Albspirit

Media/News/Publishing

Entela BINJAKU: KY ËSHTË LIBRI “DIXIT. 2”

Parathënia e një libri është si një ftesë, që autori ua drejton lexuesve për tu bërë pjesë e një përvoje. Si e tillë ajo duhet të synojë të bashkojë shumë mëndje duke qenë njëherazi bindëse, e guximëshme, larg mono-tones dhe e shprehjeve klishe. Parë në këtë mënyrë, parathënia e një libri merr tjetër peshë, tashmë është përgjegjësia për ta afruar lexuesin me një punë të madhe dhe të kryer me pasion e kureshtje intelektuale. Botimi me titull “DIXIT.2” është pikërisht ky rasti ku autori, përmbajtja, vlera dokumentuese dhe historike, si dhe rrëfimi mbështillen në një. “Shkruaje sipas shpirtit tënd dhe lexoje sipas shpirtrave të tjerëve”, thoshte Nikolae Jorga, një personalitet rumun i historisë me rol të rëndësishëm në fillesat e shtetit shqiptar dhe ngjarjeve të viteve të para pas Pavarësisë, pikërisht aty ku mbyllen edhe 305 faqet e këtij botimi. Autori Lutfi Alia të befason me kërshërinë e tij prej historiani dhe me kujdesin për të mbledhur e për të rrëfyer një seri kronikash historike nga sa më shumë burime, që të ndihmojnë të krijosh edhe një përfytyrim sa më pranë atyre që përshkruan. Ky libër erdhi disa vite pas dy përmbledhjeve të mëparëshme me të njëjtin titull në latinisht “DIXIT. 1” dhe “DIXIT. 3”, me kuptimin në shqip “kam diçka për t’iu rrëfyer”. Në qëndër sërish zhvillimet historike të shoqërisë shqiptare, si një shqetësim dhe nevojë për më shumë dritë. Kjo sprovë e këtij cikli kronikash historike, është një dokumentim i kujdesshëm i fakteve historike mbi popullin tonë dhe të kaluarën e tij, e shtrirë në kohë si një zinxhir i pandërprerë përpjekjesh për ekzistencë, njohje vlerash dhe sakrificash për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar. Kjo përmbledhje skrupoloze e të dhënave dhe dokumenteve historike, vjen në duart e lexuesve pas një pune plot vullnet dhe kurajo, e detajuar dhe e shtjelluar, duke u mbështetur në dokumenta arkivore.
Në këto kohë të vështira, ku në sprovë vihen durimi, disiplina, këmbëngulja dhe kurajoja intelektuale për të zbuluar të kaluarën tonë, autori Lufti Alia dëshmon për lexuesit e tij, se është një personalitet i padiskutueshëm. Ky korpus kronikash historike, që autori na ka dhuruar në këtë përmbledhje, është dëshmia e një rrëfimi të gjatë, që nis me lindjen e shteteve ilire, vazhdon me ngjarje kyçe të historisë arbërore të mesjetës dhe mbyllet me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
“DIXIT. 2” që na prezantohet në fillimet e vitit 2022, vjen jo vetëm si ftesë për një përvojë të përbashkët në kundrimin me krenari të së kaluarës, por edhe si ftesë për më shumë besim tek virtytet dhe vlerat, të cilat janë në themelet e shoqërisë shqiptare: te rezistenca dhe kurajua për ndërtimin e së ardhmes!
Në një vit ku kryefjala është kriza e përgjithëshme e provokuar nga pandemia e Covid-19, lindja e një libri studimor është besimi te puna kërkimore dhe respekti për ata që i përkushtohen me durim dhe pa kompromise. Ky është DIXIT. 2, vepër e personalitetit, e autorit humanist dhe i patriotit Lutfi Alia!
Please follow and like us: