Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Asdreni në 150-vjetorin e lindjes

 Foto Marubi: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Asdreni dhe Lasgush Poradeci

 

Asdreni (1872-1947), mbetet një ndër personalitetet e shquara në panteonin e letrave shqipe. Portretin e tij do ta skaliste plot nderim në vargje Lasgushi, kur do të shkruante për të:

Burr` i urtë-e i veçuar…

Pate shkruar e punuar

Kombin për t`a kombësuar,

Shqipen për t`a shqipëzuar.

Poezia, ku Asdreni edhe spikati me krijimtarinë e tij, kryesisht te 3 përmbledhje të botuara (“Rreze dielli”, “Endra e lotë, “Psallme murgu” dhe e fundit “Këmbana e Krujës” –  mbetur në dorëshkrim dhe e botuar më 1991), dallon për variacione tematike, por dhe stilistike, nga libri në libër.

Qysh me botimin e librit të parë, “Rreze dielli” (1904), Faik Konica, i njohur si mjaft i kursyer në vlerësime, do të shkruante te revista që drejtonte “Albania”, se gjuha e Asdrenit, është e qëruar, e kulluar dhe se ky libër i parë i tij, prezantohet plot me vlerë letrare dhe është nga të paktët libra që meritojnë të jenë në libratore (librari) të çdo shqiptari e të huaji.

Vlerësime pati edhe nga E. Çabej, te teksti i historisë së letërsisë shqipe, të cilin ai e hartoi për shkollat e mesme të kohës (1936), ku e veçonte Asdrenin, si poetin lirik – që rron në artin dhe për artin e tij. Vedat Kokona, si një nga autorët e botimit të njohur dy vëllimësh “Shkrimtarët shqiptarë” (hartuar nën drejtimin e E. Koliqit), vepër në formatin e një historie akademike të letërsisë shqipe, theksonte dhe çmonte, sidomos te libri më i fundit, “Psallme murgu”, se poeti krijon këtu një raport të ri me botën dhe, me tendencë, heroin e vet lirik e koncepton si një pikë uji mes oqeanit, ku ai endet si duke kërkuar, që të zgjidhë misterin e shpirtit e të frymës – nëpër shtjellat e travajeve egzistenciale. Edhe M. Kuteli, te një shkrim i tij te “Revista letrare” (1944), arrin që të vrejë një rrymë të re, që kjo vepër sjell në poezinë shqipe: pikërisht modelin poetik meditativ, refleksiv. Nën një petk të jashtëm religjioz, në fakt, këtu përthyhen rrethanat dhe gjendjet e vështira të njeriut – në raportet e tij vetmitare e vazhdimisht ballafaquese e përsiatëse me ato situata të vështira dhe hera herës edhe ekstreme.

Pra, kemi pjekurinë e poetit, nën ndikimin edhe të lëvizjeve letrare moderne, që qarkullonin aso kohe në letërsinë rumune, të cilën, ai e njihte mjaft mirë. Një frymë estetizante, prirjet për nga simbolizmi, të ashtuquajturat kujdesjet e tepruara për formën, qëndisjet stilistike, këto dukuri e prirje të reja, paradoksalisht u kritikuar viteve më parë, si ndikime formaliste e dekadente. Por që në fakt, ato dëshmonin orientimin e tij tashmë më të stabilizuar e më të pjekur, ndaj artit të njëmendët. Fryma dhe dekori stilistik i poezisë së Asdrenit, mbartin kështu kapërximin e suksesshëm estetik dhe tematik – nga traditat rilindase, drejt prirjeve moderne në poezinë shqipe. Pra, ai është krijuesi kërkues, që sillte një vlerë të shtuar me artin e vet poetik, krahas atij të mëparshmit, ku dihet se lirika patriotike, do të zinte aso kohe vendin parësor dhe kjo ishte e motivuar, në kontekstet historike të Shqipërisë së atyre viteve, kur në plan të parë, dilte kauza e pavarësisë kombëtare.

Por duhet theksuar se vlera e këtij personaliteti, pra Asdrenit, do të mbetej në nivele të larta të nderimit prej brezave, sikur edhe vetëm prej njerit të këtyre tre kontributeve të tjera të tij, krahas kontributit të njohur në letërsi. Dhe më konkretisht, këto kontribute janë:

Së pari, ai është autori i tekstit të Himnit tonë kombëtar, që mbetet kryekënga e flamurit kuq e zi, simbol i shenjtë krenarie dhe identiteti kombëtar, i cili, vazhdon që të frymëzojë fuqishëm në çdo kohë, kudo ku ka shqiptarë. Asdreni, pati frymëzimin e bekuar, që ta skaliste në çastin e duhur dhe për momentin e duhur. Ishte pikërisht ky himn, që e çeli siparin e vet, mu në agimin e shtetit shqiptar (1912), në çastin historik të shpalljes së Pavarësisë dhe që vazhdoi të mbetej një simbol i pakonkurueshëm i vetëdijes kombëtare.

