Albspirit

Media/News/Publishing

A ËSHTË THELBI I DREJTËSISË INTERESI I MË TË FORTIT?

Fadil Sahiti
Pjesa I
Shumë miq më kanë thënë se po e ekzagjeroj kur po them se librat e shkruar 2500 vjet më parë mund të na ndihmojnë të zgjidhim problemet e ditës. Çfarë ndihme mund të ofrojnë libra si Apologjia dhe Republika e Platonit, apo Politika e Aristotelit? Mund të jetë një perceptim personal, por besoj se libra si Republika kanë vlerë të pakrahasueshme edhe sot, sidomos nëse duam të iluminojmë mendjen për tema si politika, pushteti, drejtësia, arsimi, arti, etj.
Ata që e kanë lexuar e dinë se Republika është e ndërtuar nga debati i Sokratit me të tjerët rreth shumë temave. Debati më interesant ndoshta është ai për konceptin e drejtësisë. Pasi hedh poshtë tezat e Kefalit (Cephalus) se drejtësia është të paguash borxhet dhe të kthesh atë që i detyrohesh tjerëve, si dhe tezat e Polemarkut (Polemarchus) se drejtësi do të thotë besnikëri dhe patriotizëm ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit, debati i Sokratit vazhdon me Trasimakun (Thrasymachus).
Trasimaku portretizohet si një lloj ‘uni e dytë’ (alter ego), një lloj ‘mendje binjak’ i Sokratit, mësues dhe edukator i mirë; dijetar kokëfortë që nuk e ka problem ta paraqet realitetin ashtu siç është dhe jo siç e duan të tjerët. Ai pretendon se e di saktë se çfarë është drejtësia, e, drejtësia për të s’është gjë tjetër pos interesi i të fortit, i atij që sundon, që ka pushtet. Sundimtarët nxjerrin dhe zbatojnë ligje me qëllim të mbrojtjes së interesave të klasës sunduese. Kjo është e vërteta sipas tij, nuk ka tjetër.
Dhe ajo që është thelbësore për individin është gjithashtu e vërtetë dhe thelbësore për shtetet (qytetet). Qëllimi i vetëm i çdo shteti është dominimi, supremacia, krijimi i një avantazhi konkurrues ndaj shteteve të tjera. Miqësia mes shteteve ndërtohet pikërisht mbi këtë premisë: shtet dhe pupull mik është ai që më ndihmon të rris avantazhin tim konkurrues me shtetet tjera. Kjo është e ngjashme me teorinë ekonomike “zero sum game” (lojë me shumën zero). Drejtësia është vegël e politikës, e, në politikë ka fitues dhe ka humbës, dhe sa më shumë dikush fiton, aq më shumë dikush tjetër do të humbë. Kur e lexojmë Republikën e Platonit, Karl Marks na del plagjiator, pasi teoria e tij se rregullat e drejtësisë janë thjesht rregullat e klasës sunduese vjen direkt nga Trasimaku.
Thelbi i mesazheve të Trasimakut mund të jetë ky: çdo gjë që bën njeriu dhe shteti ka vetëm një qëllim: rritjen e pushtetit, pushtetin personal. Burri i fortë dhe i ligu dallojnë për nga pushteti që zotërojnë, sa arrijnë të dominojnë të tjerët; ose çfarë shkalle supremacie kanë mbi të tjerët. Hobbes dhe Hegel thonë të njëjtën gjë.
A është e vërtetë që përbërësi kryesor i drejtësisë është interesi i më të fortëve, sundimtarëve? Sokrati thotë jo. Jo sepse këta të fundit gabojnë shpesh; bëjnë veprime që janë në kundërshtim me interesat e tyre të vërteta. Kjo ndodh për shkak se vendimet e tyre bazohen në intuitë, jo në dije. Ndërkaq, sipas Sokratit, dija, dituria është virtyti më i madh i njeriut. Dhe, ky është thelbi i tezës së famshme Sokratike: duhet të jesh i ditur për të qenë i drejtë. Sigurisht, ai kishte parasysh versionin e tij të dijes, i cili konsiston në vetëdijen se “unë di pak”. Sundimtarët besojnë të kundërtën, besojnë se janë omniscient, që dinë gjithçka, se nuk gabojnë kurrë!
Please follow and like us: