Skënder SHERIFI: Ftesë për lexim të librit tim ‘LOVE SONGS 2”
Ashtu siç e nënkupton vetë titulli i këtij libri, “Love Songs 2”, këtu e keni vazhdimësinë kronologjike të veprës së mëparshme “Love Songs“. Domethënë në aspektin konkret, siç ua kam pas shpjeguar që në fillim: ka kohë që e kam përfunduar në të gjitha aspektet librin tim në gjuhën frënge me të njëjtin titull: “Love Songs“, i cili i ofron publikut francez e frankofon, 500 tekste origjinale, poetike, sentimentale, të cilët i janë destinuar sipas dëshirës dhe objektivit tim kryesor “Këngës së lehtë argëtuese frankofone“…
Pra ishte kontributi im si poet frankofon (edhe pse jam shqiptar n’esencë, por jam po ashtu edhe frankofon, pa asnjë dyshim) për këngën dhe muzikën franceze dhe më globalisht këngën frankofone nëpër botë.
Libri francez është 680 faqe dhe janë pesë vite punë krijuese. Mirëpo akoma nuk e kam gjetur një mundësi për ta botuar, ngaqë i takon estetikisht zhanrit “poezi”, i cili ngelet tepër margjinal në letërsi, kështu që botimet e këtyre lloj veprash, janë më tepër një mecenat, një gjest respekti dhe mirësie, sepse e kanë realisht një kosto financiare, në realitet me humbje, kështu që kërkojnë sponsor. Mirëpo dikur, herët apo vonë e di që do ta botoj!
Është diçka parimore për mua dhe zakonisht ia arrij qëllimeve të mia letrare. Pos asaj, nuk është çfarëdo vepre e rëndomtë, që sillet rreth mesatares. Për mua është një thesar eksepsional që ia ofroj muzikës dhe këngës frankofone, sepse ia kam një borxh moral gjithë botës franceze e cila më ka dashur, respektuar dhe formuar intelektualisht dhe artistikisht. Dhe ambicia ime, ishte për t’ua lënë në trashëgimi, këto 500 tekste, duke e pasur parasysh, që t’i afrohemi nivelit të ashtu quajtur, “La chanson poétique d’auteur française – ose kënga poetike e autorëve francez … nënkuptohet që janë madhorë dhe referencial, nëse flitet për origjinalitetin dhe kualitetin“ dhe unë personalisht, desha që të jem pjesë e kësaj familje perms këtij libri në frëngjisht.
Që ta kam për bazë: mikun tim Léo Ferré, ose Jean Ferrat, Georges Brassens, Jacques Brel, Claude Nougaro, Charles Trenet, këngëtarët fantastikë Barbara, Charles Aznavour, Serge Lama, Alain Bashung, Benjamin Biolay… etj.! Kurse te këngëtarët anglo-sakson, në këtë rang e kemi Bob Dylan-in dhe Leonard Cohen-in.
Prandaj, me qenë se muzika më ka përcjellë gjithë jetën, si ushqim apo frymëzim themelor, gati baras me filmin, i thashë dikur vetes, “provon, o Malësor, pasi që në thelb, je poet i lirisë të lirë, që të jesh edhe ti, deri diku në nivelin e tyre, me tekste origjinale, poetike, që kanë një përmbajtje mjaft të pasur në aspektin ideor, emocional e vizual … tekste që ia vlejnë për t’i lexuar si poezi, por edhe më tepër për t’i kënduar dhe adaptuar në muzikë”. Tani siç e kam shkruar më parë, me qenë se jam shqiptar dhe bashkatdhetari juaj nga diaspora, ishte po ashtu krejt normale për mua, që t’ia bëj të njëjtën nder, në nivel të duhur edhe këngës të lehtë argëtuese shqiptare. Që t’iu propozoj diçka konkrete përmes këtij kontributi origjinal dhe interesant, për ta pasuruar thesarin e këngës tonë shqiptare. Dhe kështu vitin e kaluar, ua propozova librin në gjuhën shqipe “LOVE SONGS“ për ta ngritur, aq sa është e mundur, nivelin e këngës shqiptare, kudo që të jetë. Në atë vepër, ua kam pas adaptuar lirisht në shqip, siç veproj unë, d.m.th. gati rikrijuar, vetëm 100 tekstet e para të librit francez … (teksti 1 deri në 100), duke tentuar për ta ruajtur sa më shumë origjinalitetin dhe lirinë e tyre magjike, por brenda një brumi, mund të themi, pak më shqiptar.
Ideja ime ishte e thjeshtë: që ai që do i lexon këto tekste në shqip, që ta ketë përshtypjen që janë të shkruara direkt në shqip e jo vetëm të përkthyera teknikisht nga frëngjishtja.
E si përfundim, vepra e re me të njëjtin titull “LOVE SONGS 2“ e vazhdon qëllimin e librit të mëparshëm. Pra, konkretisht i keni edhe 100 tekste të tjera, në gjuhën shqipe, që vijnë nga libri francez akoma i pabotuar. E kam ndjekur të njëjtin rend kronologjik, nga teksti 101 deri në 200. Tani edhe me këtë volum të dytë të librit, do i keni në dispozicion gjithsejt 200 tekste origjinale e poetike për ta pasuruar gjithë këngën shqiptare (çka është 40 përqind e veprës franceze e cila siç e përmenda i ka 500 tekste). Mund të lexohen këto tekste për qejf, si çfarëdo vepre e një poeti të madh shqiptar, apo botëror, duke e marrë librin vetëm në prizmin puro letrar.
Mirëpo siç e kam deklaruar që në fillim, objektivi im më këto dy vepra (Love Songs 1 dhe 2) është që disa prej këtyre teksteve të adaptohen në muzikë dhe të këndohen. Është një dhuratë madhore, që ia bëj gjithë këngës dhe muzikës shqiptare në tërësi, kështu që shpresoj që do të ketë interes nga këngëtarët dhe kompozitorët tonë për këtë vepër.
Bruksel, më 20 korrik 2021.