Lea Ypi: Mirënjohje për çmimin ‘Lumo Skëndo”!
Duke falënderuar jurinë për këtë çmim, dua të shpreh bashkë me mirënjohjen për vlerësimin e librit “Të Lirë”, edhe nderin që ai është rreshtuar në këtë listë finalistësh mes emrave të autorëve të cilët i admiroj jo vetëm për veprat e tyre, por edhe për integritetin intelektual dhe politik.
Libri ka zbritur në Shqipëri jo pa hezitim nga ana ime dhe është pritur jo pa polemika nga ana e publikut. Madje, Shqipëria ka qenë i vetmi vend në botë ku sasia e polemikave i ka kapërcyer shprehjet e vlerësimit. Tek ndiqja nga larg debatet që ai ngjallte, e ngushëlloja veten duke kujtuar një thënie të Ungjillit të vjetër: nemo propheta in patria – askush nuk është profet në vendin e tij. Jo se libri përmban ndonjë profeci, por pasi versioni modern i profecive të dikurshme janë kritikat që u bëhen shoqërive dhe ato kritika në këtë libër nuk mungojnë. Vlerësimi me këtë çmim tregon se mbase kjo ndjenjë e të mosqenit e kuptuar në vendin tim ishte një reagim mbase i nxituar dhe për këtë ju falënderoj.
Titulli “Të lirë” është ironik, pasi liria në libër shfaqet ndonjëherë si premtim e ndonjëherë si zhgënjim, por kurrë si realitet politik. Për mua, liria lidhet ngushtë me dinjitetin njerëzor dhe shpaloset në zgjedhjet morale që bëjmë, pavarësisht nga pengesat. Këtë aftësi morale për të bërë dallimin midis së mirës dhe së keqes, çdo njeri e mbart brenda vetes dhe nuk ka forcë, sado shtypëse, që ta zhdukë plotësisht. Në qendër të veprës së Mithat Frashërit gjejmë diçka të ngjashme. Këtu e një shekull më parë ai u bënte thirrje shqiptarëve duke folur për fuqinë morale të një kombi dhe duke vënë theksin tek dallimi midis lirisë së vërtetë dhe asaj në anarki. Liria e vërtetë, shkruan Mithat Frashëri, nuk është liria që gjejmë në natyrë, aty ku njeriu bëhet ujk për njeriun, ku shqetësohet vetëm për plotësimin e nevojave natyrore dhe ndjek instinktet natyrore, dëshirën për të realizuar qëllimet e tij pa e vrarë mendjen për pasojat e veprimeve të tij tek të tjerët. Liria e vërtetë është ajo që ndërtojmë nëpërmjet institucioneve politike të drejta dhe të barabarta.
Natyrisht unë kam një orientim politik krejt tjetër nga ai i Mithat Frashërit dhe me shumë nga bindjet apo zgjedhjet e tij nuk bie dakord. Por Shqipëria është një vend tepër i vogël dhe me një histori të mendimit tepër të shkurtër për të pasur luksin t’i lërë ndasitë politike të pengojnë përpjekjet për përparim të përbashkët. Ajo që Mithat Frashëri ka shkruar sot e 100 vjet më parë: nevoja për të rritur përgjegjësinë morale në jetën publike mbetet po aq e vërtetë dhe e domosdoshme sot, pavarësisht dallimeve në opinion.
Por për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje nuk është e nevojshme të banosh në të njëjtin shtet, të shkelësh të njëjtën baltë. Mithat Frashëri e filloi jetën e tij në Selanik dhe e mbylli në New York. Ai shkruan diku se vetëm i padituri dhe i paqytetëruari lidhet me tokën e tij ‘nga një lithkë e vetme: frika e rrojtjes’. Ndërsa të qytetëruarin dhe të përparuarin, na mëson ai, e lidhin me truallin të gjithë zërat e të vdekurve, të brezave paraardhës, që kanë punuar për të ngritur profilin intelektual të atij vendi. Prandaj unë ndihem veçanërisht mirënjohëse që, pavarësisht se jam rritur në Durrës dhe jetoj në Londër, lidhem me këtë vend nëpërmjet zërit të Mithat Frashërit, nëpërmjet të vdekurve, por edhe të gjallëve, zërave të shkrimtarëve shqiptarë kudo ku jetojnë, veprave të të gjithë autorëve në këtë listë. E tani, edhe nëpërmjet këtij çmimi.
Fjala përshëndetëse e shkrimtares Lea Ypi, me rastin e marrjes së çmimit “Lumo Skëndo”.
Please follow and like us: