Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Gëzim Alpion, dy ligjërata në SHBA, paraqet librin e tij të fundit kushtuar Nënë Terezës

Mund ta ndiqni në Georgetown University (Washington DC) dhe Harvard University, ose në një takim me shqiptarët në Federatën Vatra, në New York

Nga Ruben Avxhiu

Dr. Gëzim Alpion, studjuesi i njohur dhe autor i dy librave kushtuar “Nënë Terezës” ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku do të mbajë dy ligjërata në universitetet amerikane dhe do të bëjë prezantimin e librit të tij të fundit në New York.

Ligjëratën e parë do ta mbajë sot, në 26 prill (4:30-6:00 PM), në Georgetown University, me ftesë të Programit të Studimeve Katolike. Ky është një nga universitetet më të njohura të vendit dhe ndodhet në kryeqytetin amerikan, Washington DC.

Nesër, Dr. Alpion do të flasë në Harvard University, një ligjëratë e organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

Takimi do të mbahet në sallën “Harvard Hall 201”, në orën 6:00 të mbasdites.

Më pas, në 30 prill, studjuesi i njohur do të paraqesë librin e tij më të fundit: “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj” në mjediset e Federatës Vatra, në Bronx New York

Dr. Gëzim Alpion është profesor në Birmingham University, pjesë e Departamentit të Sociologjisë që nga viti 2002.

I lindur në Shqipëri, ai është diplomuar së pari në Universitetin e Kairos, në Egjipt përpara se të bënte doktoratën në Universitetin e Durhamit, në Mbretërinë e Bashkuar. Përpara se të vendosej në Birmingham, ai ka ligjëruar në një numër universitetesh në Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Newman.

Dr. Allpion është eskpert i sociologjisë së fesë, nacionalizmit, famës, racës, medias, filmit, dhe autorësisë.

Në librin e tij të fundit kushtuar Nënë Terezës, ai përqendrohet në traumat, vështirësitë, dhe arritjet e saj si individ privat dhe si figurë publike e misionare, spiritualitetin e saj të ndërlikuar etj. Libri nxjerr në pah lidhjet e mëdha që ekzistojnë mes jetës së saj dhe historisë së kombit të saj. Si e shpjegon njoftimi në faqen e Programit të Studimeve Katolike: Dr. Alpion argumenton në librin e tij se për të kuptuar këtë ikonë shpirtërore dhe humanitare moderne është thelbësore të zbulosh se si ajo përfaqëson AND-në kulturore e shpirtërore të kombit të saj të lashtë shqiptar.

Please follow and like us: