikundër janë plot raporte analizash e shkrimesh në gazetën “Labëria”.
Të gjitha të ideuara e organizuara nga aktivistë të shoqatës, të ndjekura nga bija e bijë Labërie por edhe drejtues të forumit të shoqatës, ardhur nga Tirana.
Të mohosh punën e të hedhësh baltë mbi punën e kryetarit të degës në këto vite në fakt do të thotë të injorosh e poshtërosh vullnetin dhe kontributin e mjaft aktivistëve të degës si Mustafa Dedenika, Albert Habazaj, Bilal Shkurtaj, Sezai Nelaj, Manxhar Binaj, Tajre Bozhani, Fejzi Rrokaj, Bexhet Rrapi, Myrteza Mara, Tomorr Lelo, Vitri Zykaj, Vitori Hasani, Tana Bilbili, Ruzhdi Barjami, Ilirjan Ali, Seri Tushi, Hiqmet Mehmetaj, Shpresim Kasaj etj.etj.
Të mohosh këtë rjet aktivitetesh pa le ti injorosh fare siç kryetari bën do të thotë së pari të mohosh edhe vehten, fjalimet e mbajtura, elozhet e thurura e deri te dollitë e ngritura.
Kryetari i degës së Vlorës, autori i këtyre radhëve, jo vetëm që s’është zgjedhur asnjë herë përmes sherresh por edhe përfundimin e detyrës si kryetar e ka mbyllur vetëjashtë dëshirës së antarësisë, me tërheqie të pa revokueshme, duke krijuar një model e duke dhënë një shëmbull se si funksionon rotacioni në shoqata.
3.
Duke ju referuar zhvillimeve në Kuvendin e V, mbajtur në Gjirokastër në maj 2014, zoti kryetar pa u menduar përpiqet të më hedhë një tjetër tog balte, veç harron se duke dashur të më ç’kulë mua “vetullat”, i nxjerr vehtes “sytë”.
Është fjala për zgjedhjen e organeve drejtuese nga asambleja e shoqatës.
“Sejmeni nuk ishte propozuar nga antarësia”, thotë kryetari, duke e patur fjalën për kandidaturat e propozuara për nën kryetar të përgjithshëm, të cilat si rregull propozohen nga degët në rrethe.
Një skenar tërësisht i turpshëm thurur me kujdes nga kryetari vetë po edhe ndonjë tjetër për të më mënjanuar pabesisht në vënd lindjen time dhe që falë edhe prezencës time si pjesë e grupit përgatitës, kryetari i bashkisë në Gjirokastër, miku im prej rinisë Flamur Bime, vuri në dispozicion të këtij kuvendi jo vetëm autoritetin e tij por edhe infrastukturën e nevojshme me një komoditet mbresëlënës.
Dhe mua më vjen keq që shkëlqimin e atij kuvëndi në procesin plenar e në atë mikpritje të rrallë tentoi ta bëjë pis manipulimi i procesit zgjedhor me bekimin dhe dorën e vet kryetarit.
Tinëzisht, në fakt ky është veprim skuthash, mohohet propozimi i emrit tim nga dy degë; Vlorë e Gjirokastër, për tu zvëndësuar me një person tjetër pa asnjë kontribut në shoqatë madje as me lidhje teritoriale me Labërinë e duke krijuar një precedent për vetë shoqatën.
E sfidoj, edhe pse tetë vite më vonë, ta ballafaqojmë përsëri këtë akuzë monstruoze të kryetar hileqarit se shyqyr i kemi në jetë edhe Ahmet Demaj edhe Ylli Muho, atë kohë kryetarë të degëve Vlorë e Gjirokastër
Ata deklaruan faqe të gjithëve se Sejmen Gjokoli jo vetëm ishte propozuar po ishte dërguar edhe me shkrim në informacion dërguar forumit.
Po si mund ta përmendë përsëri pas kaq viteve këtë të pa vërtetë, madje këtë inskenim ky njeri po e vrarë hiç mendjen se aktorët dhe faktorët e asaj maskarade të stisur nga vet zoti kryetar janë ende në jetë?!
Qofsh ti që je, o njeri, po si duket është vetë instikti që të çon “te vëndi i krimit”…
Dhe kjo prapaskenë ishte i bëhej njerit prej bashkëpuntorëve të tij i cili jo shumë kohë më parë, më saktë në mbledhjen e fundit përgatitore të kryesisë përpara kuvendit në Tiranë, e kishte argumentuar rizgjedhjen e kryetarit edhe pse i kishte përmbushur mandatet e diktuara nga statuti duke shuar zërat që kërkonin një tjetër kryetar për të mos thënë se dega e Tiranës se kishte nominuar as delegat…
4.
Vuaj nga sëmundja e “grindjes, sherrit e kritizerit”, kështu thotë doktor prof. kryetari.
Në fakt nuk di nëse quhesh i tillë kur brënda forumit që të kanë besuar të kontribuosh diskuton me seriozitet e pasion për të bërë më të mirën e mundshme për shoqërinë.
Po rendis disa prej të ashtuquajturave “shere e grindje” të mia.
-a). Kam hedhur disa herë idenë që shoqata në një nga jubiletë e veta të festonte përmes një koncerti madhështor në Pallatin e Kongreseve me okeljon ” Labëria feston”.
Tri projekte kam shkruar e paraqitur në forum, gjithëherë priteshin me optimizëm, asnjë se pa dritën e realizimit.
Bijat e bijtë e Labërisë, këngëtarë, artistë, instrumentistë, grupe polifonike, një fuqi e tërë e artit lab në një skenë për Labërinë.
Su bë asnjëherë, madje edhe kur pretendohej se ndonjë nga nënkryetarët u bë pjesë në udhëheqie, madje edhe duke dalë përtej hartës së Labërisë fizike me qëllimin e shtimit të financave.
Dhe su bë asnjëherë një aktivitet madhor e cilësor edhe pse fatura financiare do të ishte minimale mbasi i gjithë produkti artistik do të ishte i tëri falas si mirënjohje e trupës artistike për vendlindjen e krahinën e tyre, ndërkohë që shumë artistë rezultojnë edhe të vlerësuar nga shoqata.
b). Po edhe për dekorimin presidencial e kam thënë ndonjë fjalë të vrazhdë.
Si bij Labërie shoqatën duhet ta vinim më shumë në shërbim të Labërisë se se të vetvehtes shoqatë.
-Sa herë kisha shfaqur rezerva që energjitë apo edhe konjukturat u harxhuan për të bërë “Nderi i Kombit” shoqatën e Labërisë e jo vet Labërinë.
Shumë tinzar ndodhi ky vlerësim e as patëm mundësi të themi një fjalë, u njohëm ditën që u njoftuam të ishim në presidencë.
Edhe sot po them se e kundërta duhej të ndodhte, Labëria krahinë pastaj shoqata me emrin e saj.
Koha vërtetoi se pikërisht kjo dekoratë e shoqatës na duhej për “hajmali”, ego personale e megallomani të epërme sa më së fundi edhe statuti u ndrushua.
Ndërkohë që si për karshillëk dekorohen me titullin e lartë fshatra të veçantë, copa të shkëputura të krahinës emër e lavdi madhe, Labëria fizike bën sehir se si pjesë integrale apo edhe bijtë e saj, përfshi edhe autorin e kësaj replike, varin përditë dekorata.
Ndërkohë që shoqatat venë e vijnë, Labëria mbetet.
c).). Po, ka të drejtë kryetari, edhe “kritizer” kam qenë jo pak herë.
Kam qenë mbasi jo pak herë vlerësimet e bëra nga shoqata, përveç që u kthyen qëllim në vetvete, asnjëherë nuk u kornizuan në një rregullore me kritere të qarta e që personalisht kërkoja të bëhej kjo gjë.
Nga vlerësime për kontribues e aktivistë të shoqatës, dekorimet filluan në jo pak herë të kthehen në qoka për sebepe, disa herë shumë të pa venda e të diskutueshme dhe më e keqia duke krijuar një frymë pakënaqësie mes labërve.
d). Po, edhe “shamatë” siç thotë kryetari ndonjëherë kam bërë.
“Shamata” më e madhe dhe e fundit lidhet me ndëryshimet në statut të cilat u realizuan në Kuvendin e VItë Vlorës.
Por “sherri” më i madh e që besoj ky do ti ketë mbetur më në mëndje kryetarit, lidhet me gjithëshka ndodhi në mbledhjen e kryesisë dhe forumit, në Tiranë, bash në kohën që po diskutonim mbi përgatitjet për kuvendin e VI i cili do mbahej pak kohë më vonë në Vlorë.
Kur për të tjera gjëra ishim mbledhur, si nga dheu plasi propozimi për të ndryshuar në statut neni që rregullonte madatet e Kryetarit të Përgjithshëm.
Gjoja dega e Vlorës propozonte që nga dy mandate të ligjëruara në statut, për Kryetarin e Përgjithshëm mos të ketë kufizim mandatesh.
Më çuditi shumë ky propozim dhe reagova duke argumentuar efektet negative të këtij propozimi.
Po si mundet që një shoqatë e lindur nga demokracia të kthehej në një statut monist mbas një përvoje gati 30 vjeçare.
U thashë madje se në se kryetari aktual dëshiron të jetë edhe një tjetër mandat, ashtu si e argumentova për të qenë në të tretin do ta argumentoj prapë të jetë edhe në të katërtin, vetëm në statut mos ta lëmë të shkruar se do na qeshin brezat.
Këmëngulia ime bëri që propozimi të hidhej në votë dhe vota, pavarsisht se kush ishin pjesëmarrësit në kuptimin e të drejtës për votë, për mua rezultoi pakicë.
Në këto kushte, fare i ndërgjegjshëm e normalisht, dhashë dorëheqien e pa revokueshme si nënkryetar i përgjithshëm.
Nuk ju ktheva më këtij diskutimi edhe kur mësova se dega e Vlorës asnjëherë nuk e kishte diskutuar një propozim të tillë.
Kështu përmes një egoje të shfrenuar u hodh në kosh një statut i hartuar nga ca burra themelues Labërie që shoqatën e krijuan në kohë të vështira e që dhanë sa mundën pa ofshana e rënie gjoksi e pa kërkuar asnjëherë të ishin pjesë e tribunave apo paradave të pushtetit.
Dhe pa mbetur në dyert presidenciale e të pushtetit për dekorata e trajtime të veçanta, me flamurin e Labërisë në çantë.
5.
“Tu ngarkua të krijoje degën e Himarës dhe atë se realizove”, një tjetër akuzë që lëshon kryetari si për ta çuar në ekstrem aftësinë time organizuese.
Bela kur të pëlqen vetja e të duket se përtej teje ska më të tjerë.
Edhe këtu harron se dega e Himarës ka qenë e ngritur e s’mund të mohohet puna e Lefter Dedës apo Irakli Gjiçalit por që për disa probleme të kohëve të fundit u la që në kuadër të kuvendin e VI të bëhej një ri organizim i saj.
Të dy me Ahmet Demaj, njëkohësisht të dy të deleguar në këtë nëndegë, angazhuam për një zgjidhje sa më të mirë edhe një nga aktivistët e shquar të Labërisë, Simbol Pazoj, atë kohë me detyrë zv.kryetar i Bashkisë Himarë.
Dhe pikërisht në definim të këtyre përpjekjeve, dorëheqia ime për arësyet e sipër thëna, natyrisht e la në mes edhe riorganizimin në Himarë dhe përgjegjësia duhet ti mbetet shkaktarit të ndërprerjes së këtij procesi, se është e ulët të trajtohet si neglizhencë e ca më keq si pa zotësi.
6.
“Ti ke vetëm një meritë që sduhet mohuar – ke dhënë një kontribut të çmuar për Labërinë se ke mbështetur isopolifoninë” – shkruan me qesëndi kryetari ynë rrap.
S’ka faj i shkreti, mendon se më bën qeder vërtet.
Prap harron se personalisht as kam punuar ndonjë herë, as më ka pyetur kush e as kam qenë pjesë e ndonjë diskutimi për këtë problem.
Akoma se kupton se mua veç më mrekullon fakti që një dukuri shpirtërore e vendit tim e ku edhe Labëria ka vëndin e vet, thirrur me termin botëror Iso-polifoni, është vetëm shqiptare dhe e çertifikuar si “Kryevepër e trashëgimisë botërore të njerëzimit”.
I është vënë vula që është produkt shpirtëror shqiptar në kancelaritë kulturore më prestigjioze të botës, madje tani edhe më e mbrojtur për mos tu tjetërsuar e për mos tu pretenduar nga askush.
Tërësisht mjerim kur shikoj që kryetari i Labërisë, që mban edhe tituj e grada shkencore, bëhet pjesë e diskutimeve tërësisht mjerane rreth kësaj teme, ndërkohë që kënga jonë polifonike rrezikon të humbasë jo për shkak të emrit po të kujdesit ndaj saj.
Nisur nga ky fakt ndjej keqardhje që ndërsa autori i këtij reagimi ka shkruar e botuar disa artikuj me këtë problematikë, kryetari i shoqatës “Labëria” ku ka edhe shtratin polifonia, në vënd që ti bashkohet këtij shqetësimi, vret mëndjen se si të sharrojë Iso-n e saj.
Po ndërsa kryetari ynë vret mëndjen si të sharrojë Iso-n, bilbilat e Labërisë bëjnë këngën e madhe e çudisin botën në skena e festivale.
7.
“Në 100 vjetorin e Pavarësisë ti bëje ligjin dhe kryetarit të Labërisë nuk i dhe një ftesë por endej rrugëve të Vlorës si çdo qytetar” – një tjetër akuzë e çuditshme që më vjen nga z. kryetar.
I ka mbetur peronë kjo punë dhe kur ma ka thënë për të parën herë ndonse kam mbetur i çuditur, po fare i çuditur, jam përpjekur t’ja sqaroj me shumë dashamirësi pozicionin tim.
Ja kam bërë të qartë se as kam patur akses e as kam kërkuar të pleksem me një gjë të tillë.
E vërtetë që në 100 vjetor kam qenë aktiv, më mrekullon përherë ky kontribut, por as kisha ndonjë lidhje me protokollin, me aktivitetin madhështor kulturor, po.
Jam krenar që ditët kulmore të atij 100 vjetori të pa përsëritshëm, Bashkia e qytetit, ja besoi idesë dhe projektit tim i cili përmes Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, Vlora 2012, e ktheu qytetin në një skenë të stërmadhe e në një manifestim gjigand të trashëgimisë shpirtërore të kombit e pa ndodhur në 100 vjet.
Përmes këtij projekti në Vlorë u derdh me këngë, valle e ngjyra kostumesh, si asnjëherë tjetër, gjithë fuqia e folkut shqip, nga të gjitha trevat shqiptare.
Duke u kthyer edhe një herë te protokolli di që ay ishte shtetëror e konform ligjit e pa zbritur në nivel shoqatash.
Personalisht edhe sot ndihem mirë kur mësova se kryetari i Bashkisë së kohës Shpëtim Gjika, pati udhëtuar vetë deri në Prishtine për të ftuar e për ta patur jo një por disa ditë në Vlorë Akademikun dhe shqiptarin e madh, Rexhep Qose, njëherazi edhe “President nderi” i Shoqatës “Labëria”.
Një nder i madh për Labërinë, Vlorën e Shqipërinë.
8.
E lashë për në fund shantazhin mjeran që kërkon të më bësh me bashkëfshatarët e mi.
Si duket edhe këtu më ngatërron me vehten në kohën që bashkëfshatarët ee tu mbushnin gazetat me shkrime kundër bashkëfshatarit të tyre.
“Më ftove në Zhulat, në fshatin tënd të lindjes, në një aktivitet, erdha dhe ata s’na respektuan prej teje, s’na dhanë as fjalën për të përshëndetur” – insinuata që krijon Agua për marrdhëniet e mia me vëndlindjen.
E habitshme po as kaq gjë s’qënka i zoti të ndajë ky kryetari ynë, as të mësojë si një njeri i ka marrdhëniet me bashkëfshatarët.
Kulmi, po kulmi fare!
Ago, insinuata jote e pështirë e djallëzore nuk të pi ujë në Zhulat.
Unë i dua e më duan bashkëfshatarët e mi se jemi dashur e respektuar në çdo kohë, edhe në kohët që fshati ishte ndarë si me thikë.
Vazhdojmë të respektohemi maksimalisht nga do që jemi e kudo që jemi, hiç mos të të hajë meraku.
“Kënga e Zhulatit” i thotë të gjitha se aty është derdhur edhe shpirti e historia e tyre, sot e në shekuj, në se ke dëgjuar dëgjoje.
E që ti kthehemi vajtjes në Zhulat.
Tregou i sinqertë, ftesën e ke patur nga organizatorët në Tiranë, unë vetëm të respektova e me që ndodheshe me pushime në Vlorë, të vura në vendin e parë në makinë.
Përurohej monumenti në dru i Idriz Sullit, unë s’isha pjesë e organizimit dhe e vërteta edhe pse e kishin bërë axhendën e takimit u kërkova të krijohej një hapësirë që ju të përshëndesnit.
Në fund unë të thashë që do ikim dhe ikëm e me mishin e pjekur të Zhulatit e kthyem dhimbjen në forcë në Virua.
E vërteta ështe se edhe mua më mbeti qejfi nga organizatorët por ditë më vonë më sqaruan.
-Pse s’ja dhatë fjalën mikut tim, u thashë, na turpëruat.
Më çuditi arsyetimi.
U ruajtëm nga dy gjëra- më thanë.
Ne donim njerëz që të flisnin për Idriz Sullin e jo për vete.
Po Idriz Sulli ka qënë burrë i ngulur e duhet të tillë burra të flasin, ay miku yt sikur kish ndruar nja tri a katër parti ndaj caktuam Pëllumb Xhufin, se një do flit nga Tirana, më thanë.
Mbeta pa fjalë, ngriva.
Mu desh tu kërkoja ndjesë që u isha mërzitur…
Dhe, së fundi, më duhet të falenderoj sinqerisht z.Nezha që me shkrimin e zi më dhe mundësinë të zbardh dhe unë ca të vërteta për shokët e mi të shumtë, në të gjitha trojet shqiptare.
Madje dhe për nja shtatë a tetë në Kinë.
shënim: këtë reagim veç vehtes u’a kam borxh themeluesve, bashkëpuntorëve të mi në vite, po edhe atyre grave e burrave që me shumë përkushtim e devotshmëri kanë kontribuar me sa kanë mundur në rrugëtimin e pastër të kësaj shoqate.
Po edhe familjes e njerëzve të mi të dashur.
Vlorë, 14. 04. 2022.
Please follow and like us: