Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: MJESHTRAT E PARODISË

Ata janë katër: Agron Hamaj, Afrim Agalliu, Mane Lumani dhe Muhamet Lika. Që kur i ke parë në skenë të janë dukur si vëllezër të lindur njëripastjetrit, apo-më mirë të thuash, se vetë Zoti i ka bashkuar. Që të bëjnë shaka përmes aktrimit muzikor, që të fshikullojnë veset tona e ne që jemi poshtë në sallë, të lotojmë nga kënaqësia e tepërt dhe të na mbeten ata në mendje e në shpirt për 50 vite e ca, pa u zvetënuar aspak. Si interpretues të gjinisë së Estradës, të Vodevileve e Muzik-Holleve moderne dhe i operetave gazmore të të gjitha kohrave, niveleve dhe gjinive të saj. Dhe, të lindur si PARODISTË, si talente të ardhur, jo nga shkolla e lartë e aktrimit, po nga ndërmarrjet ekonomike të qytetit, pra nga levizja amatore e teatrit, e profilizuar në gjininë e humorit dhe të satirës, nga vetë jeta e gjallë e banorëve të Vlorës.
Parodia është art, një gjini e ashtuquajtur “e vogël “që shpreh një art të madh e virtuoz, Sepse, jo të gjithë aktorët munden ta përballojnë dhe ta interpretojnë me lehtësi e sens gëzimi komunikativ me publikun, me shijet, hallet e veset e tij… Parodistët e kupletistët janë aktorët e antikitetit mijëravjeçar të Teatrit Grek, me maska e të veshur me lëkura kafshësh të egra, që rrëfenin me të kënduar, me “viza të trasha”, me këngë e gjestikulime komike përmbajtjen e shfaqjes, para se të delte në avanskenë aktori i dytë dhe i tretë e për t’i hapur udhë edhe korit, të përbërë edhe ai prej artistësh që e thonin tekstin nëpërmjet melodisë, shoqëruar me instrumentat e lashtësisë, me brirë kafshësh të kthyera në instrumenta muzikor. Në periudhën e Mesjetës së hershme e në atë të rilindjes, lindi edhe “Comedia Del Arte” që lulëzoi më tepër në Itali e në Francë, nga artistët e rrugës e të shesheve publike, të cilët përdorën gjerësisht fjalën e muzikuar, po edhe pantomimën, imitacionin e gjestet, duke i dhuruar publikut tipa e karaktere, që satirizoheshin gjer në përçudnim, po gjithsesi me sensin artistik, ku ishte e pranishme koreografia e vallja e mirëfilltë, po edhe improvizimi
Tek ne janë të njohur, si të tillë ata artistë amatorë të Tiranës, të Shkodrës e të Korçës që këndonin kuplete e parodi para perdes së kinemave e skenave të teatrove të qyteteve të tyre në vitet ’30 të shekullit të kaluar, sikundër qenë ata të grupimit teatral të Mihal Popit, për të cilin shkruanin me veneracion edhe gazetat shqiptare e italiane, duke e cilësuar si “komiku i kryeqytetit shqiptar”… Me krijimin e Estradave në vendin tonë, në vitet pesëdhjetë e gjshtëdhjetë të shekullit të kaluar në qytetet kryesore: në Tiranë, Shkodër, Korcë, Durrës, Vlorë, Elbasan e kështu me rradhë në vitet e mëpastajme, edhe në qytetet më të vogla, derisa u bënë 15 trupa profesioniste, të përbërë gjithsesi nga aktorë të marrë prej lëvizjes amatore. Mirëpo prej tyre u evidentuan edhe talente aktrimi në fushën e humorit e të satirës, po edhe artistë të vecantë që lëvruan me sukses edhe kupletin e parodinë, krahas skeçeve, monologjeve, dialogjeve e intermexove. Në Shkodër dallohej treshja Banushi, Miloti e Deda. Më mbrapa i famshmi Gjosho Vasia që i shqëronte kupletet e paroditë e tij edhe me kitarë. I pasuar nga parodisti virtuoz i Estradës së Sarandës Theofil Haxhijani, po edhe nga Xan Zyberi e Skënder Sallaku në Tiranë, nga Pandi Raidhi e Aleko Prodani në Korçë, nga Leka Kruta me Myqerem Ferrën në Vlorë, nga Ramazan Ngjala e Spiro Strati në Durrës, nga Kujtim Shehu, Vilson Gjoçaj e Dhimitër Furxhiu në Estradën e Ushtarit që më pas kaluan në atë të Estradës së Tiranës, nga Luftar Paja, Fuat Boçi e Arqile Lipe në Estradën e Fierit. E të ndonjë tjetri, më pak të dëgjuar. Duke kërkuar ndjesë nëse kemi harruar ndonjerin prej tyre. Po ndërkohë u dukën edhe disa regjisorë të shkolluar, që e vunë Teatrin e Estradës mbi binarë profesionistësh të vërtetë. Këtë e bëri veçanërisht regjisori Mihal Luarasi me Estradën e Tiranës, Thoma Milai me Estradën e Sarandës, Pëllumb Kulla në Estradën e Fierit dhe sidomos Viktor Stratobërdha me Estradën e Beratit. Këta regjisorë të talentuar e me vizion, i dhanë Estradës profilin e vërtetë, duke e afruar atë me Vodevilet e Muzik-Hollet tipike perëndimore, gjë që nuk mundej të mos vihej re edhe nga censura partiake e Komiteteve të Partisë së Punës që nuk lejonin që ajo të delte jashtë kornizave të propogandës ideologjike të saj, duke i quajtur ato si “Gazeta Folëse të Partisë”!
Po, ata që mbijetuan në këto kohë terrori të egër mbi artin, sidomos mbas ndëshkimeve që ranë mbi supet e Viktor Stratobërdhës e të Mihal Luarasit, të cilët provuan edhe vetminë e privacionet e tjera të të burgosurve politikë, ishin më të paktë në numër. Më jetëgjatët midis tyre do t’i quaja parodistët e Vlorës, arti i të cilëve fshihej më tepër nën “stofin” e melodive më të njohura të kohës së tyre, duke ndërtuar tekstet në përmbajtje e duke goditur më shumë dhe me lezet veset në karakteret e njerëzve, të cilat ndërkohë ishin edhe në shënjestrën e goditjeve partiake, si mbeturina mikroborgjeze e borgjeze. Gjithçka e bërë dhe e interpretuar me guxim e talent bashkë, si tipare të ashtuquajtura “të huaja”. I kam njohur ata, qëkur, për herë të parë, u mblodhën në Tiranë, në Festivalin Kombëtar të Estradave Amatore, ku pata rastin të isha në jurinë e këtij festivali, ku u nderua me çmimin e parë aktori i Uzinës së Sodës Kaustike të Vlorës Agron Hamaj, me një humor të servirur me elegancë e me vokalin e tij të këndshëm. Më pas, nga shfaqjet mbresëlënëse të Estradës së Vlorës, që u krijua në vitin 1955, do të njihesha me parodistin e dytë Afrim Agalliu, të cilin e tërhoqën nga estrada amatore e Bonifikimit të Vlorës, ku më së tepërmi aktivizohej si valltar, po që kishte një zhdërvjelltësi të tipit të Leka Krutës, me humor spontan e kolorit të pasur e shprehës. I treti do të ishte aktori i Estradës së Ndërmarjes së Ullishtave të Vlorës Mane Lumani, me profilin e tij prej “pinguini” thatim, po me një ekspresivitet e komicitet të natyrshëm që do t’i shtohej Estradës Profesioniste, bashkë me Afrimin, në vitin 1974. Dhe i katërti , do të ishte Muhamet Lika, tipi i artistit me finesë, i intonuar bukur në interpretimet humoristike të melodive, po edha si aktor, disi më i përmbajtur në lëvizje e gjestikulime. Kështuqë i erdhi Estradës Profesioniste të Vlorës, njësia artistike më e suksesshme e më jetgjata, që mbijetoi edhe kur perdet e estradave të vendit u mbyllën njëherë e përgjithmonë , kur gjithkush priste që, me rendin e ri demokratik, të vinte edhe lulëzimi i tyre, si gjinia më e dashur e më e preferuara e publikut shqiptar.
Nga vetë natyra e tyre, si gjinia më e afërt dhe e kuptueshme e spektatorëve të shumtë, që merrej edhe me hallet e tyre, të vogla e të mëdha, e cila sikur i çlironte nga hallet e streset, që nuk ishin më të vogla edhe në rendin e ri, sidomos me atë tranzicion kalimtar tepër të gjatë, për të kaluar në rendin e mirëfilltë kapitalist, që dikur anatemohej edhe nga vetë estradat tona, të imponuara prej politikanëve të asaj kohe. E tani, që erdhi edhe e drejta e shprehjes së fjalës, e lirë e gjallërisht, ato, estradat panë fundin e tyre, ndërsa aktorët e saj u nxorën në rrugën e madhe! Dhe, nuk do te habitesha kur dy prej tyre, Agronin me Afrimin, do t’i takoja në rrugët e Athinës, bashkë me artin e tyre të parodisë, të ftuar sidomos, sikundër i ftonin edhe në Amerikë, Kanada, Itali, Gjermani e gjetkë, kudo ku ishin mbjellë “kokrrat e misrit”, mërgimtarët shqiptarë, revguar nga vendi i tyre me plot telashe, ku arti sa vente e ngushtohej e shtohej çuditërisht numuri i partive politike! Mungonte Mania, të cilit i kishte ardhur një paision i çuditshëm për markat e reja te celularëve,-thane ata,-dhe i kishte ikur zëri papritur, ndërsa Muhameti ishte sëmurur pa pritur e pa kujtuar.. .Disa vite më vonë,-tek po ktheheshim nga Pogradeci, ku promovuam librin e ri të Përparim Kabos, atij do t’i binte zilja e telefonit, për ta njoftuar se kishte ikur edhe ai nga jeta! Do të kthehem për në Vlorë, tha filozofi ynë i nderuar, e pata mik Muhametin, artistin tim të adhuruar! Dhe, ishte prishur kështu kuarteti i famshëm i Parodisë Shqiptare, harmonia e bukuria e tyre…
Ri e shikoj dhe dëgjoj tani, me nostalgji, të regjistruara, paroditë e tyre, ku ata janë vetë i katërt, në më të shumtin e herëve të daljes në skenë, para publikut që i donte dhe i duartrokiste me zjarr, edhe si autorë, interpretues e regjisor. Me një a dy parodi në çdo shfaqje, po edhe me shfaqje të tëra ku ata janë epiqendra, me një bosht qëndror: paroditë e tyre. Spektakle të plota të muzikuara, ku edhe aktrimi bazë, vokali, koreografia, improvizimi i lirë e me plot gjetje të këndshme, bile edhe vizioni regjisorial është i atyre vetë. Si një unitet artistik universal, i ngjajshëm me vodevilet e famshme franceze, po edhe me operetat gazmore amerikane e vjeneze. Shumë herë, interpretimet e melodive janë perfekte, kënduar bukur në vijën melodike dhe, gradualisht, me ca gjestikulime e “shkarje”të qëllimshme, sjellin njëfarë deformacioni të lehtë, pa e humbur intonacionin real të melodisë, gjersa vijnë, më së fundi, në disa improvizime e pasazhe skenike, krejt të papritura e befasuese. Ta ka ënda të dëgjosh e t’i shikosh përsëri në skenë, ashtu të radhitur, po edhe të veçuar a në dyshe, në tipa e karaktere krejtë të ndyshme. Aty bëjnë pjesë edhe imitacionet, jo pak herë të këngëtarëve origjinalë, po edhe të tipave nga jeta që ata i kanë njohur më së miri. Ashtu sikundër imitoheshin me përsosmëri miqtë e tyre, aktorët profesionistë të Estradës së Vlorës, Leka Kruta nga Afrimi dhe Myqeremi nga Agroni, pa përmendur edhe imitimet e këngëtarëve tanë më të njohur, pjesëmarrës ne festivalet tona muzikore, si Avni Mula etj. Se edhe imitimi është art i mirëfilltë, që nuk mundet ta bëjë kushdo, me përjashtimim e artistëve të katërshes në fjalë, mbetur si emër, po edhe si talente të rrallë, të njohur me me emrrin e mëvetshëm: PARODISTËT E VLORËS!
Duren, Gjermani, me 25 prill 2022.
Please follow and like us: