Albspirit

Media/News/Publishing

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit dhe Parku i Butrintit

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Sipëmarrjeve (AAEF) u krijua në vitin 1995 sipas Aktit të Mbështetjes për Demokracinë e Evropës Lindore (SEED Act), miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në 1989, me një kapital fillestar prej 30 milionë USD. Fondi krijoi dhe investoi në një sërë sektorësh si banka, sigurime, aeroport, karta biometrike identifikimi, etj. Si rezultat i suksesit të tij, në vitin 2009 Qeveria e SHBA vendosi që të gjitha fitimet e krijuara nga Fondi  do  të  shërbenin  për  të  krijuar  një  organizatë  jofitimprurëse,  të  përhershme  të  quajtur Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i  Zhvillimit (AADF) me synimin për  të mbështetur zhvillimin  e një ekonomie të qëndrueshme të sektorit privat dhe një shoqërie demokratike në Shqipëri nëpërmjet 4 programeve kryesore: Edukim, Lidership, Sipërmarrje, Turizmi Kulturor dhe Ekologjik.  AADF nuk  është  një  sipërmarrje  fitimprurëse.  Synimi  i  Fondacioni  është  përmirësimi  i  jetës  së shqiptarëve  nëpërmjet  projekteve  që  ai  zhvillon.  Të  gjitha  fondet  që  ai  menaxhon  qëndrojnë  në Shqipëri si një dhuratë e popullit amerikan ndaj popullit shqiptar. Fondacioni udhëhiqet nga një Bord Administrimi, ku marrin pjesë qytetarë amerikanë dhe shqiptarë, të cilët kontribuojnë me kohën e tyre pa shpërblim. AAEF dhe AADF kanë 27 vjet që operojnë në Shqipëri vetëm në interes të popullit shqiptar. Fondi dhe Fondacioni kanë bashkëpunuar me secilën qeveri shqiptare dhe me cilëndo opozitë. Që  nga  themelimi  në  vitin  2009,  AADF  ka  mbështetur  70  projekte  dhe  ka  angazhuar  rreth  100 milionë dollarë. Nëpërmjet projekteve të tij, AADF ndihmon mbi 400,000 nxënës e studentë dhe mbështet pothuajse 1,000 biznese në të gjithë vendin. Projektet arsimore përfshijnë disa nga modelet më të avancuara në botë si  Junior Achievement, TUMO,  SDA  Coding  Academy  dhe  më  shumë.  Projektet  e  trashëgimisë  kulturore  përfshijnë rivitalizimin e qendrave kryesore të qyteteve historike në vend si në Shkodër, Krujë, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës. Projekte të tjera kanë zhvilluar dhe mbështetur instalimin e sistemeve të biletave elektronike në 10 site të trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë, ngritjen e Muzeut Fotografik  Kombëtar  Marubi,  mbështetjen  për  aplikimin  dhe  regjistrimin  e  pesë  elementeve  të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Shqiptare në UNESCO, etj.  AADF  ka  kontribuar  në  Parkun  Kombëtar  të  Butrintit  që  prej  vitit  2009.  Qëllimi  ynë  është  të mbështesim ruajtjen, promovimin dhe menaxhimin e Butrintit si siti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, institucionet shqiptare, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, Fondacioni ka sjellë një nga modelet më të suksesshme për trashëgiminë kulturore në Butrint. AADF ka kontribuar 1.2 milionë USD për instalimin e kamerave, infrastrukturës turistike  dhe  tabelave,  rehabilitimin  mjedisor  të  rrugës  së  re,  sistemet  e  biletave  elektronike  dhe zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar. Falë këtyre ndërhyrjeve Parku ka shënuar rritje të të ardhurave, përmirësim të transparencës, ulje të korrupsionit dhe një cilësi më të lartë shërbimesh. Faza e dytë e angazhimit të AADF ndaj Butrintit synon të mbështesë dhe të ruaj Parkun në afatin e gjatë.  AADF  mbështeti  hartimin  e  Planit  të  Integruar  të  Menaxhimit  (IMP),  i  cili  iu  dorëzua  për konsultim Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO). Plani u rishikua nga dy organet konsultative të UNESCO, ICOMOS dhe ICCROM, dhe u miratua nga Qeveria e Shqipërisë.  Pronësia dhe kontrollin mbi Butrintin, ashtu si me të gjitha sitet kulturore në Shqipëri, nuk ndryshon. IMP siguron arkitekturën e nevojshme për mbrojtjen e Parkut, promovon transparencën dhe garanton që të ardhurat e krijuara të përdoren  për zhvillimin e tij në përputhje me standardet e një siti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Pas miratimit të Planit nga Qeveria e Shqipërisë, AADF do të kontribuojë me 5 milionë USD të tjera, në mënyrë që Parku Kombëtar i Butrintit të njihet: “…si një model i qëndrueshëm menaxhimi për zonat me elementë kulturorë dhe natyrorë, duke u bërë një qendër për ofertën turistike rajonale dhe duke u ofruar  vizitorëve  një  eksperiencë  unike,  duke  angazhuar  komunitetet  lokale  dhe  institucionet financiare, dhe duke shërbyer edhe si model për parqet e tjera në Shqipëri.” Projekti i Butrintit është një shembull i rëndësishëm se si AADF shërben si katalizator, duke ofruar fonde dhe njohuri për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë duke rritur  transparencën  dhe  ulur  korrupsionin  nëpërmjet  disa  prej  modeleve  më  të  avancuara  të menaxhimit dhe ekspertizës në botë.

Please follow and like us: