Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË KAFE NË MAASTRICHT (HOLLANDË)

As që mund ta besoja se mundja ta pija kafen e mëngjesit në një tjetër shtet, që ndodhej 45 minuta large qytetit ku punonte im bir dhe ku mund të veje kur të doje, pa qenë nevoja të bëje formalitete e të “kapërceje” edhe trarin kufitar! E kjo mrekulli do të ndodhte nga Gjermania në Hollandë, nga Dureni në Maastricht, që ishin një “vrap pele” larg njëri- tjetrit e që administroheshin nga dy shtete fqinjë që e kishin gjetur prej kohësh gjuhën e komunikimit me njëri- tjetrin e bashkëjetonin në paqe të qëndrueshme, me një rrugë të vetme që i bashkonte, përmes gjelbërimit të hatashëm, kur edhe pemët dekorative anash rrugëve, mbushen me lule, ende pa plasur gjethet e tyre! Ndërkohë që unë kërkoja me sy se ku ndodheshin edhe ullinjtë që më kishin “mbirë në tru”, nga ajo kënga e hershme romantike që këndohej dikur, në rininë time, për Hollandën: “vëndin e ullinjëve”! Dhe në Sheshin Qëndror të qytetit nordik, ku vajta i impresionuar së tepërmi, kur digjte dielli fare në afërsi e unë i veshur me xhup aq trashë, me parandjenjën se atje do të gjeja shtresat e dëborës njëra mbi tjetrën, mezi do të gjeja një tryezë për të pirë kafenë, midis një mizërie njerëzish të ngeshëm që kishin mbushur të gjitha lokalet përballë kishës së vjetër katolike (Vrijkhof) të  vitit 1736,- isha i detyruar që të hiqja jo vetëm xhupin, po ku edhe fanellën e dimërit, kur dimëri as që dukej e as që shëmbëllente si i tillë! E njëta gjë do të ndodhte edhe kur do të hanim aty edhe drekën e mezi do të gjenim një tryezë të lirë, në rrugicën e ngushtë “Platielstraats”, tek Pizzeria italiane TIVOLI. Afro dy orë larg Amstredamit mahnitës, kryeqytetit përrallot të luleve,-edhe ai buzë lumit Rin, që derdhet në Detin e Veriut, pasi ka begatuar me hijeshinë e tij edhe disa shtete të Europës…
Duren, Gjermani, 20.04.2022.
Please follow and like us: