Albspirit

Media/News/Publishing

Krimet speciale të luftës, të kryera nga forcat serbe në Mejë të Gjakovës

Skënder Jashari

Zakonisht ndodhë që krimet e luftës të kryhen drejtëpërdrejt nga njësitë ushtarake a paraushtarake të varura nga njëra palë ndërluftuese. Mirëpo gjatë Operacionit Forcat Aleate, forcat ushtarake serbe, në mënyra të ndryshme bënë përpjekje që krimet e tyre të luftës t’ia hedhin NATO-s, e që kjo traditë e luftës është e vjetër. Duke mos harruar as provokimet terroriste në Luftërat Ballkanike a më parë, pastaj çetat komite serbe( të veshura me veshje kombëtare shqiptare etj), pastaj vrasjet e fëmijëve të tyre si rasti i nxënsëve të Kragujevcit( për t’ia hedhur nazistëve gjerman, apo vrasja e hebrenjëve etj), e njejta ngjau edhe në Luftën e Kosovës. Forcat Serbe kryen krime edhe ndaj banorëve serb, si në rastin e Panda-s, pastaj rastin e bombardimit të RTS-së, pastaj rastet e bombardimeve të urave( mbi të cilat vendosnin civil gjoja vullnetar), e duke kulmuar me përdorimin e mburojave të gjalla, që ishin kryesisht refugjat civil shqiptar, si në rastet e Korishës, Gjakovës etj. Madje rasti i Gjakovës është edhe më inkriminues, për dallim nga rastet tjera. Pasiqë forcat serbe, vendosin locator, përzihen qëllimisht në konvoj të refugjatëve, maskojnë si makineri civile dhe përdorin për transportim ushtarak makineri civile, për të vazhduar me masakrimin e civilëve pas “goditjeve të gabuara të NATO-s”.

Incidentet ku pati civilë të vrarë, gjatë bombardimit të NATO-s, shihen qartazi që në rastet kur viktima ishin civilët shqiptar, numri ishte çdoherë më i lartë, kurse në asnjë rast kur civilët ishin serb, nuk kishte viktima të shumta, si rasti i Gjakovës rreth 73 viktima civile shqiptare, rasti i Korishës deri 87 viktima civile shqiptare, rasti i Lluzhanit rreth 39 viktima civile shumica shqiptare etj.

Më 14 prill 1999, sulmi i gabuar i NATO-s, ndaj një konvoi të refugjatëve Shqipëtar në afërsi të Gjakovës, ku mbi 70 raportoheshin se kishin vdekur dhe 100 të tjerë të lënduar. Ka paqartësi në këtë rast, sepse avionët e NATO-s, lëshuan bomba në 4 lokacione të ndryshme brenda periudhës 2 orëshe. Në disa raste edhe vetë viktimat në rastin e intervistimit nuk e kanë kuptuar që kanë qenë përdorë nga forcat serbe si mburojë e gjallë, rasti i tillë ishte konvoji i refugjatëve të brendshëm të Kosovës, që u bombarduan nga NATO, në Mejë të Gjakovës, e që forcat serbe disa fshatra kufitare me Shqipërinë, i kishin shpopulluar qëllimisht dhe në escortë në krye dhe në fund të kolonës i kishin shoqëru me makineri ushtarake në drejtim të Gjakovës dhe tutje. Kolonën që ishte në Mejë dëshmitarët rrëfejnë që e kishte goditë një bombë e vetme traktorin e parë dhe rimorkion e tij( e që më pas dëshmitarët shqiptar e dëshmojnë se brenda saj ishte vendosur lokatori nga forcat serbe), e që pas goditjes kishin arritur një grup i vogël i policisë dhe oficeri i tyre i kishte thënë që NATO-ja i sulmoi dhe që i kishte kërkuar të fsheheshin në shtëpinë afër. Në oborrin e shtëpisë kishte 7 traktorë dhe asnjë makinë ushtarake, kurse dy dëshmitarë tregonin që në shtëpi ishin të stacionuar policia serbe. Pastaj pas 10 deri 30 minuta kishte ndodhur sulmi i dytë edhe më i ashpër, në shtëpinë dhe afër saj, e që pastaj refugjatët kishin ikur për në mal që ishte pas shtëpisë në fjalë dhe pas 1 ose 2 ore ishin kthy në rrugë, ku kishin ardhur edhe forca më të shumta policore, që i mblidhnin kufomat dhe të plagosurit.

Ka raporte që japin indikacione që në kolonë të ketë pasur të përizier edhe makina ushtarake, deri edhe të tilla që theksojnë që kolona qëllimisht shfrytëzohej si mburojë njerëzore. Madje në disa raste edhe vetë të intervistuarit, nuk e kanë kuptuar që janë përdorur nga forcat jugosllave si mburojë e gjallë. Edhe i mbijetuari i bombardimit të Mejës, Safet Shalaj nga Juniku, kishte rrëfyer që ditën kritike kishin qenë 7 ose 8 traktor dhe disa makina, kur NATO, i bombardoi ato, dhe se me konvojin civil kanë qenë edhe 2 ose 3 pizgauer në fillim kurse pas tyre ushtria serbe i djegte shtëpitë dhe pas bombardimit refugjatët u morën dhe i vendosën brenda shtëpisë me policët serb dhe se i mbijetuari nuk fajësonte NATO-n. Kolë Hasanaj, po ashtu thekson që “… kur avionët e NATO-s u panë në qiell, makinat ushtarake serbe u përzien me kolonën e refugjatëve. Pas bombardimit forcat serbe shkuan në mal.”

Sipas Ligjit Ndërkombtar Humanitar theksohet në nenin 50, paragrafi 3 të Protokolit I të Konventave të Gjenevës 1949, edhe në rastet kur brenda popullatës civile gjenden individ që nuk përfshihen në definimin si civil, nuk e privon popullatën civile nga karakteri i saj.
Për fat të keq, Institucionet e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë pasur mundësi, nuk kanë bërë asnjë veprim as minimal për zbardhjen dhe paraqitjen edhe të këtij rasti para opinionit botëror dhe institucioneve relevante ndërkombtare.

Vetëm pas 5 dite zyrtarët e NATO-s, dolën me një qëndrim në lidhje me këtë rast, por versioni final për incidentin ngritë pikëpyetje serioze. Fillimisht nga aleanca e NATO-s, u deklaru që forcat serbe e kishin shkaktu rastin, një deklarim të tillë e kishte bërë edhe zëdhënësi i Pentagonit Kenneth Bacon, që kishte deklaruar që avionët jugosllav ishin përdorur për të sulmuar konvoji i të zhvendosurve Shqipëtar. Këtë e kishte theksuar edhe një dëshmitar dhe i mbijetuar i rastit, që kishte pasur disa makina ushtarake serbe të përziera në konvojin e refugjatëve, gjegjësisht një tjetër kishte deklaruar që makinat ushtarake serbe përziheshin nëpër konvojin e refugjatëve. Zëdhënsi i Pentagonit, Bacon, kishte theksuar që gjenerali Klark kishte pranuar raporte që vërtetonin që konvoji i refugjatëve ishte goditur nga forcat serbe, pasiqë avionët e NATO-s kishin goditur makinat ushtarake.
Sipas burimeve serbe, që i mveshej ky krim NATO-s, thuhej që ishin vrarë 82 dhe ishin plagosur 50 sipas Komitetit për përpilimin e të dhënave për krimet kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, kurse sipas Librit të Badhë të Jugosllavisë, jepej shifra prej 73 të vrarëve dhe 36 të plagosurve.
Mirëpo më 15 prill 1999, në një konferencë për medie në Bruksel, gjenerali Marani nga NATO, kishte pranuar që avionët e NATO-s, gabimisht kanë goditur një konvoj të refugjatëve Shqipëtar dhe shprehte keqardhje, e i cili deklaronte që 1 ose dy avionë ishin përfshirë në këtë incident.

Më 16 prill 1999, Jamie Shea, zëdhënësi i NATO-s, deklaron që kishte ndodhur vetëm një incident, që kishte rezultu me viktima civile në veri të Gjakovës, por kishte kërkuar nga gazetarët që të kërkonin shpjegime nga Beogradi për incidentet tjera në afërsi të Gjakovës, më 14 prill, e që vendin e ngjarjes e kishin vizituar edhe gazetarë të huaj.

Edhe në Librin e Bardhë, Ministria e Jashtme e Serbisë, e përshkruan kështu situatën, thekson që në predhën e parë, janë vrarë 12 refugjatë shqiptar, kryesisht gra e fëmijë, pastaj refugjatët braktisën karvanin dhe kërkuan strehim në shtëpinë e Sadi Hasanaj, ku NATO, sërish i bombardoi duke vrarë edhe 7 persona, e që të tjerët kishin ikur për në mal, kurse i kishte identifikuar policia serbe 4 viktima( Martin Hasanaj, Lekë Hasanaj, Sali Gjokaj, Shkëndije Gjokaj), kurse 6 të plagosur ishin dërguar në repartin e kirurgjisë në spitalin e Gjakovës. Në goditjen me raketë nga NATO, në rrugën mes fshatit Mejë dhe Gjakovës, thuhet se ishin vrarë 20 persona përfshirë edhe 5 fëmijë. Kurse tek Ura e Terzijve në fshatin Bishtazhin, ishin sipas citimit të dëshmitarit rreth 20-30 persona në traktorin e parë me rimorkio që ishte shkatërruar tërësisht dhe nga traktori i dytë 6 persona, e që në vendin e ngjarjes ishin gjetur 15 trupa. Mirëpo në këtë rast përmendet që ishin plagosur edhe disa polic serb që siç thuhet “kishin qenë në detyrë të rregullt” të Stacionit policor të Gjakovës: Pavle Zhuviq i plagosur lehtë, Milan Shqepanoviq( tronditje), Bozhidar Vukiqeviq( i ishin plasur timpanat e veshit) dhe Bozhidar Dimiq i plagosur rëndë në pjesën e poshtme të këmbës së majtë. Vazhdon pastaj për rastin e Gradishit, ku thuhet se NATO, kishte shkrepur 4 raketa dhe kishte shkatërruar 2 traktor, një makinë Mercedes dhe një kamion. Në Spitalin e Gjakovës, kishin kërkuar mjekim 6 burra, 17 gra dhe 8 fëmijë e që një prej tyre kishte vdekur pas dhënijes së ndihmës mjekësore. Shënohej që 56 persona ishin vrarë të të dy gjinive dhe 36 ishin lënduar.
Në total numri i të vrarëve sipas Librit të Bardhë, ishte si vijon: në Madanaj 19 të vrarë dhe 6 të plagosur, në Mejë 20 të vrarë, tek Ura e Terzijve 15 të vrarë, në fshatin Gradish 1 i vrarë, kurse në gjitha këto kishin mbetur 37 të plagosur, 43 persona ishin sjellur në spital 2 prej të cilëve kishin vdekur, dhe në fshatin Brekoc ishin 4 persona të vrarë, e që në total 61 persona të vrarë dhe 41 të plagosur. Sipas Raportit final për Prokurorin, nga Komiteti i themeluar për rishikimin e kampanjës së bombardimit kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, theksohej që në total ishin vrarë 70-75 dhe ishin plagosur rreth 100, kurse citon Librin e Bardhë, që ishin vrarë 73 dhe plagosur 36.

Gazetarët ndërkombëtar kishin gjetur prova materiale si dhe dëshmitar okular që jepnin fotografi të ndryshme nga ato të dhëna nga NATO. Aty paraqitej që nuk ishte vetëm një sulm në një fluturim, por ishin në 4 vendndodhje. Madje dëshmitarët okular tregonin që avionët lëshoheshin në pikiatë, lëshonin bombën dhe ktheheshin sërish, e disa reporter besonin që kishin prova materiale që jepnin indikacione që ishin përdorur bomba kasetore( nënmunicione).
Tanjug raportonte që edhe 3 polic serb të cilët siguronin zonën për konvojin e refugjatëve ishin vrarë nga bombardimi i NATO-s.

Në Selinë qendrore të NATO-s, më 17 prill gjenerali Marani, refuzoi të përgjegjet duke arsyetuar se është çështje e hetimit që duhet të pritet, në lidhje me numrin e avionëve të NATO-s, që kanë kryer këtë sulm dhe sa bomba janë hedhur. Më 19 prill 1999, gjeneral brigade Daniel O. Leaf, prezenton rezultatet finale të NATO-s, në lidhje me incidentin dhe thekson që kishin ndodhur dy sulme në dy caqe të ndara, e para ishte në verilindje të Gjakovës, ku avionët e NATO-s kishin goditur me dy bomba makinat civile dhe rasti i dytë kishte ndodhur në rrugën për në Prizren, në juglindje të Gjakovës, ku kishin goditur një kolonë, e cila dukej si kolonë ushtarake, por me gjasë mund të kenë qenë civil në dy lokacionet. Por gjenerali Leaf, deklaronte që ishin përfshi disa avion, por që asnjëri nuk ka zbritur në lartësi më të ultë me rastin e lëshimit të bombave dhe se të gjitha bombat që janë përdorur kanë qenë GBU-12 me dirigjim laserik, e që të kundërtën e japin edhe dëshmitarët okular dhe të mbijetuarit që avionët kanë bërë pikijatë kur kanë lëshu bombat dhe pretendimin e reporterëve që kanë hedhur bomba me nënmunicione. Madje gjeneral brigade Leaf, theksonte që avioni F-16, kishte goditur makinën ushtarake serbe e pastaj forcat serbe kishin sulmuar me granata thërmuese dhe bomba dore konvojin e civilëve dhe se NATO, nuk kishte përdorur nënmunicione.
Derisa sulmi i dytë në juglindje të Gjakovës, ndodhi sipas shpjegimit të gjeneral brigadës Leaf, kur piloti hulumtonte një kolonë me më shumë se 100 makina nëse ishte ushtarake ose jo dhe ai ishte i bindur që ishte kolonë ushtarake në bazë të pamjes dhe ngjyrës së njejtë të 20 makinave të para që shiheshin nga ajri dhe se mbanin distancë, ritëm dhe lëvizje karakteristike të lëvizjeve ushtarake. Por shkaku që mund të ishte kolonë e refugjatëve civil të shpërngulur brenda vendit, ishte diskutuar më shumë me ABCCC( Airborne Command Control and Communications), kishin ndërmarr masa paraprake shtesë për ta verifikuar validitetin e cakut, por që nuk e zbuluan e që lëshuan një seri bombash një orë e gjysmë pas sulmit të parë, e që pas hedhjes së disa bombave rreth 40 minuta më vonë sulmi ishte suspenduar, duke dyshuar që konvoji ishte më i gjatë sesa kolonat e forcave serbe zakonisht që lëviznin, edhe pse i kishin verifiku sërish edhe me dylbi nga pilotët, sërish ishin bindur që ishin makina ushtarake dhe me mundësi të makinave civile brenda kolonës së tillë.
Por gjeneral brigade Leaf, duke u referu edhe në dëshmitarët beson që forcat serbe e kanë përdorur konvojin si mburojë njerzore dhe makinat ushtarake dhe policore i kishin vendosur në krye të kolonës dhe se Serbia i kishte lejuar reporterët e medieve të huaja të shkonin në vendin e ngjarjes vetëm një ditë të plotë më vonë, e që ishte e mjaftueshme kjo kohë për t’i hequr të gjitha makinat ushtarake dhe pjestarëte e tyre nga vendi i ngjarjes.

Sipas raportimeve të medieve serbe, thuhej për mbi 80 viktima, kurse reporterët theksonin për rreth 20 viktima shumica e të cilëve nuk dukeshin viktima të bombardimit të NATO-s. Theksohej që kishte prova që serbët e kishin sulmuar kolonën poashtu duke u bazu në raporte nga terreni dhe dëshmitarë të intervistuar nga OSBE, ku shihej që një kolonë e gjatë e refugjatëve në juglindje të Gjakovës. Madje refugjatët kishin deklaruar që sulmi kishte ndodhur nga fluturimi i ajroplanit MiG, në lartësi të ultë dhe që kishin hedhur municione kasetore dhe granata nga helikopteri. Derisa zyrtarët e NATO-s, theksonin që avionët e tyre nuk kanë fluturuar ultë, nuk kanë përdorë në këtë rast bomba me nënmunicione dhe nuk kanë përdorë as helikopter. Me fillimin e sulmit të dytë nga bombat e NATO-s, dëshmitarët tregojnë që janë sulmuar edhe nga mortajat e forcave serbe.

Në lidhje me procedurat për aprovimin e një sulmi të NATO-s, pas rastit të goditjes së gabuar të avionëve të NATO-s, në afërsi të Gjakovës, u kërku nga pilotët që të identifikonin edhe vizuelisht caqet nëse në afërsi ka civilë. E që për të shmangur gabimet në të ardhmen, pilotët kishin kërkuar nga kontrollorët ajror të tyre, që me rastin e shkrepjes së projektilëve a lëshimit të bombave të bëjnë pikijatë për ta identifiku cakun, duke u ulur nga 15.000 këmbë në 8.000 këmbë dhe përsëri pastaj të ringriten në tavanin prej 15.000 këmbësh.

Në një intervistë kryeministri Britanik Tony Blair, reflektonte mbi bombardimin e Radio televizionit shtetëror të Serbisë vetëm pak ditë pas rastit të bombardimit të gabuar në afërsi të Gjakovës, më 23 prill bombardohet qëllimisht Radio televizioni shtetëror i Serbisë. Ndër të tjerat theksonte kryeministri Britanik, që ishte edhe arsyeja që ky televizion manipulonte me pamjet video të bombardimit të gabuar nga avionët e NATO-s të konvojit të refugjatëve Shqipëtar në afërsi të Gjakovës e të cilat rishpërndaheshin në mediet perëndimore në këtë mënyrë minonte mbështetjen e luftës brenda aleancës së NATO-s.

Raportit final për Prokurorin, nga Komiteti i themeluar për rishikimin e kampanjës së bombardimit kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, siç gjenerali Klark theksonte që në vazhdimësi forcat serbe përziheshin me konvojin civil, derisa zyrtarët e NATO-s theksonin që konvoji dukej plotësisht ushtarak si për nga lëvizja, madhësia, forma, ngjyra, hapësira mes tyre, shpejtësia e lëvizjes. Por mbi bazë të arsyetimit, rekomandon që nuk ka bazë për hetim as në këtë rast.

NATO ka bërë hetim siç u tha dhe ka dhënë versionin e ngjarjes, autoritetet pushtuese serbe gjithashtu kanë shfrytëzu edhe në maksimum rastin, kurse vetëm Institucionet e Republikës së Kosovës, as pas më shumë se dy dekadash, nuk kanë bërë as gjënë më të vogël, pos fjalimeve dhe lotëve të krokodilit, në tubimet përkujtimore të kësaj masakre.

——————–

Skënder Jashari, i burgosur politik nga  EULEX, për rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë  së Serbisë në  Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është marrë nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në  burgimin politik! Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

Please follow and like us: