Ku fshihen paratë e oligarkëve rusë?
Sipas Atlantic Council, rreth $1 trilionë dollarë të ‘parave të pista’ ruse janë të fshehura jashtë Rusisë. Në një raport të vitit 2020, ata raportuan se 1/4 e kësaj shifre kontrollohej direkt nga presidenti Vladimir Putin dhe partnerët e tij të afërt të njohur si – oligarkë. “Këto para mund të përdoren nga Kremlin për spiunazh, terrorizëm, ryshfete, manipulime politike, dezinformim dhe shumë qëllime të tjera dashakeqëse,” – thuhet në raport.
Si i bëjnë paratë oligarkët rusë?
Një tjetër raport i American National Endowment for Democracy, e akuzon Putin se i inkurajon oligarkët e tij që “të vjedhin nga buxheti i shtetit, të vënë gjoba ndaj bizneseve private si dhe të orkestrojnë monopolizimin e industrive fitimprurëse”.
Ku fshihen paratë?
Kush janë 10 mega-oligarkët rusë dhe ku investohen paratë e tyre?
Shtetasit më të pasur rusë thuhet të kenë humbur më shumë se $38 miliardë dollarë gjatë vitit 2022 si pasojë e sanksioneve të Perëndimit kundër pushtimit rus të Ukrainës. Së bashku, 10 oligarkët më të mëdhenj rusë kanë një pasuri prej $186 miliardë dollarësh, e cila mund të krahasohet me kompani si McDonald’s.
Metalet, Veprat e Artit, Luksi dhe Sportet
Këto janë disa nga industritë kryesore ku oligarkët rusë i kanë investuar paratë e tyre. Rusi më i pasur, Vladimir Potanin ka 35% të aksioneve të kompanisë Nornickel. Kjo është kompania më e madhe në botë për prodhimin e paladiumit – metalit të përdorur në industrinë e makinave, dhe nikelit – një metal thelbësor në prodhimin e baterive EV dhe energjisë së rinovueshme.
Potanin është gjithashtu një koleksionist i madh i veprave të artit. Ai ka qenë pjesë e bordit të Muzeut të Gugenheimit prej 20 vitesh. Arti dhe luksi janë të zakonshme mes oligarkëve rusë dhe jo vetëm, pasi blerja e veprave të artit shpesh konsiderohet si një nga mënyrat më të mira për të shmangur taksat dhe për të pastruar paratë. Oligarkët rusë janë gjithashtu disa nga pronarët më të mëdhenj të çarterave privatë dhe superjahteve – disa prej të cilëve janë bërë objektiv i sanksioneve perëndimore, edhe pse shumë prej tyre kanë arritur tashmë në ‘ujëra të sigurt’ si Ishujt Karaibe. Përveç artit dhe objekteve të luksit, oligarkët rusë kanë shumë investime edhe në industrinë e sportit. Roman Abramoviç, dikur një prej shtetasve më të pasur rus – ka qenë për disa vite pronar i Klubit të Futbollit të Çelsit – një skuadër e bazuar në Londër.
Sa janë ndikuar ata nga sanksionet?
Kjo nuk është hera e parë që oligarkët rusë përballen me sanksione të forta ekonomike. Në fakt, që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, 20 miliarderë rusë u sanksionuan nga BE, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Kanadaja. Shumica prej tyre kanë prona të shumta dhe asete të regjistruara në emër të të afërmve të tyre, si dhe shumë prej pasurive të tyre ndodhen prej kohësh në parajsa fiskale si Ishujt e Virgjër Britanikë. Për shembull, sapo u godit nga sanksionet, Alexey Mordashov i njohur si ‘baroni i çelikut’, i transferoi shumicën e investimeve të tij në flori tek gruaja e tij Marina. Vendet perëndimore po hartojnë politika të ndryshme që kanë qëllim vendosjen e këtyre oligarkëve para përgjegjësisë por mënyrat e përdorura prej tyre për t’u fshehur i kanë rrënjët në probleme sistematike të cilat nuk përdoren vetëm nga oligarkët rusë por biznesmenë dhe miliarderë të të gjitha kombësive./euronews albania