Albspirit

Media/News/Publishing

Pelosi viziton Kievin dhe Poloninë, zotohet për mbështetje të Uashingtonit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy zhvilloi të shtunën një takim me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Kiev dhe publikoi sot një video të vizitës së saj. Zonja Pelosi shprehu mbështjetjen për Ukrainën dhe tha se Kongresi do të punojë për miratimin e një pakete të re ndihmash prej 33 miliardë dollarësh për Kievin.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e cila po drejtonte një delegacion të ligjvënësve amerikanë, u prit nga Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy në Kiev, ku ajo shprehu mbështetjen e saj për përpjekjet e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

“Lufta juaj është një luftë për të gjithë. Ne jemi të angazhuar t’u ndihmojmë derisa lufta të përfundojë”, tha zonja Pelosi në një video të publikuar nga zyra e shtypit e presidentit ukrainas sot.

Presidenti Zelenskyy falenderoi zonjën Pelosi për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës.

“Ky është një sinjal i mbështetjes së fortë për Ukrainën nga populli amerikan, të dyja dhomat e Kongresit amerikan dhe të dyja partitë politike në Shtetet e Bashkuara. Unë, ekipi im dhe populli i Ukrainës vlerësojmë sinjalet për më shumë ndihmë në luftën kundër agresionit rus”, tha Presidenti Zelensky.

Të premten ligjvënësja amerikane Pelosi tha se shpresonte që paketa e re e ndihmës prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, e kërkuar nga Presidenti Joe Biden, të miratohej sa më shpejt.

Në një konferencë shtypi të dielën në Poloni pas kthimit nga Ukraina, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se Amerika do të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet fitorja.

“Nuk duhet t’u nënshtroheni atyre që ju kërcënojnë”, tha Pelosi, zyrtarja më e lartë amerikane që vizitoi Ukrainën që nga fillimi i sulmit të Rusisë më 24 shkurt. Ajo dënoi “sulmin djallëzor” të presidentit rus Vladimir Putin.

Moska i quan veprimet e saj një “operacion special” për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta çliruar atë nga nacionalizmi anti-rus i nxitur nga Perëndimi. Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia filloi një agresion të paprovokuar ndaj Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë vendosur sanksione të forta ndaj Rusisë dhe i kanë ofruar Ukrainës armë e ndihmë humanitare.

Delegacioni i ligjvënësve amerikanë, i udhëhequr nga Nancy Pelosi do të takohet me presidentin polak Andrzej Duda dhe zyrtarë të tjerë të lartë të hënën.

Please follow and like us: