Nikola Gruevski dënohet me 7 vjet burg
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, është dënuar nga Gjykata e Shkupit me shtatë vjet burg.
Gruevski akuzohet se ka përvetësuar 1.3 milionë euro nga partia që ai drejtonte për të blerë tokë për të bërë ndërtime. Ai u arratis në Hungari në nëntor 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me dy vjet burg në një gjyq të dytë dhe menjëherë iu dha azil politik në Budapest.
Gjykata i konfiskoi pronën Gruevskit. Bëhet fjalë për banesa dhe parcela në Vodno. Në konfiskim përfshihen tre banesat luksoze në “Panorama Residence”, si dhe dy banesa në rrugën Bihaqka.
Nga konfiskimi janë përjashtuar pronat në pronësi të nënës së Gruevskit. Prokurorja Lile Stefanova tha se sipas vlerës së tregut, pasuria e konfiskuar e të gjithë të dënuarve kap vlerën e rreth 3 milionë eurove.
Megjithatë, Stefanova nuk u mjaftua me masën e dënimit të Gruevskit dhe Mijalkovit dhe paralajmëroi ankesë. Ankesë paralajmëroi edhe mbrojtja. Avokati i Mijallkovit thotë se ndaj tij nuk ka pasur prova, e as nuk i është konfiskuar pasuria në “Parcelat në Vodno”.
“Neve nuk na pëlqeu dënimi i shqiptuar që është më i ashpër nga ato që kanë bërë larjen e parave, ndërsa ndihmësi, kinse, gjatë larjes së parave është dënuar më ashpër sesa ata që e kanë kryer veprën penale”, tha Zvonko Davidoviq, avokat i Mijalkovit.
Sipas aktgjykimit, paratë nga anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, që janë paguar në emër të partisë, kanë përfunduar te Gruevski. Me ato para, përmes Belizes, Gruevski ka blerë prona në Shkup, dhe ka fshehur pronësinë. Bëhet fjalë për pronë prej 1.3 milionë euro./Alsat