Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Unë amerikani antiamerikan

 

Është krejt e neveritshme epoka që po jetojmë. Kanë pushtetin, madje absolut, por prapë nuk ngopen. Një marrëzi delirante, absolute edhe kjo. Ka një vulgaritet me akuza, të quajnë antiameriakan. Po na prish me Amerikën. 50 vjet na mallkuan vetëm përse e çonim nëpër mend Amerikën imperialiste. Sot grinden e shkumosen se po i prishim me Amerikën. Është tërësisht e neveritshme, gati një marrëzi intelektualësh të angazhuar sa kërcënojnë publikisht prokurorin e vendit se përse nuk arreston firmëtarët që kanë nënshkruar këtë peticion? Një nga këta firmëtarët jam edhe unë, një amerikan me pasaportë, amerikan i natyralizuar. E firmosa sepse Amerika më mësoi një gjë, kurrë mos pusho së luftuari për të drejtën tënde. Është një epokë që në vegim ka paraqitjen mistrece të burrave inatçorë. I kanë të gjitha, shkopin, kërbaçin, xhandarin, qelinë, por prapë nuk ngopen. Kanë 100 për qind një regjim të cilin do e kishte zili edhe një revolucionar race si Trocki. Ai një gazetë donte, aq… Këta i kanë të gjitha, gazetat me letër, elektronikisht ose ato që i thonë ëebe. Kanë televizionet, thuajse 99 për qind të tyre, madje i mbajnë me para të thata nga vjedhjet publike që bëjnë. Janë një makineri ndëshkimore që të mbysin me prozhektorë dritash, megjithëse shqiptarët akoma nuk e kanë energjinë 24 orë. Kanë një propagandë mallinje sa çmendurisht në Tetorin e vitit 2019, i bënë gropën Emanul Makronit, kurse dje e shpallën Zot, pasi mundi Le Pen, bjonden naziste që do nxirrte Francën nga Europa. Kanë me vete ambasadoren, e cila për turpin tuaj është kthyer në një mbikqyrëse. Shkon i çukit kokën kryeministrit nga ana tjetër bën foto me buzëqeshje. Shkon orë e minutë me lali Erin, deri në tavolina vezësh të kuqe, thyen vezë etj. Shkon dikaster më dikaster, gjykatë më gjykatë etj. Dhe ju thoni se keni shtet, keni administratë? Një mut keni. Jeni kthyer në ca shkumaxhinj që në vend të rregulloni Shqipërinë merreni me non grata-n e Berishës. Merruni me varfërinë shqiptare, ndreqni buxhetin e tyre familjar, bëni shtetin e ligjit dhe të qarkullimit. Investoni për ushtrinë dhe mineralet, linjat e hekurta mes Tiranës dhe Prishtinës, jo për resortet e Gaz Pajës. Dhe po publikisht i kërkoni prokurorisë a xhandarmërisë ta arrestoj? Keni 9 vjet në pushtet, jo që nuk u futët në Europë, por po dilni edhe gjeografikisht nga ajo. Sot kemi një atdhe pa rini, pa shqiptarët emigrantë, pa diasporë me një fjalë, kemi një atdhe pa liri, me dasime humnerë mes shqiptarëve në 5 shtetet kua ata jetojnë. Dështakë kampionë… ju djeg e ju dhemb juve Amerika. Kjo ”kuçedër” e 50 vjetëve diktaturë e etërve tuaj. Dhe jeni bashkuar një grup mumjesh që kurrë nuk doni ta kuptoni se puna e votës është ajo që ka bërë Amerikën. Jo puna e emërimeve të sojit shqiptar. Ajo çfarë po ndodh me opozitën shqiptare, janë ato holle koridoresh qytetesh ku një anëtarësi e tërë voton. Kjo është votë, or zotëri, votë. Dhe në Amerikë për cenimin e saj vritesh. Këtë e di mirë edhe ambasadorja. Në Amerikë të hedhin në kanal kur u vjedh votën. Nuk cakton njëri kryetar nga lart. Nuk mund t’u imponohesh republikanëve se kë duhet të vënë kryetar. Atë që do ti apo atë që do votojnë ata? Eja provoje dhe ta shikoni se fuqi shpirtërore do kesh për të bërë selfie me buzëqeshje fikse me lali Erin. Do t’i bini kokës me grusht kur në pozitat e Saliut të shikoni Edi Ramën. Atë peticion e firmosa edhe unë. Dhe ata që më njohin nga afër, e dinë mirë se sa antiamerikan jam. Nuk e kam bërë për Berishën, madje Berishën e kam goditur më ashpër se ju ”pro amerikanët”. Dhe nuk kam qënë asnjë ditë anëtar i PD-s. Por nuk mund të ecim më kështu… që ti ik, hap krahun se je i korruptuar. Kjo është 100 për qind denigrim, propagandë, damkosje publike. Sa kohë që akuzat nuk materializohen dhe sa kohë që vota e anëtarëve injorohet publikisht. Nuk ka ambasador në botë t’i imponohet një force politike. Është faqja e zezë e saj, qoftë kjo edhe ambasadorja e Amerikës. Ndaj është tërësisht një situatë e neveritshme. Rëndësi ka ajo masë votuesish në qytetet shqiptare. Ajo masë votuesish. Madje hapi i madh aty po zhvillohet jo te kulisat e ulta të ca humbësve klasikë në zyrat e kuvendit, çfarë nuk po prodhojnë. Madje ka krijuar aleanca bizarre me shfrytëzuesit e tyre me ata që i përndoqën, i persekutuan e i shpallën kulakë. Si për ironi të akademisë më të madhe njerëzore, jetës, me preteksin e fjalës, votës apo të të drejtave të njeriut. Është e thjeshtë, ata që nuk njohin votën janë pjellë e dalë hundësh nga xhelatët e tyre.

Please follow and like us: