Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Volodymyr Zelensky, ky Leonidas dhe Skënderbe i Kohëve Moderne

Dr. Iris Halili

Presidenti  i Ukrahinës Volodymyr Zelensky, është lideri që i ka thyer të gjitha skemat steriotipe të modelit që jemi mësuar të shohim dekadat e fundit. Tek ndjekim  Zelenskyn të luftojë në krye të popullit të tij, liderët e kancelarive të tjera të botës duken kaq skelektikë, manekina të kollarisura që dalin nga lobingjet apo makiazhi i intervistave të parapërgatitura, apo milionave të hedhura në fushata me premtime që harrohen përpara se të mbarojnë së premtuari. Sot Zelensly po konsiderohet nga te gjithë si lideri  më frymëzues i kohës sonë. Edhe një herë na vërtetohet teoria që lideri matet nga vendimet që ai merr dhe vendimet që ai merr nuk varen aq nga rrethanat sesa nga karakteri i liderit;  kjo është arsyeja që lider të ndryshëm në rrethana të ngjashme  marrin vendime krejt të ndryshme. Presidenti Zelensky do të mbahet mend për qëndresën e tij dinjtoze në mbrojtje të lirisë së vendit,  kurajon që i fali bashkëkombasve të tij, besimit që ushqeu dhe mbajti gjallë në popull si dhe famën që i dha vendit të tij sa heroik aq edhe të paepur. E gjithë bota njohu ngjyrat e flamurit  ukrahinas falë këtij populli dhe lideri që në çastet më të vështira të jetës së tyre i vunë interesat e vendit mbi çdo gjë, duke na rikujtuar sërisht mësimin e madh të historisë se fiton moralisht kush lufton me shpirt dhe për një kauzë te drejtë, por fiton pothuaj gjithmonë ai popull që ka në krye një lider vizionar, qëndrestar dhe me kurajo heroike. Zelensky po i shërben denjësisht vendit dhe popullit të tij, ai është lideri shërbëtor për të cilin kemi folur kaq shumë, lideri që drejton dhe lufton duke sfiduar çdo rrezik dhe duke na befasuar me mesazhet dhe qëndrimet e tij sa kurajoze aq edhe dinjitoze. Kjo luftë po na sjell çdo ditë pamje shumë tronditëse, viktima dhe shkatërrime pa fund; por megjithë dhimbjen që shkaktojnë ngjarjet dhe imazhet nga terreni sërisht mbetet një shpresë dhe një krenari që vjen natyrshëm tek shohim se ka ende liderë që janë në gjëndje të japin dhe jetën për atdheun dhe popullin e tyre. Nuk janë të shumtë figurat në historinë  e njerëzimit që mund të krahasohen me Presidentin Zelensky, por sërish historia ka njohur të tillë.  Në vitin 480 (Përpara Krishtit) vetëm  300 spartane dhe një forcë e vogël me ushtarë grekë (një numër që vjen nga historia na thotë diku tek 700 ushtarë grekë)  luftuan dhe fituan kundër ushtrisë më të madhe të kohës, asaj Persiane që mendohet të ketë patur të paktën 70 mijë ushtarë, ca shifra të tjera thonë edhe 200 mijë. Kjo betejë nga historia njihet si beteja e Termopileve. Në krye të ushtrisë spartane ishte lideri Leonidas, mbreti qytet – shtetit të Spartës, që nga historia na vjen si një figurë legjendare i cili luftoi dhe fitoi në raporte krejt të pabarabarta, por që kishte një ideal, të pengonte persianët të depërtonin në qytetin e tij. Ajo ushtri mbrojti pavarësinë e qytet- shtetit të dikurshëm. Sipas të gjithë studiuesve të historisë, nëse Persianët do të kishin fituar luftën në Termopile, koncepti i lirisë sot nuk do të ishe ai që ne njohim. Po kaq madhështor është edhe lideri ynë legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili për 25 vjet ishte në gjendje të mbronte lirinë e vendit tonë si dhe të pengonte kështu perandorinë osmane (më të madhen e kohës), të depërtonte drej perëndimit.  Ndaj dhe Skënderbeu nderohet botërisht dhe mban titullin e lartë “Kalorsi i Kristianizmit”. Duke i shërbyer vendit të tij, Skënderbeu i shërbeu njëkohësisht qytetërimit europian. E tillë mbetet dhe qëndresa  e popullit të Ukrahinës  dhe liderit të saj Zelensky. Lufta e tyre nuk është vetëm në mbrojtje të trojeve të Ukrahinës; ajo çdo ditë e më tepër po shndërrohet në një betëjë për të shpëtuar Europën dhe demokracinë nga pushtimi rus dhe megalomania e një diktatori narcisist i cili  në jeton me ëndrrën delirante të rikthimit të Bashkimit Sovjetik në kufijtë e dikurshëm. Në Ukrahinë po lufton i madh dhe i vogël, pleq dhe adoleshentë. Ky popull është i vendosur të fitojë ndaj një të keqeje që nuk po depërton vetëm në atë vend, por që ka rrezik të  përhapet gjithmonë e më shumë në Europën me kufij dhe histori delikate. Sido të vejë filli, lufta në Ukrahinë gjithmonë do të kujtohet jo si pushtimi makabër dhe brutal i Putinit, por si qëndresa heroike e popullit të Ukrahinës dhe presidentit Zelensky, këtij Leonidas dhe Skëndërbeu bashkëkohor!/gazeta dielli

Please follow and like us: