Albspirit

Media/News/Publishing

ARIU WOJTEK, DY VJET NË BETEJA – NJË HERO LUFTE

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në vijim të ciklit të shkrimeve “Kafshët luftëtare si dhe njerëzit”, po sjellim historinë e ariut-ushtar, Wojtekut që shkoi në luftë dhe u bë i famshëm për njerëzimin. Në betejat e Luftës së Dytë Botërore njerëzimi vijonte të “ftonte” të bëheshin bashkë edhe kafshët në këtë ndërrmarrje të “domosdoshme” të njerëzimit, si pjesëmarrës në artin e shkatërrimit. Luftrat, njerëzit dhe kafshët janë shndruar në binjakë historikë, sepse shoqëritë njerëzore janë bashkëshoqëruar shekujve të përgjakshëm edhe nga kafshët. Kafshët janë gjithashtu shërbëtore të njerëzimit në situatë paqësore, por dhe në situatë luftarake. Kafshët janë përfshirë në luftra bashkë me njerëzit, veçanërisht në kohët parahistorike e deri në ditët tona. Elefandët, devetë, kuajt, qentë, arinjtë, delfinët…pëllumbat janë bërë padashur “luftëtarë”, janë “rekrutuar”, kanë luftuar bashkë me njerëzit, kanë qenë në front dhe në prapavijë. Në përballjet luftarake të përgjakshme nëpër shekuj kafshët e luftës janë vrarë, plagosur e ngordhur ndodhta më shumë se të zotët e tyre. Por kafshët që kanë mbijetuar luftrave janë vlerëzuar si të zotët e tyre, janë nderuar, respektuar, dekoruar me urdhëra e medalje lufte, kanë marrë grada ushtarake ndoshta më shumë se të zotët. Për ta janë bërë filma e vepra letrare, janë ngritur monumente, kanë hyrë në dokumentacionin historik si dhe janë përjetësuar në kujtesën e njerëzimit. Në rrugëtimin luftarak në të gjithë luftrat, përfshi dy luftrat botërore nuk munguan dhe kafshët besnike të njerëzimit ku përveç qenit dhe kalit, kafshë-egërsira si ariu, u rritën mes njerëzve dhe imitonin ata sikurse ishte ariu “Wojtek”, që u kthye në një ushtar besnik dhe të famshëm që i shpëtoi përgjakjes dhe u kthye triumfator dhe fitimtarë lufte. Ngjarja zë fill më 8 prillin e vitit 1942, kur një grup robërish polakë, që po transportoheshin nga Siberia përmes Iranit në Lindjen e Mesme drejt Palestinës dhe më tej Aleksandërisë së Egjiptit. Edhe pse kanë kaluar dekada që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, një luftë e sprovë nga më të vështirat të njerëzimit në shekullin e njëzetë, brezat janë të interesuar të dinë gjithçka për betejat e saj, heronjtë, të rënët, taktikat, strategjitë, planet, veprimtaritë, ngjarjet, por dhe heronjtë e mbijetuar. Kjo luftë ishte e mbushur me gjithçka, me gjak, dhimbje e lot, me gëzime dhe shpresë, me viktima të rënda dhe plot të papritura, me operacione unike ushtarake, por që kishte në front edhe kafshë të buta dhe të egra lufte si dhe ushtarë të pazakontë, sikurse ishte ariu Wojtek. Wojtek, ishte ushtari më i pazakontë i Korpusit të dytë polak, që u rekrutua në Iran, dhe kaloi në Siri, Palestinë, Egjypt e Itali. Në Aleksandëri u rregjistrua zyrtarisht ushtar në repartin e furnizimit të trupave të artilerisë dhe së bashku me vëllezërit e tij ushtarë që për dy vjet ishte “nën armë”, që u rrit, kalit, u mësua në luftë deri sa preku shijen e fitores. Jeta dhe vepra e një ushtari special nuk ishte as mit dhe as legjendë por një e vërtetë lufte, një fakt që qarkulloi gjatë midis forcave aleate. Ariu i famshëm Wojtek, u bë një lloj “djali regjimental” i Ushtrisë Polake, edhe pse arinjtë janë veçanërisht të rrezikshëm në adoleshencën e “kthesës”, kur fillojnë të mashtrojnë, binden dhe mund të sulmojnë papritur. Por Wojteku kishte trajnerë të shkëlqyer që ariun e trajtuan si njeri dhe jo si ari. Wojtek kopjoi dhe imitoi ushtarët e tjerë, në të gjitha veprimet e njerëzve, edhe duke marshuar përkrah tyre në këmbët e tij të pasme, sepse i pa ata ta bënin këtë. Ngjarja e parë që e bëri të njohur ishte kur ushtari Wojtek neutralizoi një spiun të rrezikshëm nazist gjerman arab, që u detyrua nga ariu të ngjitej në një palmë, duke u friksuar nga sulmi i shpejtë i një ushtari ​​trim siç ishte Wojteku. Ndërkohë që gjatë betejave të ashpra në Itali, Wojtek tregoi guxim, duke transportuar municion artilerie direkt në vijën e parë të frontit. Nën zjarrin e kryqëzuar të forcave gjermane, ai nuk u largua kurrë nga nga pozicioni i luftimit dhe në këtë mënyrë i ndihmoi shokët e tij të përmbushnin urdhrin luftarak. E pazakonta në këtë histori, është se ndër mijëra luftëtarë fronti, në frontet e Luftës së Dytë Botërore, ushtari Wojtek ishte thjesht një ari, i gjetur në Iran dhe i marrë me pagesë nga ushtarët e ushtrisë polake të Korpusit II-të. Në betejën e Monte Cassino në Itali, ai ndihmoi gjuajtësit polakë të shkarkonin kutitë e municioneve dhe madje solli predha gjatë betejës, të cilat përjetësuan emrin e tij. Fiziku i fuqishëm i Wojtekut u shfrytëzua nga “shokët” e tij ushtarë në kohë lufte. Faktikisht gjithë ushtarët që u njohën, bënë shoqëri dhe luftuan me Wojtekun nuk i harruan kurrë luftimet në fushatat luftarake, shokun e tyre që e gjetën dy vjeçar dhe për dy vjet nga disa kilogramë në fund të luftës u bë një ari luftëtar i vërtetë me peshë mbi dyqind kg. Historia si dëshmitare ka hedhur dritë dhe ka ndriçuar rrugët e kujtesës si për njerëzit ashtu edhe për kafshët që luftuan në betejat e historisë dhe një prej “ushtarëve” pa atdhe është padyshim ariu Wojtek.

“Rekrutimi” i ariut Wojtek si ushtar i betejave i barabartë me njerëzit

Në një stacion hekurudhor në provincën Hamadan të Iran, më 8.4.1942, ushtarët polakë takuan një djalë të ri iranian, i cili kishte gjetur një këlysh ariu, nëna e të cilit ishte qëlluar nga gjuetarët. Një nga refugjatët civilë të luftës, që ishte në mesin e tyre, tetëmbëdhjetë vjeçarja Irena/Inka Bokiewicz, stërmbesa e gjeneralit Bolesław Wieniawa Dlugoszowski, e kishte pëlqyer këtë këlysh ariu dhe ju lut togerit Anatol Tarnoëiecki të blinte ariun e vogël, si të ishte një kukull. Blerja ishte thjesht me disa konserva mishi dhe kanaçe me ushqim të konservuar dhe pak para që ushtarët polakë e joshën djaloshin iranian të qytetit të Hamadanit. Karriera e pazakonshme ushtarake e Wojtekut fillonte atje në malet Alborz, në veri të Iranit në provincën e Hamadanit. Në Iran polakët u vendosën në një kamp refugjatësh të krijuar pranë Teheranit, kryesisht nën kujdesin e Irenës dhe në muajin gusht 1942, ariu iu dhurua Kompanisë së 2-të të Transportit, e cila më vonë u bë Kompania e XXII-të e Furnizimit të Artilerisë. Këlyshi i ariut, fillimisht pa emër ishte shumë i vogël dhe nuk mund të përtypte as ushqimin vetë, prandaj ushtarët filluan ta ushqenin atë me qumësht lope nga një thithkë e improvizuar e bërë nga një shishe. Këlyshin e vogël i gjetën edhe një emër. E emërtuan në polonisht “Wojtek”. Emri Wojtek është pseudonimi, forma zvogëluese ose hipokorizmi i “Wojciech” ose “Luftëtar i lumtur/i buzëqeshur”, një emërtim i vjetër, ende i zakonshëm në Poloni. Ariu i vogël filloi të rritjes dita ditës dhe ishte i kudogjendur në kompaninë e furnizimit të artilerisë, duke u rregjistruar zyrtarisht në përbërjen e saj, por dhe i adhuruari dhe atraksion për ushtarët dhe civilët, që e ushqenin, ndërsa në këmbim, ai forconte moralin e tyre. “Pritja miqësore për ushtarët që ktheheshin, shpesh herë tejet të lodhur, nga ana e Wojtekut ishte për ne një moment i rëndësishëm relaksues”, kujtonte veterani polak Vojciek Narebski, në një intervistë të vitit 2011. Ushtarët polakë kishin vuajtur shumë në kampet sovjetike të internimit, shumë larg familjeve dhe miqve në kushte tejet të vështira. Wojteku ishte kthyer në burimin e vetëm të gëzimit. Kur Korpusi i Dytë u transferua nga Irani në Palestinë, më pas në Afrikën e Veriut dhe prej andej më vonë në Itali, edhe Wojtek bëri të gjithë udhëtimin me ushtarët polakë. Ai nuk e dinte se ishte bashkuar me aleatët fitimtarë të luftës. Wojtek ishte rritur ndjeshëm, dhe ishte pjesë e gëzimeve “njerëzore”, i privilegjuar të ushqehej me fruta, marmelatë, mjaltë, shurup, për sjellje të mirë e shpërblenin me birrë dhe e kishin mësuar të pinte dhe duhan. Bile duhanin e kërkonte duke u rënë në sup me putër ushtarëve që kishte shok. Duhanin e shoqëronte mëngjeseve edhe me kafe ashtu sikurse ushtarat e tjerë të repartit. Ushtarët ishin bërë trajnerë unikë, sepse nën udhëheqjen e tyre, ariu mësoi të përshëndeste të moshuarit e tij dhe të luftonte njerëzit pa u shkaktuar atyre ndonjë dëm, duke e bërë ariun që “të njihte shakanë” dhe të dinte kufijtë e dhimbjes tek njerëzit. Ai “përleshej” si me shaka me ushtarët, që shkaktonin ilaritet dhe gëzim. Në kampet fushore luftarake të kompanisë ndërtohej gjithmonë një kabinë e veçantë, por ushtari ari, nuk e pëlqernte vetminë dhe pothuajse gjithmonë e kalonte natën me ushtarët në tenda.

Nga Aleksandwria e Egjiptit drejt betejave të reja në Itali përmes Mesdheut

Trupa ushtarake polake ishin duke u transportuar nga Egjipti përmes Mesdheut drejt Italisë. Ka qenë fillimi i vitit 1944. Por përpara se të imbarkoheshin në anije zallamahia dhe rrëmuja ushtarake ishte dicka e pashmangshme. Zyrtarët e portit në Aleksandri refuzuan që të lejojnë ariun e egër që të hip në anije, duke theksuar se vetëm ushtarët lejoheshin të imbarkoheshin në anijë. Por peripecia u mbyll shpejt me rregjistrimin e Wojtekut zyrtarisht si ushtara. Kompania e 22 e Artilerisë po ndihmonte të hipte në anije një “shokun” e tyre ushtar. Autoriteti portual më në fund i dha leje të shkonte bashkë me shokët”, edhe një ari luftëtar i rregjistruar, që prej dy vjetësh, bëntë atë që quhej “jetë kazerme”. Ishte dhe mbeti miku i tyre i ri i ushtarëve polakë që vinin nga Irani, një këlysh që kishte hedhur shtat dhe ishte pjesë e formacionit luftarak, gjithmonë i pandashëm në formacionet luftarake. Prej dy vjetësh, kjo qënie specifike, tepër e dashur me ushtarët kishte jetuar bashkë me ta, kishte bërë jetë kazerme. Ishte mësuar të jetonte, të flinte, të hante, të lahej, të luftonte me ushtarët, me disiplinë dhe me rresht. Ishte e habitshme se si ariu Wojtek, ishte bërë në ushtarin më të disiplinuar të kazermës ushtarake. Ushtarët polakë në këtë pikë të largët të atdheut të tyre ishin bërë aleatë me francezë e britanikë në vitin 1941, të burgosurit u liruan dhe u drejtuan në jug për të formuar një ushtri tyre. Fakt  është se disa përfunduan më në jug dhe bashkë me ta edhe ariu “Wojtek”. Ai ishte bërë familje për ushtarët. Ariu ushtar u bë shok e kaluar shokëve në luftë. Ai u falte gëzim dhe lumturi edhe në ato caste të përgjakshme lufte. Për ta hipur në anije që të shkonin drejt Italisë cuan listat në kapiteneri dhe e kishin rregjistruar me emrin “ushtari Wojtek”. Ky ushtar special nuk kishte të paguar, por paguhej me dyfishin e racionit të ushqimit, sepse pesha e tij shpejt e kapërceu të dyqind kg. Në situata jo të zakonshme kur cigaret nuk mund t’i pinte u mësua ti hante, ndërkohë që i pëlqente kafeja, ëmbëlsirat dhe birra që i ofronin ushtarët. Wojtek u bë shpejt edhe gaztor i ushtarëve, luante futboll me “shokët” me kambale. Frutat sidomos portokallet i hidhte si granata, më shumë në distancë se cdo ushtar tjetër. Pëlqente të ishte shoqërues i arkave me municion në makinat e transportit të municionit, që në një farë mënyre u bë “profesioni” i tij. Uji ishte dobësia e tij. Nuk priste të “hiqte rrobat” sikurse ushtarët e tjerë sepse në kohë të nxehtë futej në ujë si një notar i klasit të lartë. Në betejën e Monte Cassino Wojtek u bë një ndër trasportuesit mjeshtëror si predhambajtës si dhe dinte t’i përdorte me kujdes maksimal predhat e artilerisë. Veprimet e këtij luftëtari të spikatur në luftë bënë që rregjimenti i artilerisë të ndryshonte simbolikën e tij dhe ta shndëronte në një ari me një predhë në krah. Pas betejës në Itali, dhe në mbarim të luftës ariu luftëtar u gradua “komandant” dhe pas luftës edhe u dekorua, por beteja e Monte Cassino është stacioni luftarak që meriton pak më shumë vëmëndje.

“Ushtari Wojtek” – luftëtar i denjë i frontit dhe hero i betejës së Monte Cassino

Nuk ishte një ushtar i thjeshtë, por një luftëtar llogoresh, një ari simpatik që u bë i famshëm në Luftën e Dytë Botërore. Fati i egër i luftës i çoi një pjesë të ushtarëve polakë në drejtim të paparashikueshëm. Ushtarët polakë që kur takuan ariun Wojtek në Iran, kishin me vete një copëz bekim dhe zemrat e ushtarëve ishin bërë njësh përjetësisht me këtë shok betejash nga më të vecantët e jetës së tyre. Ai ishte një ari i çuditshëm e simpatik, që imitonte gjithcka. Bëhej gati për rresht dhe për front sikurse gjithë ushtarët e tjerë, rreshtohej në vendin e vet, përshëndeste ushtarakisht, merrte drejtqëndrim në këmbë si njerëzit, lahej me ushtarët, shkonte në mencë, luante, bënte mundje, argëtohej dhe argëtonte ushtarët. Duket si e pabesueshme por cigaret ja mësuan ushtarët dhe ja ndiznin po ata si të ishte një efendi i vërtetë. Që kur ishte “rekrutuar” ishte përshtatur plotësisht me të gjitha rregullat ushtarake. Wojtekun e pajisën me librezë ushtarake, me numër matrikullimi, numrin serial të ushtarit, si dhe krejt rankimin e plotë të një luftëtari në luftë. Në dokumentacionin arkivor rezultojnë edhe gjeneraliotetet për “ushtarin Wojtek”. Askush nuk mund ta nënvleftësonte një ushtar të rregjistruar, që qëndronte gjithmonë mes dy ushtarëve të tjerë. Gjatësia e tij 182 cm në fillim të vitit 1944 si dhe pesha prej 90 kg plotësonte kriteret e një luftëtari madhor kur ishte në Itali në betejën e Monte Casinos. Kujtimet e ushtarëve polakë nuk e kanë lënë mister zbarkimin në tokën italiane të ushtarit Wojtek. Në mësin e shkurtit të vitit 1944, Marshali britanik, Bernard Montgomery, në portin e Napolit, për të ndihmuar në procedimin e një njësie të ushtarëve polakë, e cila sapo kishte arritur me anije nga porti egjiptian i Aleksandrisë, për të mbështetur ushtarët britanikë në luftën kundër njësive gjermane dhe italiane. Kontrolli i listave të ekuipazhit dhe bisedat me ushtarët e sapoarritur për anglezët ndeshën në një befasi: vetëm një person, ushtari Vojtek ishte zhdukur pa gjurmë sepse kishte “braktisur intervistën”, por dhe nuk i përgjigjej “apelit ushtarak”. Wojteku nuk po paraqitej. Një kolonel iu përgjigj duke qeshur: “Ai kupton vetëm gjuhën polake dhe atë perse”.  Ishte pjesëtari më i popullarizuar i repartit, që u bindej vetëm bashkëluftëtarëve të tij. Ka qenë 17 maj 1944, kur forcat aleate pas katër 4 muajsh luftimesh të ashpra (17.1.1944 deri më 17.5.1944), depërtojnë në vijën mbrojtëse të linjës gjermane Gustav në Itali, ku morën Romën. Beteja e Monte Cassino ishte një ndër betejat e ashpra dhe më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, beteja që kishte edhe një luftëtar të ndërkombëtarizuar, ushtarin-ari, Wojtekun. Ndërkohë që për Wojtek beteja e Monte Cassino ishte “Pagëzimi i zjarrit” sepse kur ushtarët shkarkonin kamionët me predha, Wojteku u shndrua në kryeushtar, i disiplinuar dhe i zoti, që lëvizja e tij ishte plot produktivitet nga prapavija në frontin e luftës. Në shenjë mirënjohjeje, kompania e 22-të zgjodhi si emblemë të re siluetën e një ariu që mban një predhë në putrat e saj, që ruhet edhe sot e kësaj dite me këtë simbolikë gati tetëdhjetë vjeçare. Në këtë betejë, ndër më të përgjakshmet e luftës, aleatët perëndimorë, gjatë së cilës amerikanët dhe britanikët depërtuan përmes vijës mbrojtëse të linjës gjermane Gustav dhe morën Romën, patën humbje të konsiderueshme: SHBA dhe aleatët më shumë se 55 mijë njerëz; ndërsa nazistët gjermanë rreth 20 mijë ushtarë. Të katër betejat e Monte Cassino drejtoheshin për aleatët perëndimorë nga Gjeneral Harold Aleksandër, Mark Klark dhe Oliver Leese, ku në luftime ishin Armata e Pestë e SHBA dhe Armata e Tetë Britanike, ndërsa gjermanët drejtoheshin nga Marshall Albert Kesselring, Kolonel Gjeneral Heinrich von Vietinghoff, që mbronin vijën e përballjes me armatën e 10-të gjermane. Fakt është se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtritë aleate pushtuan nga jugu dhe u përpoqën të shtyjnë drejt veriut dhe t’i detyrojnë gjermanët të largohen nga Italia. Monte Cassino besohej të ishte një strehë strategjike për trupat gjermane, dhe për këtë u bombardua në një beteje të zgjatur nga avionët aleatë, që shkatërruan plotësisht manastirin, që në fakt ishte një  strehë për civilët. Beteja e Monte Cassino ishte një pikë kthese në luftë, por me një kosto jashtëzakonisht të lartë, por dhe humbje tragjike ndaj trashëgimisë kulturore, përfshirë dorëshkrime të paçmuara. Edhe pse u rindërtua sipas planit origjinal u rihap nga Papa VI më 1964, dy dekada pas lufte. Montecassino Abbey ndodhet 130 km në jug të Romës dhe 100 km në veri të Napolit, në malin mbi qytetin e Cassinos në rajonin jugor të Lazio. Gjithë treva vëndase dhe jo vetëm mësoi se për marrjen e Monte Cassino luftonte edhe një ari. Në të dy anët e frontit ka hyrë në histori ushtari-ari Wojteku, që mbante lehtësisht arkat e municionit dhe i stivoste ato në makina si të ishte njeri. Arkat e municionit që kërkonin katër ushtar Wojteku i mbante i vetëm, për këtë edhe u gradua “tetar”,“Rreshter”, “kapter” dhe ngjiti shkallët më të larta në karrierë. Wojteku i vogël i dikurshëm në përfundim të luftës u rrit dhe u bë ari i madh, 1.82 cm i gjatë dhe peshonte mbi dyqind kilogramë. Ushtarët polakë e shfrytëzuan për fuqinë e tij si bartës i arkave të mbushura përplot me predha/mina të rënda të mortajave. Asnjë predhë/minë nuk i binte nga duart/putrat gjatë transportimit të municioneve, duke u kthyer kështu një luftëtar i denjë i frontit, rreshtuar me fitimtarët e luftës. Kur Wojteku mbartëte arka municioni “e ngritën në detyrë”, i akorduan gradat ushtarake “si breshër” në supet e ushtarit-Wojtek, ndërsa njësia e tij luftonte në fushatën e Italisë bashkë me aleatët anglezë dhe amerikanë. Nuk dihet nëse Wojtek arriti të marrë gradën gjeneral apo jo, me shumë mundësi jo, pasi nuk rezulton në asnjë regjistër që Wojtek të ketë qenë edhe “shef shtabi i përgjithshëm” ndonjëherë!

Ariu Wojtek- një luftëtar heroik, më graduari, më i dekoruari dhe më i njohuri i arinjve pjesëmarrës në luftë në historinë e njerëzimit

Në vitin 1945, njësitë ushtarake fituese të LIIB, në pamundësi për t’a kthyer ushtarin e jashtëzakonshëm në atdheun e tyre, u dërguan në Britaninë e Madhe, ku u shpërndanë në shtëpitë e tyre. Wojtek u transportua në Berëickshire, Skoci, me pjesën tjetër të kompanisë së 22-të të furnizimeve. Ata u stacionuan në aeroportin Ëinfield në Farm Sunëick, afër fshatit Hutton, Skocia Borders. Wojtek shpejt u bë i njohur në mesin e civilëve vendas dhe të shtypit, dhe Shoqata Polako-Skoceze e bëri ariun luftëtar një anëtar nderi të kësaj shoqate. Edhe pse Wojteku nuk kishte shtëpi, ushtarët u kujdesën për “shtëpinë e tij të re” më 15 nëntor 1947 në kopshtin zoologjik të Edinburgut në Skoci. Në Edinburg Wojteku u bë një mjeshtër në  punët e shtëpisë dhe preferencat e tij ndryshuan. U përshtat me kohën e paqes. Tashmë nuk do të jetonte më si në kushte lufte. Ai tani hante sikurse njerëzit gjalpë recel e mjaltë. Merrte pjesë në gjithja aktivitetet vecanërisht për fëmijë duke u bërë aktiv në veprimtaritë e fëmijëve. Wojteku e bëri të njohur edhe kopshtin zoologjik të Edinburgut, ku kaloi pjesën tjetër të jetës së tij, i vizituar shpesh nga gazetarë dhe ish-ushtarë polakë, disa prej të cilëve i hidhnin cigare për të ngrënë, siç bëri gjatë kohës së tij në ushtri. Vëmendja e medias kontribuoi në popullaritetin e madh të Wojtekut dhe për këtë Ai ishte një mysafir i shpeshtë në programin Blue Peter për fëmijë të televizionit BBC. Historia e Ushtarit Wojtek është bërë objekt filmash, librash, tregimesh si dhe ka shtatë statuja në Poloni dhe në Britani, ka një memorial në Britani dhe në Kanada. Shtëpia e tij e fundit ka qenë në kopshtin e Edinburgut në një kopësht zoologjik skocez. Këtu ju shtuan shokët dhe vizitorët. Ishte bërë i famshëm. Rreth vitit 1958 në Poloni, për një kohë të shkurtër filloi një fushatë e vërtetë për “kthimin” e Wojtek në “vendlindjen” e shokëve të tij ushtarë, edhe pse ariu nuk e vizitoi kurrë në fakt atdheun e miqve të tij polakë. Edhe pse kopshti zoologjik i Edinburgut deklaroi se ishte gati të transferonte ushtarin Wojtek, autoritetet polake nuk e miratuan transferimin për shkaqe “politike”, sepse ushtarët miq të ariut ishin kundërshtarë të vendosur të regjimit politik socialist të vendosur në Poloni, prandaj edhe përgjigjia ishte: “refuzim kategorik”. Në Edinburg të Skocisë është përkujtuar Wojteku me një monument në një nga sheshet e qytetit, për ushtarin e pazakontë të Luftës së Dytë Botërore, për ushtarin trim Wojtek. Ish shokët e tij polakë, por më tej edhe britanikë dhe jo vetëm nuk e lanë kurrë vetëm, ndërsa në dhjetor të vitit 1963 kur ishte 22 vjeç, që peshonte rreth pesëqind kg. Njoftimi për vdekjen e tij ishte i klasës së fisnikërisë njerëzore: “Me keqardhje ju njoftojmë se ka ndërruar jetë një ushtar i famshëm polak”. Ushtarët polakë dhe jo vetëm kishin humbur një shok të betejave luftarake, një ari-ushtar, një ushtar të lumtur, që depërtoi në historinë e njerëzve dhe që askush nuk u shpreh “ngordhi”, por “ndërroi jetë”, sepse ishte një fitues në luftë, ju njohën meritat, ju dhanë gradat e ofiqet, u nderuar e respektua si rrallë luftëtar heroik. Wojteku i dha emër nënrepartit ushtarak ku shërbeu për arsye se u etiketua si “ushtari predhambajtësi më i mirë për predhat e artilerisë” dhe për këtë arsye nënrepartit të tij dhe për nder të tij i bënë një emblemë të re, që simbolizonte një ari me një predhë në putrat e tij dhe kjo ishte “Emblema e Kompanisë së 22-të të Furnizimit të Artilerisë” të polakëve. Është fakt se Wojtek u shndërrua në simbol të solidaritetit mes Polonisë dhe Skocisë, që vijon të jetojë në kujtesën e popujve të të dy vendeve. Trembëdhjetë vjet më parë më 2009, Parlamenti i Skocisë organizoi një pritje në nderim të ushtarit Wojtek, sepse historia e tij ësxhtë unike ndërkohë që rrëfimet me tregime vijojnë, edhe me libra dhe në film. Statuja e bronzit në qendër të Edinburgut e nëntorit 2015 e bën ariun Wojtek të vendosur në kujtesën e njerëzimit. Në vitin 2011, Will Hood, regjisori i filmit dokumentar, “Wojtek-Ariu që shkoi në luftë”, u pyet se çfarë e ka ngazëllyer në rrëfimin dokumentar për këtë ari-luftëtar. “Fakti se ai vetë ka menduar se është njeri, ngre disa pyetje interesante për atë se çfarë është të jesh njeri?!”, u përgjigj rregjisori Will Hood.

Please follow and like us: