Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: BALADA E SHQIPONJËS

Kam dashur atje, nga rrjedh kaltërsia,
Të kem një shqiponjë prej visesh të mia.
….
Një vjeshte të largët më erdhi dhuratë,
Shpendi sundues i malit të lartë.
I nxirë një krah nga plumb vrastar,
Dhe syve shkreptima që kurrë s’kisha parë.
Dëshirë e imja, e çmendur dëshirë…
Ta mbaja për vete shtatore të ngrirë.
Ç’dhimbje i dhashë, e ç’ngasje s’më ndali,
Të lija xhelatin t’a ngrijë së gjalli.
Nga helm i gjilpërës vështrimi iu vesh,
Dhe dielli i vjeshtës u fsheh prapa resh.
Te maja mbi majat, ku shqipja sundonte,
Me kthetrën e mbledhur tani më s’jetonte.
S’kisha më zemër ta shihja pa shpirt
Shtatore të ngurtë, me sytë pa dritë.
I hodha në krahë dy flatrat e saj
Nemitur, e ngrita, e s’munda të qaj.
Përmes, kraharori ish enjtur me lot
Dy duar s’më bënin t’ia hapja një gropë.
Mes qiejve u zhduk u mbyt hëna gri,
Kur shpendin mbuloja me dheun e zi.
Tek ikja, ra terri… mesnatës u ngjiz,
Si plagë e shqiponjës mbi krah të lirisë.
Please follow and like us: