Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati Kieran Both: Viza për të punësuarit e përkohshëm pranë një organizate fetare

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi

Jam prift në Shqipëri. Një kishë në Shtetet e Bashkuara më ka bërë ftesë që të shkoj atje për t’i ndihmuar të komunikojnë me famullitarët shqiptarë etnikë. Egziston ndonjë kategori e posaçme vizash për ata si unë? Jam në pritje të përgjigjes suaj. Faleminderit.

Fr. Anton

Si rregull, një nënshtetas i huaj që dëshiron të hyjë në Shtetet e Bashkuara duhet së pari të pajiset me vizë qoftë kjo vizë joemigruese për qëndrim të përkohshëm apo vizë emigruese për qëndrim të përhershëm. Vizat R-1 janë viza që u jepen personave që vijnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar përkohësisht pranë një organizate fetare.

Që të kualifikohesh për vizë R-1 duhet:

  • Të jesh anëtar i një feje të njëjtë me atë të organizatës për të cilën ke ndërmend të punosh në Shtetet e Bashkuara, prej të paktën dy vjet përpara se organizata në fjalë të paraqesë një kërkesë në emrin tuaj;
  • Të vish të punosh në Shtetet e Bashkuara si pastor apo në një funksion tjetër fetar;
  • Të punësohesh nga një organizatë fetare jo fitimprurëse në Shtetet e Bashkuara (apo një organizatë në Shtetet e Bashkuara që ka lidhje me fenë në fjalë); dhe të punosh të paktën me kohë të pjesshme, mesatarisht të paktën 20 orë në javë.

Egzistojnë disa veprimtari të caktuara fetare që mund të kryhen duke patur vizë vizitori (B) si p.sh. adhurimi i Zotit, lutja, meditimi, studimi në mënyrë joformale i fesë, ndjekja e shërbesave apo konferencave fetare në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, viza e vizitorit i jepet zakonisht dhe pastorëve që duan të vijnë të rrijnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara, rroga dhe shpenzimet e të cilëve do të paguhen nga organizata fetare jashtë Shteteve të Bashkuara, të cilës i përkasin, në rastet kur vijnë për:

  • Turne ungjillor, pa caktuar takim me ndonjë kishë;
  • Shkëmbim të përkohshëm të foltoreve me homologët e tyre në SHBA; ose
  • Për të kryer shërbime misionare apo vullnetare si ato në ndihmë të të moshuarve apo të njerëzve në nevojë.

Kur keni një profesion të natyrës fetare apo po vini për t’u punësuar pranë një organizate fetare dhe rrogën do t’jua paguajë një organizatë fetare jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara, atëherë ju nevojitet një vizë R që vlen posaçërisht për punonjësin e përkohshëm fetar ose një vizë tjetër pune. Viza e vizitorit nuk lejohet në këto raste.

Përpara se të aplikoni për vizë si punonjës i përkohshëm fetar pranë ambasadës apo konsullatës së SHBA-së, duhet që punëdhënësi i ardhshëm të ketë paraqitur një peticion në emrin tuaj  të quajtur Petition for a Nonimmigrant Worker, (formulari I-129) i cili duhet të jetë aprovuar nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS).

Si të aplikoj

Që të aplikosh për vizë duhen ndërmarrë disa hapa. Se në çfarë radhë dhe në çfarë mënyre duhen marrë këto hapa varet nga konsullata apo ambasada amerikane në vendin ku po aplikoni. Ju këshillojmë të lexoni udhëzimet që ambasada apo konsullata në vendin ku po aplikoni, ka vënë në dispozicionin tuaj.

Mbushni aplikimin për vizë në internet – Formulari DS-160.

  • Duhet: 1) të mbushni aplikimin për vizë në internet si dhe 2) të printoni “faqen e konfirmimit” të formularit të aplikimit në mënyrë që ta merrni me vete ditën e intervistës.
  • Fotografi – Kur mbushni formularin DS-160 në internet fusni dhe fotografinë tuaj. Fotografija duhet të jetë në formatin dhe përmasat që jepen në faqen Photograph Requirements.
  • Duhet të caktoni një intervistë për vizë me ambasadën e SHBA-së. Intervistën mund ta caktoni me një ambasadë apo konsullatë të SHBA-së kudo në botë, por kini parasysh që mund të jetë e vështirë të kualifikoheni për vizë jashtë vendit ku keni vendbanimin e përhershëm.

Është mirë të aplikoni herët për vizë, pasi koha e pritjes për takimin e intervistës varion në varësi të vendit, sezonit dhe kategorisë së vizës. Gjatë intervistës për vizë zyrtari konsullor është ai që vendos nëse kualifikoheni ose jo për vizë dhe nëse po, është po ai që vendos se cila kategori vize është më e përshtatshmja për qëllimin e udhëtimit tuaj. Duhet që të tregoni që i përmbushni kërkesat që parashikon ligji amerikan për të marrë vizën në kategorinë për të cilën po aplikoni. Pjesë e proçesit të aplikimit është dhe marrja e shenjave të gishtërinjve në mënyrë dixhitale ( jo duke i ngjyer në bojë).  Zakonisht shenjat e gishtërinjve merren gjatë intervistës, por kjo varion në varësi të vendit.

Pas intervistës për vizë, mund të duhet që aplikimi juaj të kalojë nëpër disa proçedura të tjera administrative. Zyrtari konsullor do t’ju njoftojë vetë nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme.  Nëse ju aprovohet viza, do të mund t’ju duhet të paguani një tarifë për lëshimin e vizës nëse kombësia që keni e parashikon diçka të tillë si dhe do të njoftoheni për mënyrën se si do t’ju kthehet pasaporta me vizë. Aprovimi i peticionit nga USCIS-i nuk përbën garanci për të marrë vizën. Mos bëni plane udhëtimi dhe mos e blini biletën pa marrë më parë vizën.

Sa kohë që nuk është anulluar, viza është e vlefshme deri në datën e skadencës. Prandaj, një vizë e vlefshme në një pasaportë që ka skaduar, mbetet e vlefshme. Nëse keni një vizë të vlefshme në pasaportën që ju ka skaduar, mos e hiqni vizën nga pasaporta. Vizën në pasaportën e skaduar mund ta përdorni duke e paraqitur bashkë më pasaportën e re, qoftë për të udhëtuar qoftë për t’u futur në Shtetet e Bashkuara.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Please follow and like us: