Albspirit

Media/News/Publishing

KUAJT LUFTARAKË DHE PAQËSORË, ZOTËR TË FUSHËBETEJËS

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Kuajt e luftës që kur lindi njerëzimi u kthyen në ndihmësit e parë të njerëzve në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Mendohet se kali është një krijesë e rreth 50 milionë viteve më parë, por dhe një “kontribues” në artin e shkatërrimit që janë luftrat, kjo e keqe e përhershme e njerëzimit. Kali ka qenë kafsha e kalërimit, fuqisë, transportit dhe besnikërisë ndaj njeriut, ndoshta më e përdorura në luftra. Kali u zbut pashmangshmërisht përmes betejash në mijëravjeçarë. Njerëzit e hodhën vështrimin tek “prona e fqinjit” dhe për këtë në zotërimin e hapësirave gjeografike ka parapëlqyer edhe përdorimin e forcës së kalit për të zgjeruar kufijtë e pronës së tij. Tre element decizivë të kalit, forca, rezistenca dhe shpejtësia kanë qenë “motorri” i pushtimit të përbotshëm. Kuajt e luftës u siguruan njerëzve hapësira, lëvizshmëri, siguri, besnikëri në realizimin e ambicjeve. Kali u bë garanti i parë i luftës, që i dha fushëbetejës gjithçka i nevojitej fitores, qëllimeve e ambicjeve njerëzore. Kuajt dhe njerëzit kanë shekuj që ndërveprojnë, si bashkëluftëtarë, por dhe  “bashkëfajtorë” historikisht nëpër luftra. Njerëzimi ka të dokumentuar konfrontimet me kuaj qindra vite para Krishtit, në të gjithë kontinentet, në Rusi, Kazakistan, Kinë, në Lindjen e Afërme, gadishullin arabik etj. Historia flet për “skuadra kuajsh gjatë rrethimit të Salatiwara”, më tej për karroca lufte ku kuajt ishin “luftëtarë” të drejtuar nga luftëtarë që fatin e tyre e lidhën me kuajt, bile edhe u varrosën bashkë me ta si dëshmi që vërteton njeriun dhe kalin si bashkëluftëtarë nëpër shekuj. Shumë civilizime në planetin tonë përdorën forcën e kuajve për përballjet luftarake si Egjiptianët e faraonëve, nga dinastitë kineze si “dinastia Shang (1600-1050p.K)”. Kali hyri në statistikat e betejave si forcë që përllogaritej në raportin e forcave e mjeteve në përballjet luftarake, por dhe si një “forcë e ndërgjegjshme” e fushëbetejës. Nga ana tjetër njerëzit e kanë veshur kafshën fisnike të kalërimit me profeci nga më të larmishmet sidomos për ngjyrat e kalit, ku të zezën e lidhin me misterin, natën, sekretin, të fshehtat, vdekjen; ngjyrën e bardhë më ditën, dritën e diellit, ndriçimin, ringjalljen, paralajmërimin e lindjeve etj; kur kali është gri dhe kafe me tokëzimin, stabilitetin, miqësinë, tokën, pronën, durimin; ndërsa kur kali është me lara ose me pika ose disangjyrësh e lidhnin me imagjinatën, krijimtarinë, udhëtimet, larmitetin, pavarësinë etj. Por për shkak të shoqërimit të natyrshëm të kalit me njerëzit në situatë paqësore e veçanërtisht në situata luftarake bën që kali të futet natyrshëm në histori, si një qënie e respektuar nga njerëzit, si kontribues i veçantë i të gjitha civilizimeve në botë. Disa nga civilizimet e planetit tonë e lidhin funksionalitetin e kalit me lirinë, pushtetin, bukurinë, besnikërinë, forcën etj., por shumë kultura i atribuojnë edhe elementët jetësorë në tokë sikurse është toka, zjarri, ajri, uji. Kali për disa kultura ka qenë dhe ka ngelur simbolika të lirisë dhe fuqisë, simbol universal i lirisë pa kufizim. Kali është një njohës ekselent i emocioneve të njeriut, shikon reagimet në fitore dhe humbje, bëhet palë me të zotin në realizimin e qëllimeve të tij. Besnikëria e tij ndaj të zotit i kapërcen kufijtë e kafshërimit. Në mitologji është gjithmonë i pranishëm tek grekët, romakët, keltët etj. Vlerësime të mëdha kali ka pasur nga kinezët, egjyptianët, indianët, amerikanët, europianët, në të gjithë botën. Fakt është se në mesjetë nuk kishte kalorës beteje, pa kalin e personalizuar të luftës, prandaj edhe kalorësia pati rregulla strikte përgatitore e deri në traktate akademike të kalorësisë sikurse ishte ai i Gjergj Bastës, që studjohej në akademinë ushtarake të Vjenës dhe gjithë akademitë ushtarake të kohës në Europë e më gjerë. Heronjtë si Aleksandri i Madh, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Napoleon Bonoparti, Xhuzepe Garibaldi, Xhengis Khan, Atila i Hunëve, Hannibal Barka, Osmani i perandorisë Osmane, Saladini lideri ushtarak më i shquar në kohën e Kryqëzatave, Jul Çezari, Xhorxh Uashington, etj., i bënë të njohur kuajt e tyre me apo padashje, si provë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore përmes luftrave.

Kuajt dhe luftëtarët një histori e përbashkët

Rracat e kuajve nuk ishin të përzgjedhura, pasi në lidhje me to lidhej fati i luftës. Kuajt si bashkëshoqërues të luftëtarëve në fushën e betejës, kërkohej të kishte cilësi të rralla të ishte i shkathët, i atë, i qëndrueshëm ndaj goditjeve, nuhatës të fushëbetejës, të mbanin kalorësin të pajisur plotësisht me mbrojtje të blinduar në betejë. Roli i kalit të luftës gjithmonë ka merituar një vend në librat e historisë, prandaj po rendisim 11 raca të kuajve të luftës, disa prej të cilëve janë zhdukur, ndërsa disa prej të cilëve janë të njohur dhe në ditët tona: (1) kali “Friesian” (nga Friesland e Hollandës) është një paraardhës i Destrier, i nderuar zakonisht si kali arketipal i luftës, romakët e morën nga anglezët; (2) kali “Andaluzian” ka qenë prej kohësh një racë popullore e kalit, dhe pamja e tij fisnike dhe mënyra e hijshme sigurojnë që ajo të mbetet po aq popullore sot sa ishte kur mbante mbretërorë dhe fisnikë në betejë në shekullin e 16-të, me origjinë spanjolle; (3) kali “arab” duket i brishtë, por është i rrufeshëm i shpejtë dhe çuditërisht shumë i fortë, është përdorur për mijëra vjet, fillimisht me origjinë nga Egjipti i Lashtë. Popullariteti i tij u përhap në Greqi, Romë dhe pjesën tjetër të Evropës, gjatë pushtimit mysliman dhe u përhapën përmes Osmanëve; (4) kali “Percheron” është i madh dhe i fortë nga Franca Veriperëndimore, shumë i përshtatshëm për të mbajtur kalorës në betejë,  u përdor gjatë Mesjetës së vonë si pjesë e kalorësisë së rëndë franceze, por pas kësaj, ata u bënë të njohur edhe për aktivitete të tjera dhe në punët bujqësore; (5) kali “Marwari” përdorur që nga Mesjeta e hershme nga kalorësia indiane, me karakteristika si të guximshëm, tepër të shkathët, dhe ishte ky kombinim që pa udhëheqësin e rajonit Marwar të grumbullonte një koleksion prej 50000 kuajve të kalorësisë “Marwari” gjatë shekullit të 16-të, ndërsa sot raca është e rrallë, megjithëse ato kryqëzohen me kuaj më të mëdhenj të racës së pastër për të lindur kafshë polo dhe veshje, përdoren dhe në shfaqje e ceremoni fetare; (6) kali “Shire” është një racë gjigante që njihej si kali i madh Anglez për aftësinë e tij në fushën e betejës, Mbreti Henri VIII i përdori shumë në kalorësinë e tij duke arritur sukses, mbante peshën e konsiderueshme të një kalorësi në forca të blinduara të plota. Aktualisht “Shire” konsiderohet relativisht e rrallë, por përdoret për ngritjen dhe tërheqjen e rëndë, si dhe për hipizëm e shfaqje artistike; (7) kali “Mongol” ka qenë një kal i luftës popullor dhe shumë efektiv në mijëra vjet, një kalë veçanërisht popullor dhe u përdor me efekt të madh nga Genghis Khan dhe ushtria e tij, ishte mjaftë i shkathët, i shpejtë dhe i aftë për të kryer sulme me shpejtësi të madhe dhe në heshtje relative, një racë shumë e njohur, si dhe aktualisht ka disa milionë prej kësaj rrace që përdoren për transport, për gara dhe pelat mbahen për qumështin karakteristik; (8) kali “thesalian”, nga Thesalia e Greqi-Turqisë, shumë i qëndrueshëm, historikisht, raca është më e njohur për racën e kalit legjendar të Aleksandrit të Madh, “Buqefali”, fakt është se kali thesalian pushtues i Azisë dhe Indisë, ndër më të  njohurit e historisë, ishte aq i nderuar saqë pas vdekjes së tij, Aleksandri themeloi qytetin “Buqefala”. Kali thesalian shumë herë i shpëtoi jetën Aleksandrit, një kalë që dinte të tërhiqej nga rrëmuja e betejës kur shihte rrezik si në luftën e Tebesë dhe në betejën e Isos; ishte kalë që askush nuk mund ta shalonte përveç Aleksandrit, kalë që përkulej në gjunjë. Buqefali i plagosur për vdekje në betejën e Idapsos, ruante me fanatizëm të zotin Aleksandrin duke u përkulur në gjunjë që padroni të mos vritej kur të binte dhe dha frymën e fundit duke shikuar dashamirësisht të zotin, si një nuhatës i veçantë i rrezikut në betejë. Rraca e kalit thesalian nuk është zhdukur, sepse janë zbuluar kuaj thesalianë edhe pse janë të rrallë; (9) kali “Destrier” paraardhësi origjinal i kuajve të sotëm, me trup të madh, shumë i fortë, i aftë të mbante një kalorës të blinduar dhe të ngarkuar plotësisht në betejë, një rracë tepër e guximshme dhe në gjendje të injoronte zhurmën e goditjes së armaturës dhe mjegullën e luftës. Kuajt e luftës “Destrier” ishin zakonisht hamshorë, sepse ata ishin natyrisht më agresivë, megjithëse kjo ishte e varur nga vendi dhe kalorësi, edhe pse sot vështirë ta gjesh në formën e tij origjinale; (10) kali “Palfreys” i përdorur nga kalorës të Mesjetës, por dhe si transportues ishte i vogël sa “Destriers”, shërben për udhëtim të qetë dhe të rehatshëm në distanca të gjata, nuk përdoren aq shpesh në betejë, kushtojnë sa kali i luftës Destrier, duke folur rreptësisht kuajt Destrier, Palfrey dhe Courser nuk ishin raca siç i perceptojmë sot, por ishin lloje të kuajve me karakteristika të përbashkëta, si kalë lufte, për kalërim e udhëtime të gjata dhe transport në distanca të gjata; (11) kali “Përcjellës”, i tipit i shkurtër, i lehtë, jashtëzakonisht i shkathët, që u përdorën si një njësi shumë e lëvizshme dhe preferoheshin nga kuajt e rëndë të kalorësisë për sulme të shpejta. Këtyre kuajve u kalërohet pa forca të blinduara dhe shpesh u vendosën për misione specifike dhe sulme të shpejta, që lidhen kryesisht me misione zbulimi, misione speciale, postë ushtarake etj. Njerëzit kanë krijuar traditë dhe afirmitet me kuajt nëpër shekuj, dhe përveçse i përdorin ato për hipur, për gara hipizmi shfrytëzohen për punët në bujqësi, transport, në fusha e terrene ku është e pamundur të marrësh tanke dhe automjete të tjera për luftë, edhe pse në disa vende të botës së pazhvilluar kuajt e luftës përdoren edhe sot, edhe pse shumica e racave u vendosën qindra ose mijëra vjet më parë në fushat e betejës denjësisht. Luftëtarët kalorës bënin dy forma stërvitjeje për vete dhe për kalin, dhe e kërkonte kalin me të dhëna të veçanta të fortë, rezistent, të shkathët, inteligjent, të duruar në cdo situatë. Njeriu dhe kali janë shndruar në binjakë historike. Kuajt kanë qenë të lehtë dhe të rëndë. Rracat e kuajve janë kaq shumë të larmishëm për kalë shale, për të transportuar qerre e karroca lufte, për të furnizuar vagona, për transport të armëve të rënda, sikurse janë artileria e lehtë. Këta kuaj kanë pasur lartësi prej 1,5 dhe 1,7 metra, me peshë midis 500 dhe 750 kg. Por kuajt që kanë shërbyer për të tërhequr ngarkesa të rënda, që zotëronin një fuqi të madhe muskulore dhe që pesha e tyre shkonte deri më 1000 kg. Kuajt në luftë në qindravjecarë u shndruan për njerëzit bashkëluftëtarë e “bashkëfajtorë” në luftra, për fuqinë e “motorit me djegie të brendshme” që kanë bërë detyra të rëndësishme të zbulimit e patrullimit në terrene të vështira, për të parashikuar kurthet armikut, si bashkëluftëtarë të trupëzuar me njerëzit në betejë, për përdorim ceremonial, për përfaqësime historike si shëmbëlltyrë e përdorimeve në  betejat historike të njerëzimit, si krijesa të fuqisë e shpejtësisë në festivalet e garave të mirënjohura të kuajve, por edhe si pjesëmarrës aktivë në disiplina të ndryshme në kinematografi, për stërvitje, goditje, kërcim shfaqjeje, frenim, rrokullisje, në gara sportive, si dhe në mjaft disiplina ushtrimore ku së bashku me kalorësin kryen veprime të karakterit sportiv dhe luftarak. Larmiteti sot përfshin edhe aktiviteteve të tjera rekreative jokonkurruese, si dhe në aktivitete pune si kuaj për policinë, ushtrinë, bujqësinë, argëtimin etj. Kuajt nuk janë vetëm sprintierë, që i shpëton nga grabitqarët, por shpejtësia forca dhe siguria u shfrytëzua shumë nga njerëzit. Kali ka veti të pazakontë, sepse mund të flenë në këmbë dhe të shtrirë. Një kal i ri, i quajtur mëz mund të qëndrojë dhe të vrapojë menjëherë pas lindjes, dhe kjo veti ran ë sy të njerëzve, të cilët filluan të merren me zbutjen dhe stërviten me shalë ose në një parzmore midis moshave dy dhe katër vjeç, por zhvillimin e plotë të të rriturve e arrijnë rreth moshës pesë vjeç dhe kanë një jetëgjatësi mesatare midis 25-30 vjeçare. Një jetëgjatësi e tillë përputhet me një cikël ose një brez të aktivitetit njerëzor që i bën kuajt të depërtojnë në histori dhe enciklopedi njerëzore për atë që kanë bërë të zotët e tyre, si heronj, luftëtarë, triumfatorë dhe humbës në beteja të mëdha të historisë.

Kuajt në Luftrat Botërore të njerëzimit

Kuajt janë nderuar jo rrallë po aq sa njerëzit. Kujtojmë këtu një foto të rrallë, që vjen nga Lufta e Parë Botërore në të cilën 650 ushtarë, të rreshtuar në formën e një koke kali, në shenjë nderimi për kuajt e vrarë gjatë kësaj lufte. Janë në fakt këta ushtarë që humbën kalin e tij në Luftën e Parë Botërore, në luftën që morën pjesë 38 vende të botës nga 59 shtete që kishte bota, por që u vranë 22 milionë ushtarë. Në LIB nga 16 milionë kuaj që ishin angazhuar me misione në luftë, u vranë rreth 9 milionë kuaj si dhe kafshë të tjera. Por luftëtarët e LIB falënderojnë kuajt me sloganin prekës: “Nuk janë vetëm ushtarët që luftuan për vendin e tyre”, foto historike që dëshmon se sakrifica e këtyre kafshëve trime u vlerësua nga njerëzit. Miliona kuaj dhe kafshë vlerësohen nga njerëzit për sakrificën e tyre. Është një foto bardhë e zi pa autor, që besohet se është shkrepur nga oficerët e Departamentit Nr.326 në Camp Cody, Neë Mexico, një foto që konsiderohet “vepër arti”. Kuajt dhe kafshët në përgjithësi poatën humbje kolosale në luftrat e njerëzimit, dhe vanë viktima të pafajshme të konfliktualitetit brutal njerëzor në të gjithë botën. Në luftrat për tregje, në luftrat për pasuri, në luftrat për rindarjen e botës e deri për rendet e reja botërore kafshët kanë qenë prezente, aty ku i çuan njerëzit. Në Luftën e Dytë Botërore, nga 1 milion kuaj që lanë Anglinë, për në frontin e Perëndimit, vetëm 60 mijë u kthyen. 2.7milion kuaj humbi ushtria gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy herë më shumë sesa gjatë Luftës së Parë Botërore. Propaganda naziste për ushtrinë “e mekanizuar”, nuk përputhej me realitetin, sepse miliona kuaj transportonin materiale dhe ushtarë në fushën e betejës. Ndërkohë që gjatë betejave në frontin lindor, një pjesë e kuajve u therën nga vetë ushtria për t’u ushqyer ushtarët e frontit, ndërkohë që të dhënat flasin që vetëm për palën gjermane pati edhe 750 mijë kafshë lufte të vrara në luftë. Gjithë ushtritë e të dy palëve ndërluftuese përgjatë Luftës së Dytë Botërore përdorën masivisht kafshët. Të dhënat dokumentare, historike e bibliografike japin të dhënë shpesh edhe kontradiktore, por faktet janë fakte që nuk mund të anashkalohen, ndërkohë që Britania kishte rreth 200000 kafshë në shërbim, ushtria amerikane kishte 14000 mushka vetëm në Itali, Gjermania humbi më shumë se 179000 kuaj në dy muaj në frontin lindor. Po të përllogaritim gjithë frontet e betejës dhe gjithë palët pjesëmarrëse kuajt dhe kafshët e tjera kanë qenë masivisht pjesëmarrëse të pavullnetshme në luftrat e përgjakshme të njerëzimit. Me mijëra janë rastet kur luftëtarët janë shpëtuar nga besnikët-kuaj edhe duke parandjerë e paralajmëruar rreziqet. Prandaj këngë, vaje, legjenda, balada, mite, tregime reale flasin për dashurinë e besnikërinë e kalit ndaj të zotëve të tyre. Për këtë arsye ka ngelur proverbial për besnikëri, që shkon edhe përtej imagjinatës njerëzore, si legjenda fluturuese e “Pegasos”, si të dhënat mbi arianët që erdhën nga Kaukazi, me kuajt e përbindshëm gjysëm njerëz e gjysëm kafshë, të pabërballueshëm, lashtësia që i sjell si qënie të dashura fituese nëpër olimpiada, ku ju kushtonin vepra edhe statuja me emrat e tyre. Në dhjetra e qindra qytete lulëzojnë vepra përkujtimore të heronjve dhe bashkë me to janë edhe kuajt e betejës, ku staujat e heronjve mbi kuaj kanë qenë dhe janë të preferuara, për një copëz të origjinalitetit të tyre. Pikturat me epiqendër kalin, si “Kalorësit e kaltër” në Gjermani, kali blu me bisht të kuq, dekorime nga më të larmishmet, qëndisjet deri me ar, kuaj madhështorë zbukurime fisnikërie predominojnë artet sot në botë. Kalin e gjejmë në frymëzimet poetike, në piktura, vepra arti dhe skulptura në gjithë botën. Bota e artistëve dhe jo vetëm sot është e dashuruar me kalin dhe në kohët moderne veprat, filmat, garat kalorësiake, spektaklet folkloristike, kanë “pushtuar” një pjesë të njerëzimit, që si duket po i “kthen” nderimin dhe respektimin kuajve të luftës dhe të paqes me statuja të përbashkëta heronjsh e kuajsh.

 

Please follow and like us: