Iris Halili: Pjesë ditari nga 1 Majet tona komuniste…
Në foto e para mes vajzave, jam unë në paradën e 1 Majit! Besoj ka qenë viti 1982 ose 1983…!
Ne prezantojmë gjatë jetës asgjë më shumë dhe asgjë më pak se gjurmë të lëna nga fëminia…
Çdo 1 Maj unë mbaj mend diçka që më është ngulitur në kujtesë nga kjo datë…
Tek nisesha për paradën e përvitshme gjyshja ime pasi më ushqente mirë e mirë, e përkujdesej për veshjen dhe pamjen time, më përqafonte fort e më thoshte – kur të afrohesh afer tribunës së udhëheqësit thuaj me gjithë shpirt: ‘Viti tjetër mos të zëntë…”!
Kur unë vija në shtëpi pas paradës – patjetër mbartja entuziazmin që përcillte turma festive, me të thirrurat histerike e plot pasion për Partinë dhe Enverin, rrethuar nga lulet shumëngjyrëshe prej letre (… që na linin gjurmë njollash në duar) apo çudinë sesa forcë kishte udhëheqësi ynë të sillte diellin në qiell sa herë dilte në tribunë… Por asnjëra prejt këtyre nuk kishte kërshërinë e momentit kur triumfatore të parën fjalë e kisha për gjyshen time – “Nëna e mallkova me gjithë shpirt… Dije, vitin tjetër ai nuk do jetë më”.
Kështu u rrita unë… Në familje flismin çdo ditë kundër Partisë dhe Enverit, i mallkonim çdo çast e ndërkohë dilnim në paradë dhe thërrisnim – “Parti nëna jonë – fjala jote zemra jonë….”!
Shumë nga ne ishim të gjithë ndopak Ana Frank. Shumë nga ne jetuam një fëmini të frikësuar kur ajo çka donim thellësisht thuhej nën zë. Shumë të tjerë e kaluan fëmininë duke menduar se ajo çka donin dhe adhuronin ishte e përsosura dhe kur takuan realitetin humbën kuptimin dhe forcën e adhurimit; ca të tjerë e deshën dhe e duan po njëlloj atë realitet… Dashuria e këtyre të fundit nuk njohu dilemë apo trishtim. Përkundrazi, u transformua në imitim të imazhit dashuror, sikur ndodh gjithmonë në kësi rastesh… Ndaj këta i shohim tashti tribunave…!