Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: E ka pirë kafen?

Tregim

 

Ajo u kërrus më shumë, si të ishte një shkarpë e dobët, që nuk e duronte dot peshën e rëndë të një dëbore që vetëm shtonte trashësinë mbi gjethet që shkëputeshin të pajeta një e nga një nga dega e brishtë. Ajo u tkur më shumë, u mblodh sa një grusht, si fjala e vetme që qarkullon gojë më gojë, si të jetë e vetmja dritare ngushëlluese për të vështruar dhe dalluar dritën e pastër të jetës. Ishte tkurur si trupi i iriqit, që kur ndeshet me rezikun, e mbledh trupin sa një grusht, duke u dhënë force gjembave të tij për t’u mbrojtur. Edhe sytë humbën shkëlqimin, u bënë të mjegullt, sikur moti i keq të kishte folenë aty, me gjithë vrejtësinë, hirtësinë e reve të plumbta, me shkëlqimin e rrezeve të diellit fshehur pas ngurtësimit.

Lëvizte natën në shtrat, si të gjendej mbi gjembat e ferrës. I jepte trupit përpjetë, gjysëmmbledhur, vështronte divanin tjetër. Ishte errësirë. Sytë nuk kishin forcën t’a shponin masën e squllët të mosqartësië. Kushedi sa herë i kishte shqiptuar ATIJ, që duhej të mbanin mbi komodina, në mos dy, të paktën një dritë nate. Jemi pleq, duhet të shkojmë në banjë natën. Nuk na ndajnë më sytë dhe do të thyejmë qafën…

Jo, kundërshtonte AI, kërkesën e saj, drita ma zbon gjumin. Pastaj kush duron ato flutura të natës që do sillen rrotull dritës, nuk më pëlqen që hija e lojës së tyre, të turbullojë ëndrrat…

Dhe mbyllej biseda e përsëritur çdo natë. Por rihapej përsëri të nesërmen kur muzgu tretej për t’i lënë vendin mantelit të zi që vishte nata si një priftëreshë e tempujve antikë. Dhe kërkesa kundërshtohej me të njëjtat fjalë. Përsëri përsëritej të nesërmen, të pasnesërmen, përsëri, përsëri, dhe …përsëri mbytej në errësirën e natës, si një rit i pakthyeshëm në trajtën e njëtrajtshmërisë. E ky avaz, kishte vazhduar prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, qysh kur drita elektrike hyri në shtëpinë e tyre.

Edhe pse mundohej të shqepte errësirën e dhomës, për të shquar divanin tjetër, vetëm shtonte rrathë njollash të errta në syrin me vështrim të lodhur dhe dobësuar. Ehhh, t’iu marrë shejtani edhe ju sy, mallkonte paaftësinë e vet. Por, aty për aty, e mblidhte arsyetimin dhe bëhej pak më e mençur. Të merr në njërin krah Perëndia e ta jep në krahun tjetër, shqiptonte me zë, por shpejt kafshonte gjuhën. Ende ndiente frikën e asaj kohe të mallkuar, kur u vunë kazmën shtëpive të ëngjejve dhe Zotit. Pas një heshtje dhe qëndrimit në errësirë, ftillohej, kujtohej që kishin ndryshuar kohët. Këmbanat kishin tingëlluar edhe gëzuar edhe vajtueshëm. Nëse do të ishte akoma ajo kohë, tani, fëmijët e saj nuk dë qenë shpërndarë nëpër botë si zogj të trembur dhe arratisur nga foleja.

Si mbaronte ato dialogje pa përgjigje me vehten, mbante vesh qetësinë e plotë të dhomës. Mbase duhej të dëgjonte një gërhitje të lehtë, apo edhe një përplasje buzësh të thara nga sëmundja, që kërkonte pak ujë. Por heshtje! Asnjë tingull, heshtje e plotë. Edhe frymëmarja e saj ishte bërë njësh me heshtjen, nuk ndihej as duhma e saj duke frymuara. Dëgjoi një të folur në gjumë? Me siguri më gabojnë veshët, duhej t’i mbushte mendjen vehtes, se nuk ishte asnjë tingull tjetër në atë dhomë veç heshtjes së natës, heshtjes së saj… Mundet, po më lënë në udhë edhe këta të shkretë veshë!

Lëvizi nga divani-shtrat. E njihte udhën nga divani deri tek dera. E kishte të fiksuar në gjithë trupin. Këmbët lëviznin vetë, aq dhe sa hapa duheshin për të prekur dorezën e derës. Duhej të shkonte në banjë. Përsëri dy fjalë të shqiptuara në gjumë.

I thirri fort arsyes, mblodhi veten. Ishte e bija. Flinte në shtratin e TIJ, në divanin e TIJ. U ftillua në kujtesë. AI, ishte larguar njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë. E ajo, nuk dëshironte ta pranonte…

Po kthehej nga banja. Mbante në duar një peshqir. Duhet t’i ndërroj tjetrin, që me siguri është qullur nga djerësitja. Disa muaj që ndëronte peshqirin nga nënkresa e TIJ. Nuk vinte gjumë në sy. I ndëronte peshqirin, fanellën. Të nesërmen lante fanellën dhe peshqirin, që AI, të kishte fanellë të pastër, e në jastëk të nderej një peshqir i thatë. Kishte një dyzinë fanellash të punuara nga dora e saj, po aq edhe peshqirë, sa për një kohë shumë të gjatë të mos lante dhe shpëlante ato që ndërronte AI.

Por meraku, ah meraku i gruas. AI gjithmonë duhej të shkëlqente nga pastërtia, të dukej bukuria e burrit që ajo e dashuronte me mënyrën e saj arkaike, me mosdijen e dashurive që duken vetëm fasadave të hipokrizisë. E çfarë gruaje mund të jetë ajo, që nuk i vriten sytë edhe nga njolla më e vogël në rrobën e burrit, i kthehej të kunatës, kur kjo e fundit e ngacmonte për kujdesin e tepruar të saj, duke shqiptuar se shumë e zbukuron burrin, por avash, se mos t’a rrëmben ndonjë tjetër…

Rrudhte buzët, e ndiente fijen e zemërimit që trallavitej brenda në kraharor, por ruante atë qetësinë që fitonte kur ndeshte sytë e TIJ, i përgjigjej qetë kunatës, po të ketë atë mendje, udha e mbarë i qoftë. Mua, të më rrojnë fëmijët!

-Si fjete mama? -dëgjonte zërin e të bijës në mëngjes.

I linte përpara filxhanin e kafesë, që mbushte ajrin e dhomës me një aromë të fortë ngacmuese. Ishte ndjellëse ajo aromë.

-Ai, yt atë, është këtu, me ne!-gjerbte kafenë, duke lëvizur vështrimin në hapësirën dhomës, e rrëzonte pastaj, për ta ngurtësuar tek divani, atje ku kishte fjetur AI. -E ndiej kur lëviz, më rrëfen udhën në errësirën e natës. I dëgjoj hapat, pranë veshit më ushton frymëmarrja e thellë. Do të flasë, diçka do të më thotë. Por nuk mundet, e mundon diçka…

-Mama, -e ndërpret e bija, në përlotje. -Babai nuk jeton më, e kupton apo jo?

-Si?! Nuk jeton më? -tulatet, rrotullon vështrimin plot ankth si të ketë humbur Brenda dhomës. Pastaj, e gjen veten pranë të bijës, e mbështjellë nga përqafimi i saj. Ndjen edhe lotët, në lëkurën e thatë të fytyrës së saj. E shtërngon zemra. Rënkon dhe për një çast nxehet me ATË, me bashkudhëtarin e mëse gjashtëdhjetë viteve të jetës së saj. Pa ditur shumë si mund të ishte dashuria, e dashuroi në mënyrën e vet, të thjeshtë mbase edhe pak antike, ATIJ, që kurrë nuk ia përmendi emrin ndër të tjerë, apo edhe t’i drejtohej e t’i fliste njëherë të vetme me emër. Të shqiptonte emrin, dukej sikur do të shkatëronte mënyrën e saj të të dashurit, mënyrën e të respektuarit si burrë dhe bashkëudhëtar për një jetë të tërë. Por AI, e kishte tradhëtuar në atë rrugëtim, e la në mes të rrugës, të vetme. Kjo ide, nxori dufin e shfryrjes: -Iku? Po, po. Iku dhe më la vetëm. Nuk i erdhi keq për mua? Pse më la vetëm, përse?

-Mama, nuk je vetëm, -e ngushëllon e bija. Ndjen mbi flokët e zbardhur, ndalesën e buzëve të së bijës. Në qafë i mblidhet shamija që burgos tufën e flokëve të kokës.

-Po, nuk jam vetëm! Jam plot, me nipër e mbesa. Të më kini jetë të gjatë dhe qofshi me barkun plot gjithmonë, -vazhdon ajo. -Por ai, nuk duhej të largohej kaq shpejt, jo…

-Po vuante nënë, do të lëngonte në shtrat…

-Vetë do ta laja dhe shpëlaja si një fëmijë, -ngulmoi ajo.-Mjaftonte ta kisha aty në krye të këndit. Po tani, si është? Ka ftohtë? Kush ia ndëron teshat e lagura nga djerësitja? Do të ketë ngrënë? Po kafenë, e ka pirë?

Ndërkohë, dita hapte dyert. Vinin e shkonin të afërm e t ë tjerë, bisedonin dhe kujtonin. Brenda bisedave ishte AI. Ajo mblidhej grusht në divan. E ndinte veten gjysmake, të gjysmuar nga ana tjetër e një jete që s’mbahej mend qysh kur kishte filluar rrugëtimin. Që kishin ndarë gëzime dhe hidherime bashkë, me lëngun e hidhur të kafesë duke e gjerbur në mengjeset e herta, kur AI, nisej për në punë, apo në mesnatën e vonë, kur kthehej nga puna. Lotët ishin burgosur në sytë e saj. Ishin shterur apo tharë? Jo, jo! Për ATË, që kishte qënë gjithë jeta e saj, dashuria e vetme, më e madhja dashuri, iluzioni turbullues i burrit që e robëroi në ndjenja, mjaftonte një grimë, që të krijonte lumenj lotësh. Por jo, duhej t’a mbante vehten. Kishte mënyrën e vet për ta qarë dhe vajtuar ikjen e TIJ, me dhimbjen që rëndonte si gur mbi trupin e shterëzuar.

E ndërsa afrohej nata, do t’i shqiptonte të bijës se AI, ishte aty, në atë dhomë. Ajo e ndiente, i ndihte frymëmarjen e rënduar.

E në mëngjesin tjetër, do pyeste të bijën:

-E ka pirë kafen?

Janar 2022, exlibris.

Please follow and like us: