Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: Lajm i mirë

Lajm i mirë
Do të shtrenjtohen Librat
Librat do të shtrenjtohen
E dashur
Sapo fola me një botues
Me paratë e honorarit
Do ta blej një jaht
Një avion
Jemi të parët që do të fitojmë nga Poezia
(Eh, kjo veç është e bukur)
Nëse nuk kam parë ëndërr
Librin më nuk do ta falim
injorantët nuk do t’i presin më thonjtë
mbi libra tanë
Prostitutat s’do ta flladitin ballin
Shitësit në shesh
më nuk do t’i mbështjellin me poezi
kikirikët, farat, gështenjat
Farmacitë, barnat,
pesticidet, helmet
Librat do të shtrenjtohen
pa hy në borxh askush nuk do të mund
të blej libër me Poezi
HARROJE
pa i lënë fëmijët pa bukë
Njerëzit do të presin në radhë për të blerë libra
Poezia do të lexohet në zyrën ovale
në Foreign Office, n’Kremlin
Nuk desha ta them të fundit fjalë
Poezi do të lexojnë miliarderët
Ministrat,
biznesmenët,
Të dashurave do t’ju blejnë libra me Poezi në vend të diamanteve
Ato do të gëzohen
Nuk pritet t’ua përplasin për fytyre
Ne do të vazhdojmë kështu siç jemi
Do të lundrojmë
Në ujëra të thella, t’paqta lotësh
do të fluturojmë me avionin tonë lart
më lart se fluturat se zogjtë
te yjet
Pastaj do të aterojmë
në një livadh të gjelbër
dhe do të ulemi si dikur
E do t’i lexojmë
Barit
Poezi.
Please follow and like us: