Dean B. Pineles: Trashëgimia kontroverse e Dick Marty në Kosovë
Dick Marty, autori i një raporti famëkeq në vitin 2010 të titulluar “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve në Kosovë”, ka qenë në titujt kryesor të lajmeve këtë muaj.
Nxjerrja e “raportit Marty” ka rezultuar një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e Kosovës gjatë dhjetë viteve të fundit. Dhe përderisa emri i tij mund të jetë më pak i njohur tani sesa atëherë – të paktën deri së fundmi – trashëgimia e Dick Marty, na pëlqen apo jo, duket e madhe në çështjet politike dhe ligjore të Kosovës.
Kohët e fundit u publikuan akuza se Marty ishte subjekt i një komploti të dështuar vrasjeje nga shërbimet e inteligjencës serbe në dhjetor 2020, dhe që atëherë ai ka qenë nën mbrojtjen e rojeve të armatosura nga policia zvicerane dhe rrallë del nga shtëpia e tij, dhe nëse del, mban të veshur një jelek antiplumb. Nuk është çudi që autoritetet serbe i kanë mohuar me forcë akuzat.
Kjo situatë e çuditshme do të kërkojë hetime të mëtejshme, por ndërkohë, ndikimi domethënës i Dick Marty në rrjedhën e historisë së re në Kosovë vlen të rishikohet në detaje, kështu që le t’i hedhim një vështrim raportit të tij dhe të shohim pse ai u bë kaq domethënës.
Raporti u publikua pasi një ekip hetuesish, i kryesuar nga vetë Marty, kishte përfunduar një hetim dyvjeçar nga 2008-2010 në emër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku Marty shërbente si senator nga Zvicra. Hetimi kishte në shënjestër pretendimet e mëparshme të bëra nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, të cilat ajo i botoi në kujtimet e saj, “Madame Prosecutor”, në 2008.
Pretendimet e Del Pontes për krime të tmerrshme të kryera nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë trafikim të organeve njerëzore, tronditën mbarë botën, megjithëse akuzat u mohuan me forcë në Kosovë.
Raporti i Dick Marty vërtetoi shumë nga pretendimet e Del Pontes, dhe në mënyrë specifike akuzoi disa anëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emër, për kryerjen e krimeve të tmerrshme si vrasje, rrëmbime, tortura, zhdukje me forcë, përfshirje në krim të organizuar dhe, po, trafikim organesh – edhe pse në një shkallë shumë më të vogël se sa pretendohej nga Del Ponte – gjatë dhe menjëherë pas luftës me forcat serbe që u zhvillua në 1998-1999.
Të akuzuarit përfshinin disa luftëtarë të njohur dhe të shquar politikisht të UÇK-së, të gjithë anëtarë të kohës së luftës të grupit famëkeq të Drenicës, duke përfshirë Hashim Thaçin, kreun e dyshuar të grupit dhe kryeministër në atë kohë (dhe më vonë president), dhe Kadri Veselin, ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës dhe një nga themeluesit e UÇK-së, i cili më vonë u bë kryetar i Kuvendit. Viktimat e supozuara përfshinin serbë, anëtarë të grupeve të pakicave etnike dhe armiq politikë të këtyre anëtarëve të UÇK-së.
Akuzat në raport, veçanërisht ato për trafikim organesh, si dhe përmendja e emrave, morën vëmendje dhe u dënuan në mbarë botën, megjithëse u mohuan fuqishëm nga të akuzuarit dhe nga shoqëria në përgjithësi në Kosovë – në fund të fundit, këta njerëz konsideroheshin si çlirimtarë dhe heronj, jo kriminelë.
Marty nuk i paraqiti provat që pretendonte se kishte siguruar gjatë hetimit dhe shumë në Kosovë besonin se nuk kishte prova. Por kjo është një pikë e rëndësishme – raporti i tij më pas u miratua në tërësi dhe fjalë për fjalë me një rezolutë të Këshillit të Evropës në janar 2011.
Vetë rezoluta, e përbërë nga tre faqe e gjysmë, përmendi trafikimin e organeve jo më pak se tetë herë dhe bëri thirrje, jo me terma të pasigurt, që të gjithë aktorët përkatës, si misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, plus GJPNJ-ja dhe autoritetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë, bënin gjithçka që ishte e nevojshme për t’u siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe drejtësia të vihet në vend.
Gjykimi i “peshqve të mëdhenj”
EULEX-i mori njoftimin dhe më vonë, në vitin 2011, autorizoi një hetim penal të plotë mbi pretendimet në raportin e Marty-t nën kujdesin e Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së, SIFT, të kryesuar nga Clint Ëilliamson, ish-ambasadori i SHBA-së për krime lufte. (Për arsye që janë të paqarta, hetimi fillestar i Marty-t nuk ishte i natyrës penale dhe për këtë arsye nuk mund të ngrihej asnjë aktakuzë, duke krijuar një vonesë të gjatë.)
Mandati i Task Forcës e bën të qartë rëndësinë e raportit të Marty-t, siç është miratuar nga rezoluta e Këshillit të Evropës, duke thënë se ajo është krijuar “për të hetuar dhe, nëse kërkohet, për të ndjekur penalisht individë për krimet e pretenduara në raportin e KE-së”.
“Përveç pretendimeve të bëra të ditura gjerësisht për marrjen e organeve, SITF do të shqyrtojë ndalimin e mundshëm të paligjshëm, dëbimin, aktet çnjerëzore, torturat dhe vrasjet, si dhe çdo krim tjetër, në lidhje me pretendimet e përfshira në raport”, shton mandati.
Pothuajse tre vjet më vonë, Williamson publikoi një raport mbi gjetjet e Task Forcës dhe deklaroi se grupi punues ishte atëherë në gjendje të ngrinte një aktakuzë kundër disa zyrtarëve të lartë të UÇK-së, megjithëse nuk u identifikuan me emër, për llojet e krimeve të përshkruara në raportin e Dick Marty.
Lidhur me trafikimin e organeve, Williamson pohoi se një numër i vogël individësh u vranë me qëllim marrjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe se “ky përfundim është në përputhje me atë që thuhej në Raportin Marty, përkatësisht se një “grusht” individësh iu nënshtruan këtij krimi”.
Williamson vazhdoi duke thënë se “për të ndjekur penalisht vepra të tilla, megjithatë, kërkohet një nivel provash që ne nuk e kemi siguruar ende”.
Ai rekomandoi krijimin e një gjykate speciale në të cilën do të ngrihej aktakuza, në vend të vetë aparatit gjyqësor ekzistues të EULEX-it në Kosovë. Sponsorët ndërkombëtarë të Kosovës ranë dakord, duke e parë këtë si më mirë të ndiqeshin penalisht “peshq të mëdhenj” si Thaçi, Veseli dhe figura të tjera të shquara të UÇK-së që nuk ishin ndjekur kurrë penalisht nga EULEX-i, në një lokacion neutral jashtë Kosovës, pa ndërhyrje politike dhe në një vend më të sigurt për dëshmitarët dhe me staf tërësisht ndërkombëtar.
Por që kjo të ndodhte, Kosova duhej të binte dakord dhe ajo e bëri këtë vetëm nën presionin e pamëshirshëm ndërkombëtar në mesin e vitit 2015. Fillimisht, duhej miratuar një amendament kushtetues që autorizonte gjykatën, më pas një ligj për themelimin e gjykatës, të cilët të dy i referoheshin në mënyrë specifike raportit të KE-së si justifikim.
Gjykata do të bëhej e njohur si Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe shënjestra e saj do të ishin shqiptarët e Kosovës, jo serbët që shkatërruan Kosovën gjatë luftës, duke krijuar kështu që në fillim mosbesim dhe pakënaqësi në shoqërinë kosovare.
Pasi u deshën edhe dy vite të tjera për ngritjen e gjykatës, ajo nisi të funksiononte në Hagë në korrik 2017.
Faqja e internetit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar shpreh qartë gjenezën e saj: “Zyra e Prokurorit të Specializuar (SPO) është një prokurori e ndërkombëtarizuar dhe e vendosur në Hagë e krijuar për të hetuar dhe, nëse garantohet, për të ndjekur penalisht individë për krime të pretenduara në Asamblenë Parlamentare të janarit 2011 të Këshillit të Europës në Raportin për Trajtim Çnjerëzor dhe Trafikim të Paligjshëm të Organeve në Kosovë (raporti i Marty).
Pas hetimeve të mëtejshme dhe në dukje të pafundme nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, aktakuzat më në fund u ngritën në vitin 2020, duke akuzuar Thaçin, presidentin e Kosovës në atë kohë që dha dorëheqjen menjëherë, Veselin, i cili për disa vite deri në vitin 2019 kishte qenë kryetar i Kuvendit, dhe figura të tjera të shquara të UÇK-së, për krimet kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke përfshirë shumë prej krimeve të supozuara fillimisht në raportin e Marty-t.
Vlen të përmendet veçanërisht fakti se asnjë nga aktakuzat nuk përmend as më të voglën referencë për trafikimin e organeve.
Dick Marty, më shumë se kushdo tjetër, i hapi rrugën të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. Raporti i tij, i miratuar nga Këshilli i Evropës, sqaronte krimet në fjalë dhe identifikonte autorët e dyshuar me emër. Raporti më pas siguroi bazën për hetimin e Task Forcës që konfirmoi pretendimet e tij, dhe për miratimin e një amendamenti kushtetues dhe një ligji që krijonte Gjykatën Speciale. Dhe faqja e internetit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e bën të qartë se arsyeja e ekzistimit të saj është ndjekja e pretendimeve në raportin e Marty-t, i cili ka sjellë ngritjen e aktakuzës ndaj figurave të rëndësishme historike në Kosovë si Thaçi, Veseli e të tjerë.
E gjithë kjo bën që Dick Marty të lërë pas një trashëgimi të rëndësishme. Megjithatë, në mënyrë të parashikueshme, Gjykata Speciale ka shumë pak ligjimitet të perceptuar në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Ajo iu imponua Kosovës nga ndërkombëtarët, ndodhet larg, në Hagë, në mesin e gjyqtarëve apo stafit nuk ka shqiptarë të Kosovës dhe mandati i gjykatës fokusohet ekskluzivisht te veteranët e UÇK-së.
Një mantel imuniteti
Por në trashëgiminë e Dick Marty ka më shumë sesa thjesht Gjykata Speciale.
Raporti i Marty-t dhe rezoluta pasuese e Këshillit të Evropës luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në rastin e profilit të lartë të trafikimit të organeve Medicus, i cili u bë një nga rastet më domethënëse dhe më të gjata në historinë ligjore të Kosovës.
Rezoluta e KE-së theksonte në paragrafin 5 se “ky aktivitet kriminal (trafikimi i organeve)… ka vazhduar… deri më sot, siç tregohet nga një hetim që po kryen… EULEX-i në lidhje me klinikën Medicus në Prishtinë”.
Kjo pikë shtjellohet në paragrafin 168 të raportit të miratuar nga KE-ja, i cili thotë se trafikimi i organeve i identifikuar në raport është i lidhur ngushtë me çështjen Medicus.
“Megjithatë, për respekt për hetimet e vazhdueshme dhe procedurat gjyqësore që po udhëhiqen nga EULEX… ne ndihemi të obliguar në këtë moment të përmbahemi nga publikimi i gjetjeve tona në këtë drejtim. Mjafton të thuhet se ne inkurajojmë të gjitha vendet, shtetasit e të cilëve shfaqen në aktakuzën në lidhje me Medicus, të bëjnë çmos për të ndalur këtë aktivitet të turpshëm dhe për të ndihmuar në sjelljen e organizatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij para drejtësisë”, thotë ai.
Gjyqi i Medicus filloi në tetor 2011 dhe vazhdoi, pa ndalim, për 19 muaj deri më 23 prill 2013, duke fituar vëmendjen ndërkombëtare gjatë rrugës. Shtatë të pandehurit akuzoheshin për krim të organizuar, trafik organesh dhe vepra të tjera të ndryshme.
Unë isha anëtar i trupit gjykues prej tre gjyqtarësh që dëgjoi dhe vendosi për çështjen. Ne morëm dëshminë e afro 75 dëshmitarëve dhe shqyrtuam mijëra faqe dokumente.
Gjatë rrjedhës së gjyqit, ne e konsideruam me rëndësi jetike marrjen e dëshmisë së Dick Marty-t pasi ai pretendoi se kishte prova përkatëse siç u përmend më lart. Më pas ne bëmë një kërkesë zyrtare përmes kanaleve diplomatike në Këshillin e Evropës për pjesëmarrjen e tij në gjyq dhe, natyrisht, supozuam se ai dhe KE-ja do të bini dakord lehtë.
Për tronditjen dhe habinë tonë, Marty dhe KE-ja pretenduan se ai nuk ishte i disponueshëm me arsyetimin se kishte imunitet për të dëshmuar. Sipas mendimit tonë, ky pretendim ishte absolutisht i pakuptimtë sipas rregullave të KE-së, të cilat parashikojnë një përjashtim në raste të rëndësishme, por ne kurrë nuk arritëm të siguronim pjesëmarrjen e tij në gjyq ose të mësonim arsyen e vërtetë të refuzimit të tij.
Vendimi ynë i shpalli fajtorë dy të akuzuarit kryesorë – Lutfi Dervishi, mjek i cili ishte pronar i klinikës Medicus, dhe djali i tij Arban Dervishi, menaxher i klinikës – për krim të organizuar dhe trafikim organesh. Tre të pandehur të tjerë, të gjithë mjekë, u shpallën fajtorë për vepra më të lehta, dhe dy të pandehur, zyrtarë qeveritarë, u liruan nga akuzat. Ky ishte rasti i parë në botë ku mjekë dënoheshin për vepra të tilla, në krahasim me ndërmjetësit apo lehtësuesit.
Por, në mungesë të bashkëpunimit të Marty-t, ne kurrë nuk arritëm të përcaktonim lidhjen e rëndësishme midis trafikimit të organeve të kohës së luftës dhe çështjes Medicus, nëse në fakt ekzistonte një e tillë.
Ja si e trajtuam refuzimin e Dick Marty për të dëshmuar në gjykimin tonë me shkrim:
“Kur iu dha mundësia për të ndihmuar në funksionin e kërkimit të së vërtetës në një gjyq të vërtetë dhe në vazhdim që pretendonte një trafikim të tillë, zoti Marty dhe Këshilli i Evropës u tërhoqën shpejt pas petkut të imunitetit”, thamë ne.
Vendimi ynë u la në fuqi në dy apele të mëpasshme, më pas u anulua në një apel të tretë për arsye shumë të rreme dhe u kthye për rigjykim. Rigjykimi u krye para një trupi tjetër gjyqësor, i cili dha vendimin për fajësi në maj 2018. Kjo u pasua nga një apel dhe çuditërisht vendimi u anulua përsëri dhe u urdhërua një rigjykim. Rigjykimi vazhdon ende, pa asnjë vendim përfundimtar në horizont.
Pra, edhe nëse trashëgimia e Dick Marty mund të shihet në mënyrë të favorshme për shkak të krijimit të Gjykatës Speciale, unë besoj se ajo është e njollosur vetëm për shkak të refuzimit të tij për të dëshmuar në gjyqin Medicus.