Albspirit

Media/News/Publishing

‘Të lirë’ nga Lea Ypi fiton çmimin ‘Lumo Skendo’ si libri më i mirë i vitit 2021

Lea Ypi, një prej personazheve më të përfolur muajt e fundit me librin e saj “Të lirë” ka rrëmbyer çmimin “Lumo Skendo” si libri më i mirë për vitin 2021.

Ky çmim iu akordua për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në periudhën e komunizmit dhe tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor.

Çmimi iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ishte e pranishme në ceremoninë e dhënies së çmimit.

Në këtë libër autorja Lea Ypi sjell kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të cilat janë vlerësuar se përcjellin vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor dhe meditim politik.

Në garën për çmimin “Lumo Skëndo” ishin dhe autorë si Fatos Lubonja me librin e tij të fundit “Jetë burgu”, Rubens Shima me “Posteri shqiptar”, Fatmir Toçi me “Arbëreshët” dhe Kujtim Shala me “Zbulimi i Zef Pllumit”.

Juria përbëhej nga Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”; Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Dhurata Shehri, zv/dekane e Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë, Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, UET dhe Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Të pranishëm në ceremoni ishin një sërë figurash të shquara nga fusha e letërsisë shqipe si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Të lirë” e Lea Ypit u përzgjodh edhe për çmimin prestigjioz Baillie Gifford për letërsinë jo-fiction.

Mediat si ‘The Guardian’, ‘The Times’ dhe ‘Financial Times’ kanë botuar recensione mbi librin e Ypi-t. ‘Të lirë’ u promovua për herë të parë nëntorin e kaluar në Tiranë, pikërisht në vilën e ish-udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, në një nga sallat e pritjes, të cilën Lea do ta cilësonte si kurorëzimin e një ëndrre.

Lea Ypi: Mirënjohje për çmimin ‘Lumo Skëndo”!

Please follow and like us: