Dante, më i madhi ndër më të mëdhenjtë
I lindur në Firence të Italisë në vitin 1265, Dante Aligeri, konsiderohet si një nga poetët më të rëndësishëm në histori. Kryevepra e tij, ‘Komedia Hyjnore’, është ende një ndër veprat me tëstudiuara në universitete dhe qarqe akademike. Por ja cilat janë disa nga detajet e kësaj vepre monumentale.
“Komedia Hyjnore” e Dantes, është një poemë e gjatë narrative
“Komedia Hyjnore” tregon udhëtimin e Dantes nëpër ferr, ku ai udhëhiqet nga poeti italian Virgjili dhe një grua e quajtur Beatriçe, nëpër 9 rrathët koncentrikë të jetës së përtejme, që të gjitha të bazuara në mëkate të ndryshme. Rrethi i parë është Limbo (Të Harruarit), ku ndodhen ata që nuk mund të shkojnë në Parajsë thjesht sepse nuk janë pagëzuar, apo që kanë lindur përpara Jezu Krishtit. E gjithë poema ka gjithsej 14.233 rreshta, pra më e gjatë se Odisea (12.110 rreshta), por më e shkurtër se Iliada (15.693 rreshta). Për këtë poemë, Dante përdori në mënyrë të veçantë stilin “terza rima”, pra kur strofat ndahen në tre rreshta, ku rreshti i parë dhe i tretë mbarojnë me një rimë, ndërsa rreshti i dytë rimon me rreshtat e parë dhe të tretë të strofave pasuese.
“Komedia Hyjnore” është e ndarë në 3 libra: Ferri, Purgatori dhe Parajsa
Dante e shkroi këtë vepër nga viti 1308 deri në vitin 1321, kur edhe vdiq. Poema epike është e ndarë në tre pjesë (të quajtura kantikë), ku secila pjesë përmban 33 kanto, të cilat në thelb janë nënndarje. (Ndërkohë ka një kanto shtesë tek libri Ferri që shërben si hyrje, ndaj në total ka 100).
Në këtë vepër Dante i futi Papët në Ferr
Kur po shkruante librin “Ferri”, Dante e lejoi veten të luante rolin e Zotit, duke i ndëshkuar kundërshtarët e tij për trillimet ndaj tij, me një dënim të përjetshëm në Ferrin që krijoi nëpoemën e tij epike. Dy figura të famshme me të cilët ai u konfliktua ishin Papa Nikola III dhe Papa Bonifaci VIII, papati i të cilëve u karakterizua dhe përpjekja për të rritur pushtetin e Kishës Katolike. Tek “Ferri”, Dante ndeshet me Papa Nikolën në rrethin e tetë të Ferrit, i cili është caktuar për ata që kanë kryer mëkatin e blerjes apo shitjes së privilegjeve fetare). Në këtë rreth, mëkatarët varrosen me kokën e zhytur nën ujë. Dhe ndërsa Dante kalon aty, Nikola i zhytur në ujë e ngatërron atë me Papa Bonifacin. Pasi kupton se kë ka përballë, Nikola i thotë Dantes se Bonifaci do ta zëvendësojë atë në gropën e varrit sapo të vdesë (në atë botë, të mallkuarit mund të shohin të ardhmen). Bonifaci ishte pjesërisht përgjegjës për dëbimin e Dantes në jetën reale. Prandaj dëbimi në Ferr, edhe pse i trilluar, ishte pjesë e hakmarrjes së shkrimtarit.
“Maska e vdekjes” së Dantes, e cila është ekspozuar në “Palazzo Vecchio” në Firence, ndoshta nuk është e vërtetë
“Maska e vdekjes” e Dante Aligerit, që ndodhet aktualisht në “Palazzo Vecchio” të Firences, u bë e famshme vitet e fundit për faktin se ishte një nga elementët kryesore të komplotit në librin e shkrimtarit Den Braun “Inferno”, që është përshtatur edhe në një film. Por studimet e fundit sugjerojnë se maska në fjalë nuk është origjinale. Ajo ka shumë tëngjarë të jetë gdhendur në vitin 1483 nga Pjetro dhe Tulio Lombardo, pra më shumë se 160 vjet pas vdekjes së Dantes.
Dante konsiderohet si babai i gjuhës italiane
Duke zgjedhur që t’i shkruante veprat e tij kryesisht në dialektin vendas, toskan, në vend të latinishtes, që ishte shumë më e zakonshme për kohën, Dante ndihmoi që ajo që sot e njohim si italishtja, të ishte e aftë të shprehej në artet e mëdha. Ndikimi i veprës së tij ishte aq i jashtëzakonshëm, saqë italishtja do të bëhej gjuha letrare mëe spikatur në të gjithë Evropën Perëndimore për shekuj me radhë. Dhe për shkak të kësaj, Dante cilësohet shpesh si “babai i gjuhës italiane”. Sot ekzistojnë ende në mbarë botën “Shoqëritë Dante Aligeri”, që kanë si mision promovimin e gjuhës dhe kulturës italiane.
U internua dhe u dënua me vdekje në fillimin e shekullit XIV. Dënimi u anulua vetëm në vitin 2008
Në vitin 1302, Dante ra viktimë e atyre që historianët i kanë cilësuar “akuza të sajuara” për përvetësim, kundërshtim ndaj Papës dhe autoriteteve fiorentine. Kur ai refuzoi të paraqitej në gjyq për t’u përgjigjur për krimet e tij dhe të paguante një gjobë, u vendos që nëse do të shkelte sërish në Firence, do të digjej i gjallë në turrën e druve. Rrjedhimisht, Dante i kaloi vitet e tij të mbetura duke bredhur sa andej-këtej, një mënyrë jetese që i dha atij frymëzimin për të shkruar “Komedinë Hyjnore”. Në vitin 2008, këshilli i qytetit të Firences votoi pro revokimit simbolik të dënimit me vdekje të Dantes, duke e rivendosur në vend nderin e tij.
Bazuar tek vepra, artisti italian i Rilindjes, Sandro Botiçeli, pikturoi një hartë të Ferrit
Ferri ka qenë subjekt i interpretimeve të panumërta artistike përgjatë shekujve. Por një nga më jetëgjatët dhe më me ndikimin erdhi nga piktura “Harta e Ferrit” të piktorit Sandro Botiçeli, bazuar në “Komedinë Hyjnore”, e cila ndodhet aktualisht në Bibliotekën e Vatikanit. Piktura e Botiçelit, është vetëm një pjesë e një dorëshkrimi më të madh me ilustrime, që ai krijoi bazuar tek poema, nga e cila kanë arritur deri në ditët tona vetëm 92 faqe.
Nëntë rrathët e Ferrit të Dantes
“Komedia Hyjnore” është ndoshta më e famshme për përshkrimet e saj të rrathëve të ndryshëm të Ferrit, ku secili përshkruan dënime të ndryshme që përputhen me mëkatet më të tmerrshme.
- Rrethi i Parë: Harresa
- Rrethi i dytë: Epshi
- Rrethi i tretë: Grykësia
- Rrethi i katërt: Lakmia
- Rrethi i pestë: Zemërimi
- Rrethi i gjashtë: Herezia
- Rrethi i shtatë: Dhuna
- Rrethi i tetë: Mashtrimi
- Rrethi i nëntë: Tradhëtia.