Ismail Kadare: Arti si mëkat
1.
Nga vijnë këto koka? Të ç’vendi janë, të ç’kohe?
Duke bërë këto pyetje Jacques Lacarriére, njohës i shquar i antikitetit, i Perëndimit e i Lindjes, ka bërë, në të vërtetë, pyetjen e gjithë atyre që gjenden për herë të parë përpara pikturave të Omer Kaleshit.
Një çast të duket se të kujtojnë fytyrat e ashpra të Caravaggio-s, pastaj ato të Goya-s, gjersa heq dorë prej kërkimit, për të bërë prapë pyetjen e parë. E, meqenëse nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje aty për aty, pyetja përsëritet, këtë herë për krijuesin e tyre, Omer Kaleshin. Nga vjen ky piktor, i ç’vendi është, i ç’kohe?
Emrit të tij turk Omer, i mungon vetëm H-ja, për t’u bërë i njëjtë me emrin e poetit të madh grek. Kur njihesh edhe më afër me piktorin një gjë e tillë të duket sikur s’është rastësi. Omer Kaleshi është piktor turk e ballkanas, njëkohësisht. Ka kryer studimet në Akademinë e Pikturës në Stamboll, por rininë e ka kaluar atje ku ka lindur, në token e shqetësuar të gadishullit më aventurier të Europës. Ai është nga ajo zonë e botës, ngjarjet tronditëse të së cilës zotëruan ekranet e TV-it botëror në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit.
Një zjarr i rënë në hambaret dhe stallën ngjitur me shtëpinë e tij, kujtim i shqetësuar i fëminisë, i ka lënë mbresë të thellë. Ishte një zjarr kriminel, i vënë për arsye urrejtjeje e hakmarrjeje, ndaj i është dukur edhe më i tmerrshëm. Dele dhe buaj digjeshin. Më vonë, kur urrejtja të bëhej edhe më e fortë, do të digjeshin njerëz. “Ka vite që punoj mbi këtë dramë”, thotë Omer Kaleshi.
Në ngrehën e jetës së tij gjendet e gërshetuar një pjesë e nyjës ballkanase. Omer Kaleshi e ka të atin shqiptar dhe nënën maqedonase. Ndërkaq, piktura e tij është krijuar kryesisht në Turqi dhe në Francë. Përkatësia etnike, gjëja më e natyrshme në botë, në Ballkan merr ngjyrime tragjike, sidomos vitet e fundit. Një kapitull i veçantë i dramës ka lidhje me njerëzit që i kanë prindërit të kombësive të ndryshme, disa herë në armiqësi me njëra-tjetrën.
Në tragjeditë greke bëhet pyetja se cila zanafillë është kryesore: e atit apo e mëmës, ato që te shqiptarët quhen “lisi i gjakut” dhe “lisi i tamblit” (qumështit). Omer Kaleshi ka tmerr nga kjo ndarje. Ndoshta, për t’iu larguar këtij tmerri, për të mos qenë i detyruar të zgjedhë midis gjakut dhe qumështit, ai ka emigruar në Turqi, për t’u bërë piktor turk. Më pas, gjithmonë në kërkim të një harmonie botërore, ku Turqia dhe Ballkani të fqinjërojnë natyrshëm, ai është vendosur në Francë.
Në bulevardin “Arago”, banesa-atelie e tij është në katin e gjashtë. Meqenëse është në katin e fundit, një pjesë e qiellzanës së pjerrët është prej qelqi, kështu që sipër kokës ka vetëm qiellin.
Por as nga qielli nuk vjen gjithmonë qetësi. Dhe kjo ndihet qartë kur shikon pikturat e tij. Pesha e tokës është e rëndë, nganjëherë e padurueshme.
Pyetja: nga vijnë këto koka, të ç’vendi janë, tani mund të marrë njëfarë përgjigjeje. Këta njerëz, këto koka, që në përsëritjen e tyre kanë diçka nga turmat biblike që lëvizin, nga vargjet e të mërguarve me po ato fytyra të njëjtësuara nga brenga, është vështirë të përcaktosh se ç’populli i përkasin. Është, ndoshta, tmerri i vjetër prej përkatësisë etnike, që e ka bërë piktorin të vijë te ky vision parak. Këta njerëz, këto koka janë banorë të Anadollit po aq sa të luginave ballkanase, ata janë turq, shqiptarë, maqedonas, epirotë, hebrenj, trojanë, babilonas, pellazgë.
Por, ndërsa është e vështirë t’u gjendet kombë-sia, është lehtë të merret vesh se me se merren. Janë kryesisht barinj dhe dervishë. Ka një harmoni kundërthënëse midis shfaqjes së ngrirë të tyre dhe thelbit të fshehur. Midis luzmës njerëzore barinjtë dhe dervishët bëjnë pjesë ndër ata që ndodhen në lëvizje të paprerë. E në pëlhurat e Kaleshit ne i shohim si të zënë në kurth. Është një palëvizshmëri, që të kujton thënien e vjetër shqiptare: ngriu si ujku në vetëtimë. (Vetëm popujt malësorë mund të kenë vërejtur një çast kaq të rrallë: hutimin e ujkut prej dritës së vetëtimës.)
Bariu dhe dervishi janë dy gjedhe, dy modele njerëzore, sa të moçme, aq edhe të ngarkuara me simbolikë. Bariu është prijës i një grigje, është i vetmuar, i ndarë nga njerëzit, pra, i damun (demon). Ai është i largët, mungues, i pafjalë. Dervishi duket si e kundërta e tij, kur mendojmë se nuk merret as me dele, as me qumësht, as me lesh, që janë baza e të jetuarit, por ngjan me bariun, ngaqë si ai është endacak, i vetmuar e i largët. Bariu lëviz i shtyrë nga lënda, nga qëllimi jetësor. Dervishi zhvendoset i shtyrë nga mistika, rrallë nga shërbime të fshehta, që s’i di askush. E megjithatë, të dy ngjajnë njëlloj të pakuptueshëm: si ai që ruan ushqimin njerëzor, si tjetri që nuk parashtron veç ëndrra e ngandonjëherë valle të frikshme.
2.
Pëlhurat e Omer Kaleshit janë të mbushura me një si popull të veçantë, që nuk ekziston gjëkund në botë. Sepse askund nuk mund të ketë pasur një popull që të përbëhej vetëm prej barinjsh e prej dervishësh. Ashtu siç bëhet pyetja: nga vijnë këta njerëz? Po ashtu mund të vazhdohet me pyetjen: ku janë të tjerët? Përse nuk i shohim ushtarët, nëpunësit, bujqit, kokëprerësit, zonjat, zotërinjtë, shërbëtorët, aventurierët etj., etj.?
Kjo pyetje e dytë, që mund të duket fare e pavend në një rast tjetër, përligjet për Omer Kaleshin. Nga pëlhura e tij del një vision global. Tablotë e tij kërkojnë të japin fytyrën e një popullsie që mbush një hapësirë të gjerë. Ndaj pyetja, qoftë edhe e gabuar, është e përligjur.
Hapësira nga ka dalë ky shqetësim, kjo seri kokash që të kujton vizionin shekspirian të serisë së kokave që ndjellin magjistricat te “Makbethi”, është tepër e shtrirë. Disa perandori janë ngritur, për t’u shkatërruar pastaj në këtë hapësirë. Perandoria romake, bizantine, otomane, në fund, bishti i perandorisë komuniste. Pas çdo rrënimi, hijet e gërmadhave të secilës zinin vend në ngrehën e asaj që vinte.
Ishte e njëjta hapësirë ku më parë kishin ndodhur aventura të mëdha të mendjes njerëzore. Egjiptianët kishin shpikur botën e përtejme, domethënë ferrin, asyrobabilonasit kishin shpikur shkrimin dhe grekët e vjetër lirinë e mendimit. Në këtë hapësirë kishin lindur tri qytetërimet dhe besimet e mëdha: judaizmi, krishterimi dhe islami. Kishin përvetësuar shpikjet egjiptiane dhe asyro-babilonase, por ishin përpjekur ta mposhtnin antikitetin grek. Veç luftërave me armë dhe me ide, u bënë ndeshje të tjera, që, në pamje të parë, dukeshin groteske e pa kuptim, por që vazhdonin nganjëherë një mijë vjet. E tillë ishte ndeshja që lidhej me pikturimin e fytyrës njerëzore.
Pasqyra ku njeriu shikon shëmbëllimin e vet, paskësh qenë, me sa dukej, një shqetësim i madh, sidomos në Perandorinë Bizantine dhe në atë otomane. Pikturimi ose jo i Krishtit dhe i Shën Mërisë, zëvendësimi i tyre me vija simbolike, siç është rasti i kryqit për Krishtin, ikonoklasta që erdhi pas kësaj, ndalimi i çdo fytyre njerëzore në pikturë prej Islamit, të gjitha këto ishin një pjesë e rravgimit kulturor në këto vise.
Si piktor turko-ballkanas, Omer Kaleshi ka qenë i lidhur me kujtimet e Perandorisë Otomane, e cila u tërhoq nga gadishulli në fillim të këtij shekulli. Për çudi, në letërsinë dhe artet turke vizioni i perandorisë është përgjithësisht i zbehtë dhe i cekët. Disa e shpjegojnë këtë me një refuzim të shkrimtarëve turq për të pranuar një lidhje me të, shpjegim jo fort bindës. Në letërsinë ballkanase, përkundrazi, tabloja e perandorisë shfaqet më e plotë e më dramatike. Greku Nikos Kazanzaqis, jugosllavi Ivo Andriç, boshnjaku Mesha Selimoviç e shkrimtarë të tjerë rumunë, shqiptarë, bullgarë kanë thurur si në një vegjë të madhe fytyrën e ndërlikuar të këtij shteti kolosal.
Përpara se të vendosej përfundimisht në Gadishullin e madh Europian, të cilit do t’i jepte edhe emrin, Perandoria Osmane kishte luftuar, filtruar e jetuar përbri me perandorinë paraardhëse, bizantinen. Prej saj ajo përvetësoi vizionin shumëkombësh të shtetit të madh, ndërlikimin hierarkik, burokracinë, intrigat diplomatike e, ndoshta, shërbimin e fshehtë. Kam vënë re se, kur bie fjala për Perandorinë Otomane, biseda, zakonisht, rrjedh. Për atë Perandori të gjithë dinë diçka e më së shumti nuk dinë sa ç’duhet. Është pikërisht ky gërshetim i dijes me mosdijen, që e nxit bisedën, më shumë se ç’do të ndodhte, për shembull, nëse ajo do të zhvillohej midis dy njerëzve që dinë shumë, ose dy të tjerëve që nuk dinë asgjë.
Sado e habitshme të duket, me Omer Kaleshin flasim tepër rrallë për ish-shtetin e madh. Nuk besoj se kjo vjen ngaqë ne të dy dimë shumë për të, kështu që druhemi se mos e mërzitim njëri-tjetrin me gjëra të njohura. Në të vërtetë, dimë shumë për të, por ajo që di njëri prej nesh është e ndryshme nga ajo që di tjetri. Ngjan si puna e dy njerëzve që kanë njohuri të ndryshme për hënën, ngaqë secili ka parë njërën faqe të saj, atë që s’e ka parë tjetri.
Më shumë se shkak për të mos folur, kemi këtu të kundërtën: rrezikun e një bisede që vrujon si përrua e ku bashkëfolësit mezi ç’presin rastin për ta ndërprerë shokushokun. Është e vështirë të përfytyrohet një gjë e tillë midis nesh. Në të folurën e kursyer të Omer Kaleshit ka një vuajtje, një pengesë. Në heshtjen e tij, edhe më shumë. Ai ka dy gjuhë në shërbim të tij, shqipen dhe frëngjishten, por pengesa s’është gjuhësore. I përdor të dyja gjuhët shkëlqyeshëm dhe saktësinë e shprehjes e ka të pagabueshme. Kam përshtypjen se pengesa është gjetkë. Ajo lidhet, ndoshta, me një ndjenjë faji. Duket sikur ai ka drojë mos e fyen Turqinë, vendin që i dha strehë pas shpërnguljes së dhimbshme nga Jugosllavia. Nga ana tjetër, ka drojë mos e tradhton zanafillën e tij ballkanase. E ky trazim nuk mbaron me kaq. Ka frikë mos tregohet i padrejtë me gjakun e babait të tij shqiptar. Mos është i padrejtë me qumështin e nënës maqedonase. Ndodhet i vetëm midis emblemave, flamurëve, shenjave heraldike të gdhendura me shpatë ose me art: shqiponjës kërcënuese dykrenore të shqiptarëve, gjysmëhënës së dremitur turke, yllit të Filipit, që maqedonasit duan ta shpallin si kryeshenjë të tyre, zemërimit grek për këtë, çoroditjes europiane që s’di si ta shuajë këtë grindje etj., etj.
Për fat të keq, gjithë këto shenja e vizatime janë ende në një kacafytje e në një gramshalesh të pafund. Kështu që, në pritje të qetësimit të stuhisë, atij s’i mbetet gjë tjetër veç të ngrejë duart për t’u mbrojtur prej saj. E si të mos mjaftojë kjo, më duket se ne të dy kemi rënë padashur në kurth (në një kurth të ngritur nga s’di se kush e s’di se si), duke marrë, jashtë vullnetit tonë, dy role që përfaqësojnë dy palë: njëri ballkanasin ngatërrestar, tjetri otomanin e duruar. Si të tillë ne shprehim, ndoshta, dy të vërteta: ai të andejshmen, unë të këndejmen. Dhe bashkë me to vjen pyetja: a ka megjithatë një të vërtetë të tretë, të vlefshme për të dyja palët?
Një çast më duket se arrij të kap diçka nga ai ndërlikim midis ballkanasve dhe shtetit otoman. Nga ai moskuptim, nga ai kuptim, nga ai flirt, nga ajo mizori, nga ato trumbeta e nga ajo çarturi e pafund.
Ç’ka ndodhur midis Ballkanit dhe Perandorisë? Ç’ka ndodhur midis të dyve dhe Europës? Përse në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit, bashkë me ballkanasit që rrinë kokulur përpara zonjës-nënë të tyre të dikurshme, Europës, duke pritur që ajo t’i pranojë në shtëpinë e vet, ka zënë radhën e po pret të hyjë edhe Turqia, bërthama e Perandorisë së lemerishme Otomane, ajo që ishte betuar mbi Kuran e mbi shpatë se do t’i shembte kulm e themel Europën e krishterë? Ç’ka ndodhur? A mund të shpjegohet? A duhet?
Le të përpiqemi:
Pas gëlltitjes së Bizantit, gëlltitje pas së cilës Perandoria Osmane nuk ishte më ajo që kishte qenë, asaj i doli përpara një det i trazuar popujsh, një lëmsh i vështirë, nga më të vështirët e kësaj bote, qoftë për miqësi, qoftë për armiqësi. Shtriheshin rresht, me gjuhë dhe fytyra të rrezikshme, të ndryshme, heroike dhe groteske, njëkohësisht, befasues, të paparashikueshëm. Ishin, pa dyshim, një ledh mbrojtës i Europës së krishterë, por disa mendje vizionare të Perandorisë e kuptuan shumë shpejt se nga mbrojtës të kontinentit mëmë, mund të shërbenin në sulmin kundër tij. Dhe kështu, ashtu siç kishte bërë më pare me princat bizantinë, Perandoria zhvilloi me princat ballkanas politikën e njohur të fshikullit e të kulaçit. Plagët që hapte shpata e saj pushtuese, rrekej t’i zbuste me postet e nishanet që ua jepte bujarisht. Të rënë kështu në kurth, ballkanasit përjetuan gjatë pesëqind vjetëve një histori kundërthënëse, të cilën ende sot nuk janë në gjendje ose, më saktë, nuk kanë kurajën ta shpjegojnë.
E parë nga një pikëshikim i distancuar, historia e Gadishullit Ballkanik është historia e një gjymtyre të prerë të kontinentit europian. Një mijë e ca vjet më parë, një tjetër gadishull të prerë, atë të Pirenejve, Europa arriti ta rimerrte, me anë të Riconquistës. Me Ballkanin puna është më e ndërlikuar. Nuk është më Europa që rreket për ta rifituar, me shpatë apo me diplomaci. Janë ballkanasit vetë që duan të kthehen, ndërsa Europa mëdyshet.
Te popujt ballkanas e kaukazianë tregojnë legjendën e shqiponjës së zënë rob, e cila arrin t’i shpëtojë robërisë e të kthehet prapë te familja e saj. Mirëpo robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra. Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer.
Popujt ballkanas, pas mungesës së gjatë, qëndrojnë përpara portave të Europës, pa mundur ta fshehin dot shenjën që u ka lënë në trup e në ndërgjegje Perandoria Otomane.
Ata kanë nostalgji për Europën, por bashkë me nostalgjinë ndiejnë nervozizëm e zemërim. Nervozizëm për fajet e tyre, që s’duan t’i pranojnë, zemërim për harresën e gjatë të nënës kontinentale, Europës. Natyrisht, ashtu si çdo shtëpi që kërkon të dijë se ç’ka bërë në mërgimin e tij të gjatë djali plëngprishës që po i troket në portë, edhe Europa ka dashur të dijë se ç’kanë bërë këta popuj në atë mjegull e në atë terr pesëqindvjeçar. Dhe këtu nis një dramë e re: ajo e shpjegimit ose, më saktë, ajo e përçartjes. Sepse më shumë se një shpjegimi të besueshëm, ajo që ballkanasit tregojnë për të kaluarën e tyre, i ngjet një belbëzimi pa kuptim.
Mund të thuhet kështu se as version otoman, sipas të cilit, perandoria i zbuti dhe i kultivoi ballkanasit kokëfortë, e as version i këtyre të fundit, sipas të cilit ata paraqiten si popuj martirë, që veç vringëllonin shpatat kundër pushtuesit, nuk i qëndrojnë së vërtetës. Një version i tretë na e jep atë që ka ndodhur. Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj.
Në shekujt XIX e XX, kur popujt e Ballkanit, njëri pas tjetrit po shkëputeshin nga Perandoria, kur erdhi pra, ora e kujtimeve, secili nga këta popuj nisi të harronte atë pjesë të historisë që quhej “e turpshme”, domethënë bashkëpunimin, dhe të kujtonte veç pjesën “heroike”, atë të rebelimeve. Të mbërthyer kështu pas armiqësisë ndaj njëri-tjetrit, ballkanasit, këta shkretanë të pandreqshëm e armiq të vetvetes, nuk arritën të dëshmojnë asnjëherë epilogun e histories së tyre të gjatë me Perandorinë Osmane. Ky epilog, ky bilanc përfundimtar i ndeshjes, është i çuditshëm e i madh, e megjithatë, ndonëse ka ndodhur në shekullin XX, në prani të të gjithëve, ende qëndron në terr, i pakapur prej syve tanë të verbër.
Epilogu ka të bëjë me pyetjen se a ka pasur një fitues e a ka pasur një humbës në këtë ndeshje pesëqindvjeçare midis Perandorisë Osmane dhe ballkanasve? Përgjigjja e kësaj pyetjeje përbën një paradoks të madh. Në përfundim të këtij rravgimi shekullor, ballkanasit, ndonëse në shumicën e kohës të mundur e të rrëzuar tragjikisht përtokë, pikërisht në kohën kur gongu i mbarimit të dramës po binte, arritën t’i jepnin një goditje fatale Perandorisë së tmerrshme. Goditja ishte e padukshme, e pabujshme, e tillë që s’kuptohej nga vinte, ndaj dhe ishte e madhërishme: Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan.
Ishte vepër e ballkanasve? Pa asnjë dyshim. Pesë shekuj përkitjeje pasionante, një klimë e vazhdueshme zie dhe feste, dashurie dhe urrejtjeje, kur pas goditjes mizore vinte përqafimi, e pas përqafimit goditja, pra pesë shekuj bashkëjetese të tillë, diçka të tillë do të jepnin. Diçka të epërme, befasuese, që qëndronte sipër dekreteve, flamurëve, minareve e kishave. Në dyluftimin me Perandorinë, ballkanasit u dëmtuan vërtet, u shfytyruan, u gjymtuan rëndë, por ndryshimin më të madh e pësoi Perandoria. Ndryshimi ndodhi në thellësi: në frymën e saj. Te qendra e shtetit të tmerrshëm, ëndrra e të cilit kishte qenë shfarosja e Europës së krishterë, lindi papritur ëndrra e kundërt: t’i bashkohet Europës, të kthehet në një rajon të saj.
Vepër e ballkanasve, hakmarrja e tyre e vonuar?
Pa dyshim. Vetëm ballkanasit mund t’ia ngjitnin atë virus. Gjithë ata gjeneralë që morën praktikisht në dorë ushtrinë, ata vezirë që drejtuan shtetin, ata guvernatorë e vezirë të mëdhenj, që komanduan pushtimet e mëdha, ata arkitektë që ndërtuan tempujt, në shumicën e tyre ishin me prejardhje ballkanase. Kishin qenë të krishterë e ishin kthyer në myslimanë, për hir të karrierës. Kështu që ishte e kuptueshme që, bashkë me frymën luftarake, zotësinë profesionale, ambicien e marrëzinë, do të pikonin në dejtë e plakur të perandorisë nostalgjinë për europianizmin dhe krishterimin e tyre të humbur. Dhe bashkë me të do të pikonin ide të laicitetit e të lirisë.
Dukuria nuk ishte e re. Dihej, tashmë, nga të gjithë se në kushte e rrethana të tjera, rreth dy mijë vjet më parë, në marrëdhëniet RomëGreqi kishte ndodhur pak a shumë diçka e ngjashme: pushtimi i fitimtarit prej frymës së të mundurit.
Por ballkanasit nuk arrijnë ta kuptojnë e, aq më pak, ta shpjegojnë atë që ka ndodhur. Vazhdojnë të qëndrojnë në portat e Europës, dramatikë në moskuptimin e tyre, tragjikë në verbërinë e tyre. Smira për njëri-tjetrin ua errëson mendjen e çartur, përçartja e tyre vazhdon të jetë e pabesueshme. Kështu që ata s’janë në gjendje t’i shpjegojnë zonjës dhe nënës së tyre europiane trofenë që i kanë sjellë, njerkën e tyre të zënë robinjë, Turqinë.
Omer Kaleshi më dëgjon pa m’i hequr sytë. Kërkon të hetojë nëse në shtjellimin tim ka anësi, domethënë adhurim të fshehtë për njërën palë ose nënçmim të mbuluar për tjetrën. Kur bindet se nuk ka asgjë të tillë, fytyra e veçanërisht sytë i ndriçohen si në festë. Ai është ballkanas e otoman, njëkohësisht e, si të mos mjaftojë kjo, është shqiptar e sllav, i krishterë dhe mysliman ose, më saktë, as ashtu e as kështu dhe, mbi të gjitha, është artist.
Është kjo arsyeja, ndoshta, që në pëlhurat e tij nuk gjendet asgjë nga ekzotizmi qoftë osman, qoftë ballkanas. As jeniçerë, as pashallarë turq, as komitë maqedonas a shqiptarë, as zonja me perçe apo pa perçe. Duket sikur ai ecën si i verbër midis rekuizitës shekullore të përfytyruar prej poetëve e piktorëve, që nga Goethe e Byron te Delacroix, me një padurim për të mbërritur në themelin e gjërave, atje ku është baza, shtresa tektonike që nuk lëviz: barinjtë dhe dervishët. Bariu është i vjetër sa bota, me qumështin e leshin e tij, dhe po aq i vjetër është dervishi, ndonëse emri i tij ka ndërruar nga vendi në vend e nga koha në kohë (mag, mistik i krisur, fetar, pelegrin).
3.
Duke shkruar për portretet e Francis Bacon-it, Milan Kundera flet për dëshirën që na lind për të zbuluar të fshehtën që ndryjnë ato. Në kujtimet e shkrimtarit kjo dëshirë lidhet me tundimin e përdhunimit të një gruaje të re. Në fund të fundit, te çdo marrëdhënie burrë-grua është gjithmonë ajo pjesë e historisë që në disa gjuhë shprehet me fjalët: “ta shtiesh në dorë”. Shtënia në dorë, thënë ndryshe, depërtimi i një gruaje, është njëfarë mënyre zbulim i një të fshehte, qoftë edhe pjesërisht.
Piktori përpiqet të zbulojë të fshehtën, duke e zbërthyer dhe rimodeluar fytyrën e njeriut. Shkrimtari, gjithashtu, ndeshet me tiraninë e gjuhës, e cila përpiqet t’i detyrojë ligjet e saj, pa i lënë hapësirë lirie, por shkrimtari ngadhënjen më lehtë, ngaqë gjuha është abstrakte. Ajo nuk ka gjëkund asnjë shëmbëllim, asnjë pasqyrë ku mund të gjesh qokat ose gjedhet e saj, ato që në rast katastrofe mund ta zëvendësojnë. Kurse tirania e pamjeve, që piktori duhet të hedhë mbi pikturë, qofshin portret a peizazh, është tepër e fortë. Pamjet janë gjithmonë përbri teje, si një miratim ose si një qortim.
Lëkura e njeriut, moda, raca, ndotja e mjedisit, sëmundjet, frikërat përpiqen të njëjësojnë portretin njerëzor. Mbi këtë gdhendje, si prej ere të shkretëtirës, piktori rreket të zbulojë të veçantën, të rivendosë shpirtin e humbur. Nganjëherë e thyen portretin, me shpresë se në rindërtimin e tij e fshehta do të shfaqet. Nganjëherë përpiqet të gërmojë në thellësi, ashtu siç hiqet suvaja, për të nxjerrë shtresën e mirëfilltë të murit.
Por kjo mund të jetë zhgënjyese. Dihet që gurët, gjithashtu, janë të ngjashëm. Kurse poshtë lëkurës së njeriut, ngreha e kockave, gropat e syve dhe dhëmbët janë tmerrësisht të njëtrajtshme.
Piktori është i detyruar prapë të ngjitet në sipërfaqe. Do apo s’do, duhet të merret me lëkurën e njeriut. Ndërkaq, në rastin e portretit vendosja mijëvjeçare e syve, e hundës, e flokëve, e gjithçkaje tjetër që ka koka njerëzore, përpiqet ta pengojë. Atëherë piktori përpiqet të krijojë nëpërmjet shkatërrimit. Ai kërkon ta thyejë fytyrën e njeriut, të zhvendosë atë që natyrës i janë dashur qindra shekuj për ta skajuar. E megjithatë, qëllon që edhe pas kësaj e fshehta nuk shfaqet.
Pas pyetjes nga vijnë e nga ç’vend janë këto koka, përpara portreteve të Omer Kaleshit, vjen pyetja e tretë, edhe më e vështirë: ç’të fshehtë ndryjnë këta njerëz? Sytë e tyre shohin edhe nuk shohin, nganjëherë duket sikur përtej tyre shikojnë diçka tjetër, nganjëherë sikur vështrojnë brenda vetvetes.
Jacques Lacarriére thotë se ato koka të japin përshtypjen se kanë kaluar nëpër një krusmë jonjerëzore. Sipas tij, ato janë imazhi ynë i ikur, që na kërkon prapë. Dhe, ndoshta, vetëdija e errët që nuk del.
U besuam katalogëve, për t’i kujtuar gjer tani barinj dhe dervishë dhe befas fillojmë të dyshojmë nëse janë vetëm të tillë. Edhe pak dhe nuk do ta kemi vështirë ta përfytyrojmë veten në punishten e vjetër, atje ku modeli i njeriut u krijua së pari nga balta.
4.
Dënimi zyrtar më i përhapur, sidomos për njerëzit e rëndomtë, në Perandorinë Romake, ishte kryqëzimi. Në bizantinen ishte verbimi me një vegël hekuri me dy pinca. Osmanët vunë prerjen e kokës. Nga të tria këto, i pari, kryqëzimi, ishte edhe më teatrori e tmerrndjellësi. (Ngritja e dërrasave prej druri, mbërthimi i viktimës, qëndrimi i kufomës mbi kryq njëfarë kohe). Verbimi, ndërsa ishte më pak i bujshëm, në çastin e kryerjes së gjymtimit, e kishte tepër të gjatë efektin e tmerrit. (Viktima, në rast se nuk vdiste, mund të endej vite me radhë rrugëve). Prerja e kokës, sidomos kur bëhej në sheshe publike, ngjante me kryqëzimin, por e kishte dramaticitetin, sa të fortë, aq edhe të shkurtër në kohë. Për t’ia shtuar rrezatimin e tmerrimit (qëllimi kryesor në të tria llojet e dënimeve), osmanët shpikën ibret tashenë, kamaren e turpit, ku koka e viktimës vendosej ditë me radhë, për t’u soditur nga turmat.
Kur Edouard Pignon shprehu mendimin se portretet e Omer Kaleshit u ngjanin kokave të prera, piktori nuk ishte në një mendje me të. Ai edhe sot e spraps me këmbëngulje këtë krahasim dhe shumë njerëz mund të habiten nga këmbëngulja e një njeriu që shquhet për butësi dhe durim.
Mendoj se ky mospranim vjen nga një thellësi e vetëdijes së tij. Peneli i tij pikturon portrete që mund të ngjajnë si koka të prera, por për ndërgjegjen e tij krijuese ato janë koka njerëzish normalë. Kokat njerëzore nuk mund të priten kurrsesi. Për ta kuptuar ndoshta këtë, duhet të rikthehemi te makina e vdekjes në Ballkan. Përmendëm tri dënimet kryesore të shteteve të mëdha (pa u ndalur në dënimet e tjera të tyre: djegia, mbytja me gurë, shpimi me hu), por pa folur, sidomos për dënimet që kishte njohur gadishulli përpara mbërritjes së këtyre perandorive.
Është i njohur mospranimi prej grekëve të vjetër i copëtimit të trupit njerëzor. Kjo prerje, sipas tyre, prishte një harmoni dhe një rend të gjërave. Ajo ishte një prerje e ndërlidhjes midis të vdekurve dhe të gjallëve, pra, një shkëputje dhe një goditje në thelb të gjithçkaje që njeriu i asaj kohe besonte. Kur i biri i Agamemnonit të vrarë kërkon të bindë bashkëqytetarët e tij për shëmtinë e krimit të nënës, një nga provat kryesore është prerja e gjymtyrëve të trupit të viktimës.
Për banorët e tjerë të gadishullit, ilirët, ne nuk dimë ç’dënime përdornin. Por nga kodi zakonor i shqiptarëve, që janë pasardhës të tyre, del fare i qartë tmerri prej gjymtimit trupor. Kodi i famshëm i shqiptarëve e ka çuar edhe më larg fobinë greke, duke ndaluar rreptësisht jo vetëm gjymtimin, por edhe prekjen e trupit të kundërshtarit. E vetmja që ky kod pranonte, ishte goditja nga larg, çdo vrasje tjetër quhej e paligjshme, rrjedhimisht, e dënueshme.
Megjithatë, nuk mund të thuhet aspak se ishin osmanët ata që ua mësuan ballkanasve të pafajshëm prerjen e kokave, siç mund të mëtojnë letrarët kombëtaristë të gadishullit. Përpara se ajo të vinte në Ballkan bashkë me ligjet dhe rekuizitën e osmanëve, tremen ku xhelati priste viktimën, fermanin e lexuar me zë kremtor prej kasnecit, e gjer te shiriti i mëndafshtë, që përdorej për t’i thyer arrëzën e qafës, kur viktima ishte zyrtar i lartë, ajo prerje barbare e kokave njihej gjerësisht në gadishull. As kujtimet e qytetërimit grek, as kodi shqiptar nuk mund ta ndalonin dot.
Ballkani banohej nga shumë popuj, disa prej të cilëve kishin ardhur nga larg bashkë me doket e tyre të ashpra.
Mizoritë e përshkruara në këngët epike ballkanase, janë të tilla që të ngjethin mishtë kur i lexon. Gjatë kohës së pushtimit osman ishte e lehtë që të dyja palët t’ia hidhnin të keqen kundërshtarit, por kur punët u ndanë, doli një e vërtetë tjetër.
Gati një shekull pas ikjes së turqve, krimi u harbua në Ballkan me një shpërthim të paparë. Gjymtime të lemerishme, koka të prera, sy të nxjerrë, djegie të gjalla, thyerje kockash, sharrime, shqyerje. Të gjitha këto u bënë, sidomos në Bosnjë e në Kosovë. Ballkanasi i hershëm, Kaleshi, i sprapste ato në thellësi të ndërgjegjes së tij, por Kaleshi i sotëm i jepte dashur pa dashur në pëlhurë. Ishte, me sa dukej, nën përshtypjen e lajmeve që vinin andej, kur Pignonit iu dukën portretet e Kaleshit si një koleksion kokash të prera. Dhe jo vetëm atij. Të shumtë ishin ata që patën përshtypjen se ndodheshin përpara një piramide kokash, si ato të Timur Lengut, një piramidë e shpërbërë, gurët e së cilës janë vendosur rresht, për t’i parë më mirë, në një galeri pikturash.
Me atë të bardhë të ftohtë anash, atë dëborë, atë brymë frigoriferike, ato na kujtojnë morgun e madh të Prishtinës, ku hetuesit e Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës plotësonin dosjet e tyre, në vitin e egër 1999.
Këto holle, këto hajate të mëdha të vdekjes, thotë Francis Bacon-i, kur vërtitet në supermarketet ushqimore, ku copat e mishit janë vendosur në rafte të ftohta. Erën e vdekjes, që vinte nga këto shitore, ai u përpoq ta hidhte në pëlhurë.
Vitet e fundit, si për të theksuar më fort, atë që pikërisht piktori e ka kundërshtuar, në portretet e Kaleshit, midis qafës dhe trupit shfaqet një vijë e hollë, gati e tejdukshme, ajrore, e tillë që e bën Lacarriére-in ta quajë “shenjtëri”. Kjo vijë, që duket si e rënë nga lart, shëmbëllen vërtet me breroret e shenjtorëve në ikona. Është si një plagosje e përhershme, vazhdon Lacarriere, duke kujtuar heroin e antikitetit grek Filoktetin.
Në atë vijë ndarëse, më shumë enigmatike, sesa të shpjegueshme, janë, ndoshta, të tria rrënjët e Kaleshit: edhe plagosja e Filoktetit ballkanas, edhe hija e shiritit të mëndafshtë osman, që ndehej mbi qafën e viktimës, edhe përndritja e gijotinës franceze, e cila ende ishte në veprim, kur piktori u vendos në Francë.
5.
Katundi Sërbice, në Maqedoni, është një ndër më të largëtit e më të paarritshmit për udhëtarin. Omeri i vogël, që kishte lindur në këtë humbëtirë, shumë herët e kuptoi arsyen përse gjyshi i tij, i ardhur nga malet veriore të Shqipërisë, kishte zgjedhur për ngulim këtë skutë të mënjanuar. Një rënie në gjak e kishte detyruar. Qysh në atë kohë emri i Shqipërisë, malet me mjegull të së cilës dalloheshin nga rrafshulta maqedonase, lidhej me një kërcënim.
Omeri i ri punonte si elektricist. Çdo ditë, për të shkuar në punë, i binte rruga përbri Hamamit të Daut Pashës, i cili, pas ikjes së turqve, qe kthyer në muze ikonash. Atje, në ngrehinën otomane të mbushur tani me frymë të krishterë, ai për herë të parë pa një ekspozitë arti. Ishte e skulptorit anglez Henry Moore. Gravurat e tij për bombardimin e Londrës gjatë luftës së fundit, njerëzit e strukur në metro, ankthi dhe tmerri i lane përshtypje të pashlyeshme. Ishte viti 1955. Një vit më pas, familja e tij, ashtu si mijëra familje të tjera, u mërgua në Turqi. Ishte koha e egër e terrorit të serbomadhit Rankoviç.
Jugosllavia dëbonte nga trualli i vet një pjesë të kombësive josllave. Shenjat e para të spastrimit etnik dukeshin në horizont. Emri i Jugosllavisë iu kujtonte europianëve liberalizmin dhe festivalet, por për të dëbuarit ai emër lidhej prapë me një kërcënim.
Në Ankara, Omeri punoi përsëri si elektricist. Ëndrra e tij për të shkuar në Stamboll, në Akademinë e Arteve të Bukura, u krye më në fund. Pas mbarimit të saj, më 1962, bashkë me dy studentë të tjerë vendosën “të shikojnë botën”. E fillojnë nga Turqia. Për pesë muaj i bien anekënd me autostop gjithë vendit. Shikojnë katunde, qytete, pazare, dervishë, karavansaraje, tyrbe otomane, uzina, varre, bidonvile. Vizitojnë rrënojat e lashta: Trojën, Bergamon, Hefesin, gjithçka.
Pas këtij shtegtimi, vëllai i tij, Hasan Kaleshi, profesor në Hamburg e në Prishtinë të Kosovës, ku edhe vdiq, e ndihmon të marrë vizë për të dalë në botë. Më 1963, udhëton nëpër Itali dhe Francë. Më 1964, në Vjenë, Gjermani, Angli e Holandë. Më pas viziton Madridin e Toledon. Muzetë dhe galeritë janë magjepsëse kudo, por atë e tërheq sidomos Parisi.
Kthehet në Paris dhe punon si lyerës ndërtesash. Një aristokrat shqiptar, një zotni i madh i kulturës europiane e otomane, Abedin Dino, e ndihmon, ashtu siç kishte ndihmuar dhjetëra bashkëkombës të tij, të merrte letrat. Ca kohë lan qelqet në Drugstoren e Champs Elysées. Një ditë, atje gjithashtu ra zjarri…
Dukej i ndryshëm nga zjarri i fëminisë, zjarri I stallës, përmes të cilit dhitë e djegura rendnin si në përrallë. Megjithatë, thelbi ishte po ai: një zjarr i pjellë nga urrejtja.
6.
Paraprojektin e “Komedisë hyjnore” të Dantes dikush e gjeti te një dru (rrënjëtferri, trungu-purgatori dhe kurora-parajsa).
Po të donim ta gjenim ngrehën danteske te trupi i njeriut, do të ishte pakëz më vështirë. Sidoqoftë, mendimi i parë do të ishte që koka është ferri, trupi me kënaqësitë e tij mëkatare parajsa, dhe këmbët purgatori.
Marrëdhëniet e kokës e të trupit e kanë shqetësuar shumë mendjen e njeriut. Sa më të vjetra të jenë gjuhët, aq më shumë fjala krye ka shërbyer si rrënjë për dhjetëra fjalë të tjera. Përftimi i kokës shoqërohet aty për aty me mençurinë, rëndësinë e njeriut, shkallën e tij hierarkike, çmendurinë, rebelimin, luftën për pushtet, sundimin, kurorën. Ndaj dhe prerja e kokës, përpara se të jetë bërë dënim i njëmendtë, ka mundësi të ketë gjalluar në mënyrë të turbullt te njeriu si një shkëputje, një veprim i skajshëm, një zëvendësim.
Ajo që ngjan e veçantë në galerinë e portreteve të Omer Kaleshit është njëfarë kthimi kryengulthi i gjërave. Këto koka, që shfaqen përpara nesh, nuk na kujtojnë as mençurinë e as çmendurinë, as sundimin e as nënshtrimin. Duket sikur në këtë botë të ashpër ato kanë mundur t’u shmangen rravgimeve njerëzore, ngaqë kanë njohur një tjetër tmerr e i binden një tjetër urdhri. Shmangia e parë ka lidhje me thelbin e kokës: njëjësinë e saj. Koka është një. Ajo është e papërsëritshme. Omer Kaleshi duket sikur kërkon të sfidojë këtë thelb. Si në një pasqyrë të Borgesit, si në një makth, ai na jep një seri kokash të ngjashme.
Duke qenë të shumta, ato vetvetiu e humbin ambicien e njëshit, të veçantisë, të sundimit tiranik. Ndërkaq, s’kanë asgjë të përbashkët me turmën e përulur.
Çfarë i bën të duken të natyrshme në skajimin e tyre të ndërmjetëm? Janë, pa dyshim, midis njeriut të gjallë dhe maskës, midis njëmendit dhe shëmbëllimit, shkurt, midis jetës dhe mosjetës. Piktori, sa ç’është piktor, është edhe balsamues. Moskuptimi që vjen nga pëlhurat sa vete bëhet më i thellë. Duket sikur koha nuk rrjedh më, ashtu siç thuhet se ndodh, po t’i afrohemi një vrime të zezë.
Ndërkaq, nga thellësitë e histories së njerëzimit vjen një paradoks. Një nga simbolet më klasike mbretërore e perandorake, shqiponja dykrerëshe, bie në kundërshtim me idenë e njëshit, të sovranit.
Dykrenia e zogut mbretëror nuk i përgjigjet asnjë logjike, përkundrazi. E megjithatë, është simboli më i përhapur qysh nga koha parabizantine. Rusia e flaku drapër e çekanin komunist, për ta vënë prapë në emblemën e saj. Serbia, me gjithë tërbimin antishqiptar, bëri të njëjtën gjë. Shqipëria është i vetmi vend që shkabën dykrenore e ka në flamur dhe nuk e ka hequr kurrë qysh nga mesjeta. Europa, zakonisht, dorëcunge me shqiptarët, për habi, ua njohu këtë uzurpim të shqiponjës së moçme. Dhe jo vetëm kaq, por, si për të ta ripohuar atë, ka qindra vjet që po përdor shprehjet “vendi i shqipeve”, për Shqipërinë, dhe “bijtë e shqipes”, për banorët e saj, dy emërtime që, më shumë se prej vendësve, përdoren nga të huajt.
Ndërkaq, një tjetër mister, që këtë herë vjen nga gjithnaja e gjuhës, atje ku gjërat janë shpesh të zhytura në një terr të rremë, na kujton se në shqip fjala “krye”, ajo që ka pjellë mbi njëqind e njëzet fjalë, nga kryetar e krejt, gjer te krenar e e kryehershme, paraqitet trillane dhe e pabindshme. Fjalë me tri gjini, rast i rrallë, në mos i vetëm në shqip, më shumë e palakueshme se e lakueshme, më pranë gjinisë asnjanëse se mashkullore a femërore, e përdorur vetëm në njëjës për njeriun, dhe veç në shumës për bagëtinë, ajo i shpëton, megjithatë, çdo rregulli. Kështu, për shembull, përdorimi në shumës te njeriu lejohet në një rast, kur është fjala për krerë të një lëvizjeje, të një politike, të një kryengritjeje ose të një komploti. Kjo kundërvënie njëjësshumës ka gjasë të ndryjë në vetvete raportet sovran-popull, sovran-feudalë, ose presidentparti, në kushtet moderne.
Ndërkaq, duket sikur ka një kundërthënie midis thelbit tiranik, mbretëror të fjalës, me tingëllimin e jashtëm që në gjuhën shqipe duket si më pranë shumësit se njëjësit. Ka gjasë që ky shumës i shfaqur të theksojë edhe më fort thelbin që fjala ndryn, në po atë mënyrë që formulimet mbretërore, që fillojnë me “ne, mbreti i X”, theksojnë idenë e sundimit të njëshit.
7.
Omer Kaleshit i pëlqen të përsëritë se për një kohë të gjatë i qëllon të pikturojë të njëjtën gjë. Ai shton pastaj se Giacometti gjithë jetën ka bërë portretin e të vëllait. Në atelienë e tij, në bulevardin “Arago”, nuk ka orare. Dita e piktorit s’ka të bëjë fare me ditën kalendarike. Ajo mund të nisë në mesnatë ose në tre të mëngjesit. Kjo mungesë oraresh e kjo ngjashmëri ditësh janë të lidhura, me sa duket, me një ritëm të veçantë në krejt jetën e tij. Ky ritëm vetanak jep në pëlhurë portrete ku ndryshimet zhvillohen ngadalë. Duket sikur piktori i bindet ritmit natyror të zhdrivillimit.
Kur dashurohet pas një ngjyre, duket sikur ngopja me të do të vijë ngadalshëm, ashtu siç vjen ose ikën ngjyra ngadalshëm në fytyrën e njeriut, siç shtohen rrudhat ose siç zbardhen flokët.
Ca fruta të kursyera u shfaqën në fund në pëlhurat e tij vite më parë, por shfaqja më e gëzueshme ishin fëmijët. Omer Kaleshi nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë. Fëmijët u shfaqën në pëlhurën e tij në moshën gjashtëdhjetëvjeçare.
Të bukur e të freskët, pa asgjë të përbashkët me barinjtë dhe dervishët. Ndërkaq, duhet kujtuar se këta të dytët nuk martohen dhe nuk kanë fëmijë.
8.
Fiton modeli, kur i ngjan pikturës dhe jo e kundërta, ka shkruar kritiku turk i artit, Kaya Orsergin, duke folur për pikturën e Kaleshit. Në atelienë e tij prej vitesh nuk ka hyrë asnjë model.
“Modelet e mia nuk e dinë që janë pikturuar prej meje”, thotë Omer Kaleshi. “Unë i lë ata aty ku i shikoj: në rrugë ose në kafene. I lë të qetë. Rri unë pa gjumë për ta”.
Është një mënyrë vetanake përftimi e punës krijuese. Piktori dhe modeli krijojnë së bashku diçka. Modeli ka lënë peng pamjen e tij në kujtesën e piktorit. Dhe ky, pa dijeninë e të parit, e përpunon atë.
Një ndërsjelltësi e tillë të kujton përrallat ballkanase, në të cilat ka shpesh një ndarje të trupit e të shpirtit ose, më saktë, të thelbit të këtij të fundit: njeriu rri diku në një mjedis pallati, në shpellë ose tavernë, por nyja e fshehtë ku është lidhur e brendshmja e tij, shpirti, fati, programimi i tij (po të përdorim një qasje të sotme) ndodhet diku larg, në malin me akull, për shembull, ose në një vezë në det.
Dordolecët, që përveç përdorimit prej fshatarëve si trembës shpendësh nëpër ara, ushtria perandorake osmane i përdorte përpara çdo fushate si mjet përçmimi e nënvleftësimi ndaj kundërshtarit (përpara flamurëve e trumbetave, në krye të ushtrisë marshonin disa dhjetëra ushtarë, që mbanin në vend të heshtave dordolecë), dordolecët, pra, dëshmonin lidhjen e fshehtë që bashkonte njeriun me shëmbëllimin e vet.
Në rastin e kukullave, që shpoheshin me gjilpëra, kemi prapë përpjekjen për të krijuar një lidhje midis njeriut të urryer, le të themi modelit, dhe shëmbëlltyrës së tij. Ndërsa, kur është fjala për dordolecët, njeriu i përçmuar mund ta shikojë sendërgjinë e tij me sy, si me tejqyrë, që pas kështjellës së rrethuar, në rastin e kukullave të shpuara, ai nuk di asgjë.
Ndryshe nga shpuesi i kukullave, që i dëshiron të keqen modelit, piktori i jep atij jetë të dyfishtë, ndonëse në rastin e Omer Kaleshit modeli nuk e di. Modeli lëviz, ecën, jeton, pi çaj në kafenetë e Ballkanit ose të Stambollit, pa i shkuar mendja se në katin e gjashtë të një ndërtese të Parisit dikush rri pa gjumë për të.
9.
Omer Kaleshi shkon shpesh në Stamboll. Si për ballkanasit e kryehershëm, ai mbetet përherë kryeqyteti i tij. Nuk ka gjetur dot një kryeqytet në Ballkan. Beogradi, për arsye kujtimesh historike, nuk e ka afruar, Shkupi ka qenë kryeqytet i vogël, Tirana, duke qenë për një kohë të gjatë staliniste, ishte vetvetiu groteske. Kështu që, përpara se të njihte Parisin, natyrshëm, ai është lidhur me kryeqytetin e përbashkët të krejt ballkanasve.
Dihet se ka, së paku, dy Stambolle: ai hijerëndi bizantino-otoman, me hijen dhe pluhurin dyperandorak të shpërndarë kudo, me Shën Sofinë, Xhaminë Blu, mishmashin mbretëror, Topkapinë, rezidencën e sulltanëve, që Gérard Georges Lemaire e ka krahasuar bukur me një fushim kryezotësh nomadë, që kanë ngrirë befas në vend, dhe tjetri, Stambolli i pazareve, i kafeneve, i galerive të pikturës dhe i gjithë dihatjes që shkaktohet nga përkitja e dy kontinenteve, të cilët mu midis tij llapashitin ujërat, puthen, duhen, përçmohen, merren vesh e keqkuptohen pa fund.
Kaleshi ka shumë miq në Stamboll: shokë të Akademisë së Arteve, shkrimtarë, galeristë, filozofë. Ai i njeh mirë të dyja Stambollet. Por për të, ashtu si për gjithë ballkanasit, ka një Stamboll të tretë. Ky është, ndoshta, më i pafundmi, më befasuesi e më i xhevahirti, siç janë, zakonisht, qytetet e përfytyruara. Stambolli për gati gjashtë shekuj ka qenë i pranishëm në fantazinë ballkanase, në mendjen e njerëzve, në baladat e tyre, në urimet, mallkimet, frikërat. Nuk ka një popull të gadishullit të mos e ketë përmendur dhjetëra herë në këngët epike, të mos ketë rrëfime për të, të mos ketë shprehje ose proverba. Për grekët, ai ka qenë Konstandinopoja e ëndërruar, për sllavët e jugut, Caregradi (qyteti mbret), për shqiptarët, Stambolli, e kështu me radhë.
Ai ishte qendra e perandorisë trikontinentëshe, prej nga vinin lajmet, dekretet, fatkeqësitë, taksat, shpallja e luftës, e paqes, dënimet, faljet. Për atje niseshin ankesat, kallëzimet, prej andej vinte verdikti. Të gjithë prisnin vendimin e tij: popuj që grindeshin, pashallarë që kacafyteshin me njëri-tjetrin, tregtarë, fetarë, mistikë. Në malet e tyre të ftohta, ballkanasit e përfytyronin kryeqytetin në trajtat më fantaziste që mund të mendohej. Dhe po aq të përrallshme i mendonin pallatet e tij, xhamitë, vezirët dhe zotin e botës, sulltanin.
Qëllonte që, pasi prisnin me muaj e me vite përgjigje për ankesën e tyre, befas vendosnin të nisnin një dërgatë atje. Dhe meqenëse nuk kishin asnjë vizion të qartë gjeografik, parashikimi i rrugëtimit ishte gjithmonë i gabuar. Nga udha tepër e gjatë u ndodhte që ta harronin qëllimin kryesor të udhëtimit, pengoheshin nëpër qytetthet e mbyllura prej murtajës ose rebelimeve, sëmureshin ose humbnin paratë në bixhoz, kështu që kur arrinin më në fund atje, nuk e gjenin dot kurrë vezirin, që thuhej se kishte lindur në katundin e tyre, ose i gjenin varrin, por jo atë vetë.
Kur Omer Kaleshi bëri udhëtimin e pare për në Stamboll, ndonëse mund të mos i ketë menduar këto, në njëfarë mënyre i ka pasur me vete, si çdo ballkanas. Ka kohë që Stambolli nuk është më kryeqytet i Ballkanit, por hija e tij është ende aty. Ajo do të jape herë pas here përndritje të zbehta, si ato që vijnë nga fundi i një pusi.
Në botë shumëçka përsëritet në trajtë qerthullore. Dërgimi i një ushtrie shumëkombëshe në Ballkan në prag të vitit 2000, për ta bërë zap gadishullin kryekërcyer, a nuk e ka hijen e ushtrisë së dikurshme perandorake që vinte nga larg? Veçse këtë here perandoria është Europa dhe dy kryeqytetet e saj, Brukseli dhe Strasburgu, kanë më pak hije shtypëse se Konstandinopojë-Stambolli i dikurshëm.
10.
Një pjesë e atyre që e dinë lidhjen e piktorit me Parisin, gjëja e parë që kërkojnë në pëlhurat e tij është shfaqja e tij. Ka midis tyre që në krye mund të jenë zhgënjyer. Të tjerë mund ta kenë marrë për mosmirënjohje: jeton kaq kohë në Qytetin e Dritës dhe prej tij na paska nxjerrë veç këta barinj e këta dervishë?
Është një keqkuptim që përsëritet në Paris. E kërkojnë Parisin në sipërfaqe: në tituj vjershash, në përshkrime romanesh, në pëlhurë. E kërkojnë edhe më keq: në trille, në kotni. Dhe harrojnë ose nuk janë në gjendje ta kërkojnë atje ku duhet: në thellësi. Parisi është metropol i madh i artit pikërisht, sepse jep liri. Dhe liria e tij as është e kushtëzuar, as kërkon shpërblim: më jep, të të jap. Ngaqë, ndoshta, nuk e kapin këtë përmasë të pashfaqur lirie, ata habiten që midis përplasjes së modave, të shkollave, të rrymave, të salloneve të pranverës, të hyrjes së vjeshtës, për të cilat Parisi ka qenë dhe mbetet i pakrahasueshëm në botë, Omer Kaleshi vazhdon punën e tij, i patrazuar prej dallgëve.
Është vërtet i patrazuar? Vështirë të thuhet. Është, ndoshta, e kundërta. Gjithë ai tmerr që vjen mbrëmjeve prej ekraneve e lajmeve televizive, ajo egërsi, ajo ftohtësi, ai moskuptim i botës, të gjitha këto japin e marrin nëpërmjet një hullie të fshehtë me pëlhurat e tij. Dhe ajo vijë e hollë, e tejdukshme, shndërrim në një teh thike i brerores së shenjtë, diçka ndan, diçka bashkon, diçka ka plagosur përjetë te ne, Filoktetët e këtij fundmijëvjeçari.
11.
Omeri e pi kafenë e së dielës, zakonisht, në rrugën “Mouffetard”. Është pothuajse në largësi të barabartë nga atelieja e tij dhe nga banesa ime. Biseda jonë për marrëdhëniet midis pikturës dhe letërsisë ndodh pikërisht këtu.
Në bisedë, Omeri është i përmbajtur, fjalëpakë dhe jokundërshtues. Jep gjithmonë përshtypjen se di më pak se ato që di në të vërtetë. Kjo vjen ngaqë nuk tregohet asnjëherë grykës për të sunduar një kuvendim. Në kohën kur më shumë se kurrë flitet për urat, që duhet t’i bashkojnë e jo t’i ndajnë popujt, sidomos në Ballkanin e trazuar, kërkimi i rrënjëve të përbashkëta në çdo sferë, përveç që është “politikisht korrekt”, është një bisedë e lehtë, sidomos për dy përtacë të fjalës.
Që nga antikiteti i thellë, prirja për bashkimin e poezisë dhe pikturës ka qenë e njohur. Askush nuk mund të habiste askënd me vjersha të shkruara në trajtë befasuese, që të kujtonin gjithfarë figurash, sendesh, madje dhe gjallesash.
Kur Guillaume Apollinaire-in e kritikuan, më 1914, ngaqë vjershat e tij “calligramatiques” ishin një gjë e njohur, e vjetër sa bota, ai u mbrojt, duke thënë se s’kishte bërë gjë tjetër veçse ishte kthyer te parimi bazë, përderisa ideograma ka qenë pikërisht parimi i shkrimit.
Ëndrra për t’u kthyer në unitetin e arteve, “ut pictura poesis”, siç thoshte Horaci, ka qenë e njohur. Dhe, si në çdo ëndërr, është shkuar përherë aq larg sa ç’mund të shkohet. Janë kërkuar, për shembull, ura lidhëse midis gjuhës dhe matematikës e, pse jo, midis gjeometrisë e gjuhës dhe më tej, midis gjuhës dhe astrologjisë, kimisë apo mjekësisë!
Një shpërthim i fundit ndodhi pas rënies së komunizmit, kur gjithë të çmendurit e Lindjes, duke i mbushur mendjen vetes se s’kishin mundur të shpreheshin për shkak të regjimit, shpalosën margaritarët e tyre që, për fat të keq, mbuluan njëfarë kohe të përndjekurit e vërtetë.
Më 1766, si për të frenuar vrullin bashkues letërsi-pikturë, Lessingu botoi “Laokoont”-in e tij të famshëm, që ishte një trajtesë jo për shkrirjen, por për kufijtë midis tyre. Në të njëjtën kohë u botuan të nëntë pjesët e një prej biblave të modernizmit, romanit “Tristram Shandy” të Laurence Sterne.
Dukej sikur ishte koha për të bërë një bilanc ose, së paku, për t’u kujtuar të gjithëve se në botën e shkrimit, qysh prej treqind vjetësh para Krishtit, nuk kishte mbetur trill pa u provuar. Me vjersha të shkruara në trajtë piramide, veze, manastiri, varri, kryqi, gaforreje, shtylle, ylldeti, trëndafili, derri, labirinti, me fjalë të tjera, të shkruara nga koka këmbët, siç thuhet, janë mbushur bibliotekat e mesjetës.
Ne i kujtojmë të gjitha këto. Ne, pa dyshim, jemi me mendimin tjetër, atë që e përfton risinë e artit si një rrugëtim të natyrshëm, që kryhet sipas ligjeve të brendshme të tij, ligje që shpeshherë s’kanë asgjë të përbashkët me botën e jashtme. Brenda këtyre ligjeve dhe jo brenda pirgjeve të ndryshme, arti mbrohet nga sulmi i paprajshëm i vulgaritetit. Arti nuk është qeveri, parti ose kastë, që mund të ndërrohet pas një përmbysjeje. Ndërkaq, brenda të njëjtit regjim plot paqe ai mund të pësojë katastrofë. Shkurt, arti dhe letërsia nuk vdesin herë pas here, për të lindur po ashtu. Në një rast të tillë bota do të ishte plot kufoma, që s’do të dinim ku t’i varrosnim. Arti dhe letërsia jetojnë vazhdimisht dhe, në qoftë se në to ka pakëz vdekje, kjo është ajo vdekje që e ka brenda jeta dhe që, në fund të fundit, e ripohon atë.
Si përherë, kur vjen fjala për marrëdhëniet e letërsisë me artet e tjera, unë dyshoj se jam i anshëm, domethënë i padrejtë. Është një padrejtësi që nuk më shqetëson, ngaqë më duket se kam lindur me të. Jam i bindur se letërsia, për shkak të veglave të saj, e sidomos të vegjës bazë, që është gjuha, është më e lirë dhe më e pakufishme se piktura. Edhe në gjendjen e saj parake, gjuha njerëzore e ka të ndryrë si çmërs një minimum letërsie.
Pikturës, për shembull, iu desh të shpenzojë shekuj të tërë për të ardhur në mënyrë të pavarur te një fytyrë njerëzore me tre sy, kurse për letërsinë shpërthime të tilla kanë qenë si ushtrime të thjeshta qysh në zanafillë. Natyrisht që duhet të jem i padrejtë dhe vetë krahasimi midis tri arteve kryesore: letërsisë, muzikës dhe pikturës duhet të jetë po aq i pamundur sa midis pjesëve të gjithësisë ku veprojnë ligje të ndryshme.
Omer Kaleshi nuk më kundërshton. Ose e bën ngaqë është tepër harmonioz dhe nuk dëshiron të prishë paqen e këtij mëngjesi shtatori parizian, ose ngaqë rruga “Mouffetard” (atë që, ndoshta, turqit e marrin për Myftar, ashtu siç marrin për Osman, bulevardin “Haussmann”), ndonëse ndodhet në largësi të barabartë nga banesat tona, i përket më tepër botës së pikturës, pra, i duket si shtëpi e vet. Dhe në shtëpinë e vet, njeriu është më pak kundërshtues.
12.
Ka dy fate artistësh. Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkeve miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin.
Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto. Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi. Askush nuk mund ta dijë, ndërkaq, se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël: ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij. Ndërkaq, ka edhe një fat të tretë, disi më të rrallë, por më dramatik. Jo vetëm që fëmija që ëndërron të pikturojë ose të shkruajë nuk ka kurrfarë nxitjeje nga njerëzit e familjes, por, përkundrazi, ka pengesë. Dhe artisti i ri shkon drejt artit siç shkohet drejt mëkatit.
Mos pikturo fytyra njerëzish, sepse pastaj duhet t’u japësh shpirt, i thoshte i ati Omerit të ri.
Djaloshi mbrohej: Zoti, a nuk ishte një artist i madh, kur e bëri Adamin prej balte?
Po Zoti jep shpirt, ngulte këmbë i ati. Ti s’mundesh.
Islami, për një kohë të gjatë, e kishte ndaluar pikturimin e fytyrës njerëzore. Kur i ati, falë këmbënguljes së të birit, e pranoi, më në fund, shfaqjen në pëlhurë të dhuntisë së tij, i tha: unë s’të ndalova dot të bëhesh piktor. Tani që u bëre, kërkoi Zotit ndjesë!
A të ka shkuar ndër mend të kërkosh ndjesë një ditë?
Omeri nuk përgjigjet. Nënqesh me vete. Një ditë më ke thënë se nuk e duron dot praninë e të tjerëve kur punon, madje, as praninë e sivëllezërve të tu piktorë. Është e vërtetë. Madje, kjo gjë më ka shqetësuar mua vetë një kohë të gjatë. Jam qetësuar vetëm kur kam lexuar një thënie të Leonardo da Vinçit: Kur në atelie jeni dy veta bashkë, ti nuk je veç gjysmë. Kur bëhen tre, ti s’je veç një e treta. Kur bëhen katër, je një e katërta. E kur janë shumë, ti nuk je më. A ka për ty ngjyra më pak miqësore, për të mos thënë armiqësore? A ka ngopje prej tyre, ka lodhje, velje, siç i qëllon që i ndodh shkrimtarit prej fjalëve?
Jo. Nuk kam ngjyra armiqësore. Ka ngjyra që nuk i përdor, si e bardha, e zeza dhe bluja. Nuk i përdor, ngaqë nuk i njoh. E ngaqë s’i njoh, më trembin.
Më fol për ngjyrën e kuqe e për këto koka. Ngjyrën e kuqe e kam zgjedhur qysh në rini. Dhe ai tregon për atë ditë kur profesori u dha atë këshillën e paharrueshme: çdo student duhej të zgjidhte një mjeshtër, me të cilin të ndihej i afërt. Dhe bashkë me mjeshtrin të zgjidhte një ngjyrë, gjithashtu, të afërt. Omeri zgjodhi për zot të tij Goya-n, dhe për ngjyrë, të kuqen. Ishte e kuqja e zjarrit të fëminisë, e gjakmarrjes së gjyshit dhe e krejt gjakut ballkanas.
Kur për herë të parë e pa freskën e Goya-s në kulmoren e Santa Antonio dela Flora, kokat e pikturuara i kujtuan prapë një pamje dramatike të fëminisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit thërrisnin: ikni nga fshati, do të ketë luftë! Dhe të gjithë iknin, fshiheshin ku të mundnin. Një çast, në fushën plot me gropa, Omeri i vogël pa dhjetëra koka të trembura që dilnin aty-këtu. Ajo mizëri kokash, në kujtesën e tij, i ngjante aq shumë kulmores së kishës në Spanjë.
13.
Nga vijnë këto koka, ç’kërkojnë…
Të largëta, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda. Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot. Është një kohë e ashpër, gati barbare, që i ka pjellë, për të cilën, ndoshta, kanë nostalgji, ose e kundërta, me të cilën duan të ndahen. Janë aty, me atë moskuptim të pafund në sy, me një pritje tragjike, ndoshta, pritjen për të bërë një kapërcim…
Antibes, shtator 1999/exlibris