Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Selaudin Guma!

Dardhë elbërore

 

Në fundin e çdo ledhi

Te ara lart në mal

Dalë nga fundi i një shkëmbi

E molasur ish një dardhë.

 

Ishe kënaqësi më vete

O pema legjendare

Me ato fruta e ëmbla

Që na ndillje si kotele.

 

Kokrrat e tua të kuqe

Të verdha, gjyrë floriri

Aroma e tyre e mjaltit

Si parfum Parisi.

 

Dardhë elbërore, çfarë u bëre?

A të harroi ty vreshtari?

Ti ishe një pemë e rrallë

Rrëzë shpateve të malit.

 

Në fëmijët, pak çapkënë

Gëzonim kur lulëzoje

Me vellon tonë të bardhë

Dhe bletët që gumëzhonin.

 

Vinim çdo vit në Qershor

I preknim frutat me dorë

Kishim kënaqësi pa masë

Dhe asnjëherë s’të harronim.

  1. 9. 2017.

 

Sëndukët e gjyshes

 

Sëndukët e gjyshes sime

Tek qoshku aty unë gjeta

Shumë të vjetër, mbi 130 vjet

Çarçivet[1] e ndryshkur krisnin

 

Gjyshen s’e kam njohur

Nuk e pata atë fat

Të prekja të butat duar

Të një gruaje zemër artë.

 

Nuk di nëse ish e hollë

E gjatë, e bukur e mirë

Gojëmjaltë siç janë gjyshet

Me dashuri të pamatë.

 

Babin shumë e kam pyetur

Se si ishte gjyshja ime

Ai veç psherëtinte

Dhe futej në mendime.

 

Babë, babë, shpesh i thoshja

Kur isha shtatë-tetë vjeç

Mësova më shumë për ty

Kur bëra gjashtëmbëdhjetë.

 

Njoha babën tim bujar

Njoha hallën[2] zemërmbret

Kështu gjyshe ime e dashur

Ta bëra portretin vetë.

 

E zgjuar dhe e bukur

Si lulet ballë sëndukut

Edhe gjyshi, rahmet pastë

Të krahasonte me flutur

 

O gjyshja ime e hijshme

O gjyshi[3] im i mirë

Unë nuk e pata fatin

Të ndjej dorën tënde të dlirë.

 

Tani poet dhe pak plak

Thur me shpirt këto vegime

Si dy ikona njerëzore

Jeni përherë në zemrën time.

 

Gjyshja ime kaq e ëmbël

E bukur dhe ngjyrë artë

Ti nuk veshje kurrë tumane

Si shumë të tjera në fshat.

 

Sado që ti u linde

Në Spahaj në Bënçën mal

Që vajzën kur e martonin

I vinin tërkuzë[4] në pajë.

 

Ti s’veshe kurrë tumane[5]

Nga ato të Turqisë

Ishe e fortë dhe vigane

Pranë gjyshit tim, Qamil.

 

O gjyshja ime e artë

Me pak vargje të përshkrova

Fjalë shpirti, fjalë zemre

Si dy shenjtë ju kujtova.

27.9. 2017.

 

Dashuria s’është mëshirë

 

Muaj Maj qe atëhere

Kur lulet dalin në lëndinë

Ishte vjeshtë si tani

Kur pylli humb gjelbërimin

Dhe ngjyrë ari bëhet ai.

 

Puhiza dallgëzonte grurin

Si valët e detit tani

Mbi lule ishin ulur bletët

Pemët era zhvesh më radhë

Nisin e shtegtojnë fletët.

 

Si dallandyshe n’arrati

Himerit të klasës së shtatë

Nuk i vure rëndësi

E hodhe si vesë shiu

Jetën të kushtoi ai.

 

Rini ngele gjithë jetën

Në Shqipëri e Itali

Të mungoi sinqeriteti

Pa familje, pa fëmijë

Të pëlqeu veç vetja ti.

 

Mbushur me hipokrizi

Po në jetë bëhet kontrata

N’dashuri e mirëbesim

Dashuria nuk mund të falë

Në lirat ka veç mëshirë.

 

Demon ti, sot kur zbrite

Oh Muzë më le në pëqi

Më ktheve pas gjysmë shekulli

Çfarë ëngjëlli dërgove ti

Dhe çfarë vlerë ka kjo tani.

 

Vlera e saj është e madhe

Ta lexojë çdo i ri

Në dashuri sinqeriteti

Mëshira në drejtës.

7.10.2017.

 

 

 

 

 

[1] Menteshat

[2] Haxho Garo Guma

[3] Reis Qamil Guma

[4] Litar i thurur me lesh që përdorje për t’u ngarkuar gratë.

[5] Çitjane

Please follow and like us: