Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Lazri: KUR LULET NXISIN FANTAZINË

-Në konkursin ndërkombëtar “Rovereto në lulëzim”-
Kur vjen një maj, përveç faktit që është festa e punëtorëve në gjithë botën, në shumë vende organizohet edhe festivali i luleve. Më ka qëlluar të shikoj në Bruksel se si sheshi kryesor i kryeqytetit belg dhe i Europës së Bashkuar kthehet në një qilim shumëngjyrësh nga lulerritësit e qytetit. Po kështu edhe në Romë e shumë qytete të Italisë lulet bëhen protagoniste të një feste të bukur. Janë lulet që nxisin fantazinë për të krijuar gjithfarë kompozimesh befasuese.
Edhe në Rovereto, këtu në Trentino në prehër të Alpeve, ku lulet tani e kanë shkundur ndrojtjen nga të frohtit e dimrit dhe janë në shpërthim të plotë, prej vitesh organizohet festivali ndërkombëtar, ku marrin pjesë artistë të vërtetë që e vënë fantazinë e tyre në shërbim të artit dhe kënaqësisë së publikut. Pas një ndërprerje prej dy vjetësh për shkak të pandemisë, dje dhe sot disa nga rrugët kryesore të qytetit pritën pjesëmarrësit e festivalit dhe publikun që shijonte frutet e fantazisë së artistëve.
Aty ku është vendosur grupi i Radio Dolomitit që transmeton emocionet e këtij evenimenti, është punuar me fantazi të veçantë duke shfrytëzuar kryesisht orkidetë e ngjyrave të ndryshme.
Giuseppe Contarese e Marco Rogora janë ngjitur këtu në Alpe që nga Kalabria. Ashtu si Renata Coser e Nadia Ghezzi, edhe ata janë frymëzuar nga maskat veneziane për të krijuar me lule maska dhe kurora për të vënë në kokë. Dihet që maskat kanë lindur qytetin e Venezias në shekullin e njëmbëdhjetë dhe përdoreshin kryesisht në festën e kreshmës e në karnavale. Përdoruesi i jepte vetes një anonimat në atë rast. Gratë i përdornin maskat për t’u bërë më tërheqëse e për të rritur aureolën e misterit, duke u bërë më të dëshirueshme për sytë e meshkujve. Në fakt motivin e maskës e gjejmë në disa nga konkurentët e këtij festivali. Edhe për faktin që dikur Rovereto i përkiste Republikës së Venezias (Serenissima). Madje të bën përshtypje që edhe Bruce Liao e Kata Sun, që kanë ardhur nga Taiwani i largët, kanë zgjedhur pikërisht motivin e maskës, duke sjellë diçka origjinale si maskë duke përdorur lulediellin dhe një kurorë shumëngjyrëshe ku vendin kryesor e zënë lulet zogu i parajsës. Në fakt ajo kurorë ka diçka jo vetëm nga bota e luleve, por edhe nga ajo e shpendëve. Kur një vajzë e re i vendos ato në fytyrë e në kokë, krijimet plot fantazi marrin domethënien e tyre të vërtetë. Giuseppe Contarese thotë që është pjesa më e thellë e maskës, që më tërheq, ose më saktë aftësia për të treguar një fytyrë pa shprehje e pa moshë.
Ka nga ata krijues që krahas luleve, janë ndalur edhe tek bukuria e drurëve të pyllit për të krijuar kompozimet e tyre të kombinuara në dru e në lule.
Anëtarët e jurisë e ndjekin që nga fillimi punën e konkurentëve, kontrollojnë materialet që ata përdorin, duke insistuar që krijimet e tyre artistike të mos kenë vetëm anën dekorative, por edhe shkallën praktike të përdorimit. Anëtari i jurisë, Antonio Trentino nga Trento, na tregon për vijueshmërinë e kësaj tradite e të këtij festivali nëpër vite dhe shpreh gëzimin që publiku mund të ndjekë përsëri këtë festival të bukur e origjinal pas ndërprerjes dyvjeçare. Pasi juria vlerëson dorën e parë të krijimeve, artistët i rivihen punës për të treguar pasurinë e fantazisë së tyre artistike në krijime të tjera, gjithnjë e më të bukura. Kështu për orë e orë të tëra, në të dy ditët e festivalit, Rovereto shkëlqen përmes lulesh e publiku shijon bukurinë e qytetit të lulëzuar nga duart e fantazia e artistëve të vërtetë të botës së luleve.
Please follow and like us: