Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Një statujë e princ Vidit, si respekt për historinë e shtetit

 

Princi gjerman Vilhelm Vid, kryetari i parë shtetit shqiptar në vitin 1914, nuk ka asnjë statujë në Shqipëri. Në Greqi ka statujë mbreti i parë gjerman Oto I. Në Rumani ka statujë mbreti i parë gjerman Karoli I. Në Bullgari kanë statuja mbreti i parë dhe i dytë gjerman Aleksandri I dhe Ferdinandi I. Të tre shtetet e mësipërme ballkanike janë regjime republikane dhe dy prej tyre janë shtete ish- komuniste si Shqipëria. Shtetet e tjera respektojnë historinë e shtetit të tyre, ku mbretërit e parë gjermanë të shteteve të pavarura ia caktuan fuqitë e mëdha.

Princ Vidi u caktua nga fuqitë e mëdha të udhëheqë Shqipërinë dhe Shqipëria e drejtuar prej tij u njoh për herë të parë ndërkombëtarisht si shtet i pavarur nga shtetet e tjera. Pra përfaqëson një fazë të rëndësishme të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë të ri. Qeveria e babait të pavarësisë, Ismail Qemali, megjithë kontributin e tij të pazëvëndësueshëm historik, nuk u njoh as nga fuqitë e mëdha dhe as nga ndonjë shtet i huaj.

Një statujë e princ Vidit meriton të vendoset në kryeytetin e Shqipërisë në Tiranë ose në kryeqytetin e atëhershëm të Shqipërisë në Durrës, ku dhe ishte selia e qeverisë së Vidit. Një objekt i tillë do të pasuronte curriculumin historik dhe turistik të Shqipërisë në sytë e të huajve.

E keqja e parë e historiografisë sonë të realizmit socialist është se i ka gjykuar personalitetet historike me syzet e udhëheqësit politik të rradhës. E keqja e dytë është se i ka gjykuar personalitetet historike sipas kriterit idiot nëse i ka sharë apo i ka lavdëruar ndonjë bashkëkohës i njohur me emocionin e tij personal. Ky është një kriter tepër dëmprurës për të vertetën historike dhe ka futur në sirtaret e harrimit shumë personalitete dhe kontribute historike shqiptare. Po ta gjykonim sot Stalinin me ditirambet, që i kanë thurur gjysma e shkrimtarëve të shquar të Europës, ai duhet të ishte president i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të kishte monumente në sheshet e gjithë kryeqyteteve europiane. Ose po të dëgjonim ato që ka shkruar Faik Konica për Ismail Qemalin, themeluesi i shtetit nuk do të kishte nderimin që e meriton.

Nuk ka asnjë logjikë shtetërore dhe historike, që ka monument koloneli Tomson, i cili është një nga arkitektët e Protokollit famëkeq të Korfuzit, që sanksiononte projektin grek të të ashtuquajturit “Vorio Epir” për aneksimin grek të Shqipërisë së Jugut, dhe nuk ka princ Vidi, qeveria e të cilit nuk e ratifikoi kurrë atë marrëveshje antishqiptare. Nuk mjafton të fitosh vlerë dhe mirënjohje historike, duke u bazuar në faktin se në varrimin e këtij apo atij kanë folur dy apo tre emra të bashkëkohësve të njohur.

Ngritja e një statuje në respekt të kryetarit të parë të shtetit shqiptar, princit gjerman Vid, nuk ka lidhje as me bindjet monarkiste dhe as me bindjet republikane. Duhet respektuar historia e shtetit shqiptar dhe ai pati staturën përfaqësuese, qoftë dhe të shkurtër të një kryetari të ligjshëm shteti, që e njohën fuqitë e mëdha. Princ Vidi ishte monark i vërtetë gjerman dhe askush në Europë nuk e quajti “mbret operetash”.   E keqja e tretë e madhe e historiografisë dhe e qeverive shqiptare është se shpesh gjykimin ndaj personaliteteve tona historike e kanë diktuar fqinjët tanë, që kanë synuar të mbulojnë me harrim personalitetet, që kundërshtuan aneksimin nga fqinjët të territoreve shqiptare. Është në turpin e gjitha qeverive shqiptare të tranzicionit, të cilat të influencuara nga Athina, nuk e ringritën gjatë 30 viteve në mes të Tiranës, aty ku ishte para Luftës së Dytë Botërore, statujën e gjeneral Telinit, një hero që e vranë grekët, sepse mbronte kufijtë dhe interesat e shtetit shqiptar. Tragjizmi shqiptar është që i ngrejnë buste atij, që i shiti kufijtë e Jugut të Shqipërisë, dhe nuk i ngrejnë buste atij, që dha jetën për kufijtë e Jugut të Shqipërisë.

Historiografia shqiptare duhet të heqë dorë nga jakobinizmi i saj dhe politika qeveritare duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në hartimin e historisë së shtetit shqiptar dhe në vlerësimin e personaliteteve historike. Sidomos duhet të marrë fund situata e ndikimit të shteteve fqinjë në shkrimin e historisë shqiptare. Shqipëria duhet të fitojë pavarësinë në përcaktimin e sistemit të saj të vlerave historike./gazeta dita

Please follow and like us: