Bota nderon sekretaren Madeleine Albright
“Ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë”, “trashëgimia e saj po vazhdon të nderohet në Kosovë, Bosnjë dhe vende të tjera”, ishin disa prej fjalëve dedikuar nga liderë amerikanë për ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars.
Të udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1,400 veta u mblodhën më 27 prill në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj.
Presidenti Biden vlerësoi lart kontributin e Albrightit.
“Emri i saj është ende sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë”, tha Biden, duke kujtuar se gjatë shërbimit si ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe më pas në postin e sekretares së Shtetit, Albright ndihmoi në “ndaljen e gjenocidit në Ballkan”.
“Me mirësinë, humanizmin dhe intelektin e saj, ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë. Ne sot nderojmë një amerikane krenare, e cila na bëri të gjithë ne që të jemi më krenarë që jemi amerikanë”, tha Biden.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, kujtoi udhëtimin e fundit me Albrightin në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.
Ai tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.
“Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova. Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra”, tha ai.
“Sot këtu me ne është presidentja, ish-presidentja dhe kryeministri i Kosovës. Po ashtu këtu është edhe ish-ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës. U desh të ndodhte masakra e Srebrenicës që të kishim mblidheshin mjaftueshëm njerëz që të bëhej ajo që sot po bëhet në një mënyrë tjetër në tentim për ta shpëtuar Ukrainën”, shtoi Clinton.
Ndërkaq, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se lufta në Ukrainë, kërkon që edhe një herë bota të ndjekë shembullin e Albrightit dhe qëllimin që kishte ajo gjatë punës si sekretare e Shtetit.
“Ngrihuni kundër diktatorëve dhe demagogëve, nga fushëbetejat e Ukrainës deri në korridoret e institucioneve tona, mbroni demokracinë në shtëpi me aq vendosmëri siç e bëjmë jashtë vendit”, tha Clinton.
Albright, e zgjedhur nga Clinton, ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit.
Ajo ka vdekur nga kanceri në moshën 84-vjeçare.
Në ceremoninë përkujtimore, është i pranishëm edhe sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, dhe paraardhësit e tij, Condoleezza Rice dhe John Kerry, ishin të të pranishëm.
Zyrtarët e tjerë të lartë ishin të pranishëm në këtë ceremoni, përfshirë: sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtorin e CIA-s, Bill Burns, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Nga autoritetet e huaja që morën pjesë ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ish-presidentja Atifete Jahjaga si dhe zyrtarë të lartë nga Bosnje e Hercegovina, Republika Çeke dhe Kolumbia.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Albright ishte zë i fuqishëm për popullin e Kosovës.
“Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare”, shkroi Osmani.
Albright ka lindur në Çekosllovakinë e atëhershme, por familja e saj është larguar dy herë – fillimisht nga nazistët dhe më pas nga sundimi sovjetik.
Ata kanë përfunduar në Shtetet e Bashkuara, ku Albright ka studiuar në Kolegjin Wellesley. Gjatë viteve, ajo është ngjitur në qarqet e politikës së jashtme të Partisë Demokratike, për t’u bërë fillimisht ambasadore në Kombet e Bashkuara.
Clinton e ka zgjedhur sekretare të Shtetit në vitin 1996, për mandatin e tij të dytë presidencial.
Edhe pse nuk ka qenë kurrë në radhë për presidente, për shkak të lindjes në një vend të huaj, Albright është admiruar pothuajse nga të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e saj politikë.
Si një refugjate çeke që ka parë tmerret e Gjermanisë naziste dhe të Perdes së Hekurt, ajo nuk ka qenë e butë.
Si sekretare e Shtetit, ajo ka luajtur një rol kyç për të bindur administratën Clinton, që të luftojë udhëheqësin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për trajtimin që u ka bërë shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është cilësuar si “Lufta e Madeleinet”.
Si ambasadore e OKB-së, ajo ka udhëhequr një politikë të ashpër të SHBA-së, sidomos kundër Millosheviqit, për shkak të luftës së tij në Bosnje, në vitet ’90.
Ajo ka mbajtur qëndrim të ashpër edhe ndaj Kubës. Në një fjalim në Kombet e Bashkuara, ajo ka thënë se rrëzimi i një aeroplani civil, më 1996, nga Kuba, nuk ka qenë akt “i guximshëm”, por “frikacak”.
Në vitin 2012, Obama i ka dhënë Albrightit Medaljen Presidenciale të Lirisë – që është nderimi më i lartë civil i vendit – duke thënë se jeta e saj ka qenë frymëzuese për të gjithë amerikanët.
E lindur si Marie Jana Korbel në Pragë, më 15 maj, 1937, ajo ka qenë vajza e diplomatit Joseph Korbel.
Familja ka qenë hebreje, por është konvertuar në katolicizmin romak, kur ajo ka qenë 5 vjeçe. Tre nga gjyshërit e saj hebrenj kanë vdekur në kampe të përqendrimit.
Këndvështrimi i Albrightit thuhet se është formuar pjesërisht nga prejardhja e saj. Familja e saj është larguar nga Çekosllovakia në vitin 1939, pasi nazistët kanë pushtuar këtë vend. Vitet e luftës, ajo i ka kaluar në Londër.
Pas luftës, kur Bashkimi Sovjetik ka pushtuar pjesë të mëdha të Evropës Lindore, familja e saj ka migruar në Shtetet e Bashkuara.
Ata janë vendosur në Denver, ku babai i saj ka ligjëruar në Universitetin e Denverit. Një nga studentët më të mirë të Korbelit ka qenë Condoleezza Rice, e cila më vonë do ta pasonte vajzën e tij si sekretare e Shtetit.
Albright ka diplomuar në Kolegjin Wellesley në vitin 1959.
Ajo ka punuar si gazetare dhe më vonë ka studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias. Pasi ka marrë diplomën master në vitin 1968 dhe doktoraturën në vitin 1976, ajo ka hyrë në politikë.