REL identifikon ushtarin rus dhe gruan e tij që diskutuan për përdhunimin e grave ukrainase
Identitetet e një ushtari rus dhe gruas së tij, të cilët diskutuan përmes telefonit për përdhunimin e grave ukrainase, janë bërë të njohura pas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë.
Hulumtimi gjeti se Roman Bykovsky, 27 vjeç, dhe gruaja e tij, Olga Bykovskaya, mbiemri i vajzërisë të së cilës është Pinyasovaya, ishin çifti që qëndronte pas telefonatës shokuese, që ka rritur frikën e përdhunimeve masive të grave ukrainase nga ushtarët rusë.
Gjatë telefonatës, të cilën shërbimet ukrainase të sigurisë në rajonin jugor të Hersonit thanë se e kishin përgjuar para se ta publikonin më herët gjatë këtij muaji, gruaja dëgjohet duke i dhënë leje burrit të saj që të përdhunojë gratë ukrainase.
“Po, të lejoj. Vetëm përdor mbrojtje”, dëgjohet duke thënë kjo grua, teksa qesh.
Gazetarët e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë dhe programit Schemes– një projekt hulumtues që udhëhiqet nga Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë – kanë pranuar numrat e telefonit të personave që realizuan këtë thirrje nga burimet brenda shërbimeve të sigurisë ukrainase, dhe kanë përdorur këta numra për të gjetur llogaritë në rrjetet sociale të Bykovsky dhe gruas së tij.
Të lindur dhe të rritur në Oryol, Rusi – një qytet 350 kilometra në jugperëndim të Moskës – çifti Bykovsky u zhvendosën në Krime disa vjet pasi Rusia e aneksoi këtë gadishull nga Ukraina.
Sipas postimeve të nënës së Bykovskyt, Irina Bykovskaya, ai është anëtar i forcave të armatosura të Rusisë.
Kur u kontaktua nga Radio Evropa e Lirë, Bykovsky konfirmoi identitetin e tij dhe tha se ai ishte në Sevanstopol, në portin e Krimesë, ku flota e forcave detare ruse është e stacionuar. Megjithatë, ai mohoi se ishte personi që dëgjohej në atë telefonatë.
Olga Bykovskaya konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se burri i saj është në Sevastopol, duke thënë se ai është plagosur dhe po trajtohej në një spital.
Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj në pyetje të tjera.
Pavarësisht mohimit të Bykovskyt, zëri i tij dhe i gruas së tij përkojnë me zërat e dëgjuar në telefonatën e përgjuar nga shërbimet e sigurisë ukrainase, raportoi REL dhe Schemes.
Askush nuk e ka akuzuar Bykovskyn për përdhunim dhe asnjë akuzë nuk është ngritur ndaj këtij çifti.
Përderisa, ata mund të kenë bërë shaka gjatë kësaj telefonate, publikimi i telefonatës vjen në kohën kur po shtohen raportimet për përdhunime të supozuara të grave ukrainase nga ushtarët rusë.
Më 3 prill, organizata Human Rights Watch dokumentoi rastin e parë të një përdhunimi të supozuar. Shumë raste të tjera të përdhunimeve janë raportuar pasi trupat ruse u tërhoqën nga qytetet përreth Kievit.
Në të njëjtën ditë kur u publikua raporti i HRW, ambasadorja britanike në Ukrainë, Melinda Simmons, shkroi në Twitter se përdhunimi është “armë e luftës”.
“Megjithëse nuk e dimë ende shtrirjen e plotë të përdorimit të tij [përdhunimit] në Ukrainë, veçse është e qartë se është pjesë e arsenalit të Rusisë”, shkroi Simmons. “Gra të përdhunuara para fëmijëve të tyre, vajzat para familjeve të tyre, si një akt i qëllimshëm nënshtrimi”.
Rusia nuk është përgjigjur në mënyrë specifike ndaj akuzave për përdhunim. Zyrtarët rusë kanë mohuar se forcat ruse në Ukrainë kanë shënjestruar civilët ose kanë kryer krime lufte, pavarësisht dëshmive të shumta që thonë të kundërtën.