Cikël poetik nga Emine S. Hoti
Ëndrrat tona
“Njeriu nuk mund të reshtë së ëndërruari, sepse ëndrra është ushqimi i shpirtit”.
Paulo Coelho
Vinte mbrëmja qetë – qetë,
Era e freskët na ledhatonte,
Pranë dritares rrinim tok,
Gjyshi përralla na tregonte.
Pastaj shihnim lart në qiell,
Yjet dhe hëna na vështronin,
Hë, si e keni hallin, ju fëmijë?
Koha t`flini, ëndrra t`shikoni!
Shkonim te shtretërit ngadalë,
Ai më i vogli në djep flinte,
Mbyllnim sytë, gjumi na zinte,
Secili ëndrrën e tij shihte.
I mbanim mend ëndrrat e bukura,
Njëri-tjetri me gëzim ia tregonim,
Pastaj vraponim, luanim me hare,
Po ëndrrat çdo çast na shoqëronin.
Gjyshi na dëgjonte dhe na thoshte:
Me punë ëndrrat bëhen të vërteta,
Nga ëndrrat nisin gjëra të mëdha,
Me ato bëhet më e bukur jeta.
Të jesh femër
“Askush s’flet ashtu si gruaja,
gjëra njëkohësisht të çiltërta dhe të thella”.
Hygo
Sa bukur është të jesh femër
Natyrës i jep ritëm e hijeshon,
Ashtu si natyra gjallëron jetën,
Dora femërore gjithçka lulëzon.
Femra i shërben së ardhmes,
Jetën dhe shoqërinë e zhvillon,
Dielli e ka dërguar me dritën e tij,
Ajo është një rreze që shpirtin ndriçon.
Sikur të mos të isha femër,
Asnjëherë s`do ta ndieja lumturinë,
Nuk do të ndieja gëzimi e krijesës,
Që vjen me rrezet e diellit në agim.
Vajzat
Nënat vuajnë njëlloj kur lindin vajzë a djalë,
Vajza rritet, shkon e ngre një tjetër shtëpi,
Kjo është jeta e njerëzve, kështu do të vijoj,
Mjafton të kemi kudo harmoni dhe dashuri.
Vajza u shërben dy familjeve në jetë,
Të prindërve doemos, të sajën përjetë,
Shtëpinë e bënë të buzëqesh gjithandej,
I jep dritë e bekon me fëmijë plot shëndet.
Vajza në familje sjell gjallëri dhe lumturi,
Është amvisë duarartë, jetën zbukuron,
Vajza është ylber me ngjyra të magjishme,
Çdo vajzë e çdo nënë, familjen shenjtëron.
Dëgjoni
Dëgjoni njerëzit që mendojnë me zemër,
Ata që kanë kaluar përvoja në këtë jetë,
Ata që duan të ardhmen e fëmijëve tuaj,
Ata që udhëhiqen nga dashuria e vërtetë.
Bashkë
Të mos lëndojmë motër dhe vëlla,
Të duam prindërit dhe njerëzinë,
Në botë s`ecim dot vetëm, o njerëz,
Bashkë përballojmë dhe vështirësinë.
Çikatova ime, dashuria ime
“Kur je në dhe të huaj, dita të bëhet muaj”.
Populli
Kujtoj me mall Çikatovën time,
Përherë e ndiej, e shoh në ëndrra,
Është vend i shtrenjtë i zemrës sime,
Atje natë e ditë më shkon mendja.
Me bimë, pemtari dhe luleshtrydhe,
Me një popull t`shkëlqyer, të rrallë,
Edhe kur shoh zogjtë që shtegtojnë,
Përherë e kujtoj Çikatovën me mall.
Atje kam kujtimet e mia pambarim,
Atje bënë jetën e vërtetë drenicari,
Atje në çdo pëllëmbë gjëmon historia,
Nderohet dëshmori, heroi e luftëtari.
Tash po i mbush 63 vite,
Prej atje ndiej aromën e fëmijërisë,
Ledhatimet e gjyshërve e prindërve,
Ndiej kuptimin e jetës, të dashurisë.
Tash jam një lule mbjellë diku tjetër,
Jam larg tokës dhe rrënjëve të mia,
Brengat më mbytin çdo çast, përditë,
Më mban gjallë vetëm atdhedashuria.