Albspirit

Media/News/Publishing

REGJIMET PERVERSE FORMOJNË QYTETARË PERVERSË

Pjesa II
Pasi i mund Kefalin, Polemarkun dhe Trasimakun, Sokrati i ‘paketon’ ata dhe i largon nga debati për drejtësinë. Debati me ta është si një lloj ‘parangrohje’ për një tjetër debat më thelbësor dhe akoma më i ashpër. Debati me ta ishte një lloj gjysmëfinale para finales, nëse mund ta thuhet kështu. Finalja zhvillohet kur ai debaton me dy vëllezërit e Platonit: Glaukun dhe Adiamantin (Glaucus & Adeimantus). Dy lojtarë trima, të guximshëm, të mençur; dy aristokratë të mirëarsimuar që mendojnë se e dinë se çfarë është drejtësia, por duan ta mësojnë atë edhe nga Sokrati. Gjatë debatit ndër të tjera këtij të fundit i thonë:
“… Sokrat, e turpëruat Trasimakun, e bëtë të skuqet, por nuk i dhatë alternativë, nuk i treguat se cili është thelbi i drejtësisë… nuk mjafton të thuash që padrejtësia është e keqe, është e gabuar…ne duam të dimë pse është më mirë të jesh person i drejtë… a e ka drejtësia të mirën brenda vetes dhe të jep kënaqësi, apo lidhet me interes material dhe frikë nga ndëshkimi i jashtëm…? “358A.
Glauku shkon më tej. I kundërvihet Sokratit përmes një tregimi të Herodotit, atë mbi Gygos-in dhe unazën e tij magjike, që i mundësonte të bëhej i padukshëm sa herë i duhej. Një herë ishte bërë i padukshëm dhe kishte vrarë mbretin, kishte fjetur me gruan e tij dhe ishte bërë mbret. Glauku pyet: “kush mund t’i rezistojë këtij tundimi…”? A nuk kemi të gjithë ne dëshira perverse. A nuk do të donim të gjithë ne t’i bënim të gjitha këto veprime por pa pasur frikë nga ndëshkimi? Nëse do të kishim imunitet të plotë nga ndëshkimi, pse të mos bënim vepra të padrejta kur ato përmbushin dëshirat tona? Këto janë pyetjet dhe sfidat që Glauku ia paraqet Sokratit.
Ndërkaq, vëllau tjetër, Adeimanti, ka të tjera shqetësime. Ai mundohet ta lidh konceptin e drejtësisë me atribute të tjera njerëzore si vetëkontrolli, autonomia dhe pavarësia nga ndikimi që të tjerët mund të ushtrojnë tek ne. I thotë Sokratit se është lodhur nga lavdërimet që prindërit, poetët dhe të tjerët i bëjnë drejtësisë. Pse duhet të kem frikë nga të tjerët, thotë ai, qoftë edhe nëse dënimi vjen nga zoti? Frika nga të tjerët është “virtyti” i frikacakut, i të dobëtit. Një burrë trim, virtuoz, aventurier nuk shqetësohet për këto, nuk ka frikë nga pasojat e padrejtësisë; nuk i intereson se çfarë thonë njerëzit për të. Ai mund të jetë i drejtë, i ndershëm sepse ka virtyte superiore, ka vetëkontrollë, ka autonomi personale, nuk vepron sepse ndikohet nga të tjerët. “Si t’i kultivojmë këto cilësi…?” pyet Adeimanti Sokratin (367A).
Debati i mësipërm mund të interpretohet si dëshirë e dy vëllezërve për të kultivuar cilësi njerëzore të cilat i mundësojnë individit të jetojë i lirë dhe i pavarur, pa frikën e ndëshkimit që mund të vijë nga forca e jashtme, qoftë ligji apo zoti. Glauku dhe Adiamanti shfaqen si dy “mikroborgjez”. Të lodhur nga gënjeshtrat dhe hipokrizia e njerëzve që i rrethojnë, ata duan të lihen të qetë, duan ta bëjnë jetën e tyre pa e çarë koken se çfarë mendojnë të tjerët. Ata janë të drejtpërdrejt me Sokratin, i thonë se janë të hapur për të ndryshuar bindjet që kanë për drejtësinë, për të eksploruar alternativa, ndoshta edhe më radikale nga ajo që ushqen shoqëria në të cilën ata jetojnë.
Dinak dhe i mençur, Sokrati e zhvendos debatin nga individi tek ‘polis-i’ (qyteti shtet). Ai u thotë djemve: “hajde ta analizojmë drejtësinë duke e zhvendosur atë nga niveli individual në atë të përgjithshëm… sepse është më e lehtë të kuptosh konceptin e drejtësisë kur e vendosim në lupë, sesa ta shikosh mikroskopikisht tek një individ…”. Zhvendosja e debatit mbi drejtësinë nga individi tek polis-i është metafora qëndrore rreth së cilës ndërtohet e gjithë Republika. Për Sokratin polis-i është në thelb analog me shpirtin; d.m.th polis-i ose shteti është si shpirti, është si një individ, si shpirti i një individi. Qeverisja e shpirtit, ky parim i vetëkontrollit që Adeimanti e kërkon dëshpërimisht, është si të qeverisësh një qytet. Por sa e saktë mund të jetë kjo analogji? Sokrati thotë se, ashtu si shpirti i individit që duhet të ketë vetëkontroll mbi pasionet dhe orekset e shfrenuara, të njëjën gjë duhet kërkuar edhe nga regjimi që qeveris një entitet kolektiv, një shoqëri.
A është kjo një mënyrë e të menduarit e dobishme për njerëzimin, dmth të kundrohen individi dhe regjimet si të ndërlidhura organikisht? A duhet që regjimet politike të jenë në shërbim të individit? Më konkretisht, çfarë do të thotë të thuash se individi duhet dhe mund të shihet si i madhëruar në vendin e tij ose të saj? Karl Popper thotë se Sokrati është individualisti i parë, është apostull i parë i flozofisë individuaiste.
Analogjia midis shpirtit të individit dhe polis-it e prezantuar nga Platoni mund të interpretohet edhe si një lloj lidhjeje shkakësore apo kauzale që këto kanë me njëra-tjetrën. Do të thotë që individi është produkt i polis-it në të cilën jeton, ashtu si polis-i është produkt i qytetarëve që jetojnë në të. Ndikimi është i ndërsjellë, polis-i (qyteti shtet) formon qytetarët të cilët nga ana e tyre formojnë polis-in.
A mund të thuhet se çdo regjim prodhon një lloj të veçantë individi, i cili në thelb mishëron tiparet mbizotëruese të karakterit të regjimit të njëjtë? Ndoshta po. Ja një shembull. Karakteristika dalluese e pothuajse të gjitha regjimeve që kanë qeverisur Kosovën pas luftës ka qenë keqqeverisja, vjedhja, hajnia, zhvatja e pronës publike. A nuk mund të thuhet se karakteri i këtyre regjimeve ka pasur ndikim të rëndësishëm në formësimin e veçorive dalluese të individit kosovar? Është e vështirë të argumentohet shkencërisht, por megjithatë gjatë kësaj periudhe të lirisë së Kosovës, kësaj periudhe dy dekadash, tipari mbizotërues i një lloj qytetari të veçantë të Kosovës ka qenë dëshira për t’u pasuruar pa djersë, për t’u bërë i ditur pa lexuar dhe studiuar, për t’u bërë mësues, edukator dhe profesor me diplomë por pa dije, për të krijuar prokopi përmes zhvatjes, e shumë tipare të tjera të çoroditura.
Pra, qytet dhe shpirt. Kjo çon në temën tjetër të Republikës së Platonit të clën do mundohem ta elaboroj në shkrimin e radhës, krijimi i Kallipolis-it, qytetit/shtetit të bukur.
Please follow and like us: