Irma Kurti: I LODHUR NGA YJET
Ti s’i deshifroje vështrimet e mia,
s’mund të doje askënd veç vetes.
Në unin tënd prej njeriu të bukur
s’kishte vend për asnjeri tjetër.
Ti synoje pareshtur maja të larta,
vajza të reja, të bukura sa s’ka.
Sigurisht, me veten tënde pyesje
si ngece tek unë padashur, vallë?
S’di si të ngjaja në tymin e duhanit.
Me siguri e mjegullt, pa asnjë vlerë.
Fjollat më mbulonin çdo çast fytyrën,
për ty e padukshme isha ngaherë.
Ti ishe i forti dhe unë e dobëta,
flisja, emocioni s’më linte të qetë,
pasionin mundohesha ta fshihja
siç shuhet zjarri që gjithçka djeg.
Atëherë m’u desh të shkelja veten,
mbushur plot me boshllëkun tënd.
Ika prej teje, ti mbete i dashuruar
me femrat-fantazma në internet.
Ditët rrodhën, ti u ktheve tek unë
i penduar, konfuz, jo si më parë.
Më dërgon ftesa, përgjërohesh
të rinisim çka përgjysmë e lamë.
Pasionit tim i ka mbetur veç hiri,
s’kam shtysë të hedh dhe një hap.
Unë jam e forta. Nga kërkimi i yjeve
je lodhur tashmë, vetmia po të plak.
Marrë nga libri “Puthja e fundit”, Botimet Dudaj, 2007.