Së dyti, Asdreni, luajti një rol parësor në koloninë shqiptare të Rumanisë, ku për shumë vite, ishte edhe drejtuesi i saj. Ajo shoqatë emigrantësh shqiptarë, ishte një kudhër e palestër edukimi, ku u përgatitën një radhë patriotësh e veprimtarësh të shquar, nga ata që do të merrnin përsipër misione atdhetarizmi dhe do të ishin protagonistët aktivë të lëvizjeve kryengritëse çlirimtare, pastaj të ngritjes së shtetit të ri shqiptar, të arsimit e mbarë kulturës.

Së treti, Asdreni do të ishte miku i afërt, udhëheqësi shpirtëror dhe mecenati i yllit në ngjitje, lirikut të shquar, Lasgush Poradecit. Ka një marrëdhënie vëllazërie poetësh mes të dyve, ku përkujdesja e Asdrenit, pothuaj 30 vjet më i madh, shfaq jo vetëm dimensionin e lartë njerëzor, por edhe intuitën e pagabueshme se te Lasgushi, qysh në rininë e tij të hershme, do të dallonte pritshmërinë dhe lajmin e poetit të madh, që po i vinte Shqipërisë.

Mes tyre, Asdrenit e Lasgushit, ka edhe një letërkëmbim të dendur, sigurisht me mjaft interes për lexuesit e studiuesit, për të njohur e për të kuptuar një mori ngjarjesh e rrethanash, nëpër të cilat endej jeta dhe aktiviteti i tyre letrar dhe përtej letrar.

Me këtë rast, po veçojmë një letër të Lasgushit, student aso kohe, të nisur  nga Graci më 13 shkurt 1926 për Asdrenin, që jetonte në Bukuresht. Në mënyrë te veçantë, poeti i ri gjen rastin që t`i kujtojë mikut e sivëllait të tij shpirtëror plot mirënjohje, gjithëshka që ai kishte bërë pa u kursyer e pa kushte për të. Dhe i kërkon me mirësjellje: a më jep leje tani të të kujtoj disa gjëra përmbi gjendjen teme? A do që të ndiesh një kënaqje të lehtë në fundin e zemrës, duke dëgjuar nga zëri i të tjerëve muzikën e bukur të veprës sate të shkruar mirëberëse?

Le t`i marrim me radhë, i kujton Lasgushi dhe i rendit: më rekomandove në shtëpi shqiptarësh për të dhënë mësime private, që të siguroja disa fitime; më ndive shumë herë me hua personale; bëre të mundur që të më jepet nga arka e Kolonisë së Bukureshtit një ndihmë e përmuajshme prej 500 lei për më tepër se një mot; rrëfeve aktivitet që të emërohem sekretar i Komitetit të Shoqërisë; më dhe një odë ku të fle; më jepje të redaktoja prokura (të cilat mund t`i bëje dhe vet), që unë të nxirrja ndonjë dyçkë, në favorin e barkut tim të bërë plloç nga sëmundja dhe e pangrëna. Dhe i rikujton se me këto përkujdesje  ndaj një studenti të ri e të varfër “…ma ke ngritur (pra, ngjallur) shpirtin e zi dhe m`i ke ndërtuar (pra, shëruar) kockat e trupit tim të tretur nga skamja”. Dhe shton më tej se: “ndihmat e tua të panumurta morale dhe materiale reprezantonin me të vërtetë vlerën e një harmonije, gjer atëhere të padëgjuar për veshin tim”.

Pra, jo vetëm përmes poezisë që i dha lexuesit po se po, por edhe vetëm përmes njerit prej këtyre tre kontributeve të tij: si autor i himnit kombëtar, si kryetar për shumë vite i Kolonisë famëmadhe të shqiptarëve të Rumanisë, si mik i afërt dhe ndihmues pa kushte i një talenti të madh si Lasgushi, do të mjaftonte që Asdreni të mbetej një emër i ndritur. Por ja që ai, në fakt, i zotëroi me sukses tërë këto hapësira të vyera të talentit të tij të spikatur poetik dhe të aktivitetit të paepur patriotik e shfaqjes së vyrtuteve të larta njerëzore.

Siç e vlerësonte Lasgushi, te personaliteti i Asdrenit, përmblidhet një manifestim kombëtar, prandaj edhe nuk do të harrohet dot asnjëherë. “Sepse Vjershëtori, sikundër shkruante ai për të, nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”.

Dhe Asdreni, vazhdon që ta ketë privilegjin e mbajtjes gjallë në kujtesën e popullit të vet, të cilit, iu përkushtua si rrallë kush – me gjithçka.

Please follow and like us: