Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Dode: Kremtimi i 5 Majit, një relikt sektarizmi!

 

Si datë simbol për nder të dëshmorëve të Shqipërisë, ish-pushteti komunist caktoi ditën e vrasjes së Qemal Stafës, 5 majin e vitit 1942.

Qemali jetoi vetëm gjashtë muaj pas ngritjes së Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh), me dy detyra: anëtar i Komitetit Qendror (KQ) të saj dhe sekretar politik i organizatës së Rinisë Komuniste.

1.

Qemal Stafa lindi në Elbasan më 20 mars 1920.

Nxënës në gjimnazin e Shkodrës, në moshën 16-vjeçare bënte pjesë në celulën komuniste të formuar në Shkodër në vitin 1936. Në janar 1939 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg.

Në vigjilje të agresionit italian mbi Shqipërinë, në mbrëmjen e 6 prillit 1939, sapo kishte dalë nga burgu i shpërthyer prej të burgosurve, u ndodh përpara selisë së atasheut ushtarak italian. Rojet, të alarmuara nga zhurma e turmës, hapën zjarr. Qemal Stafa u plagos.

Në shtator të vitit 1939, Qemal Stafa shkoi për studime në Itali. Dy vite në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Firences i mbylli me rezultate të shkëlqyera.

Në qershor 1941, u kthye në Shqipëri. Më 23 qershor, katër muaj përpara formimit të PKSh, u hodh në ilegalitet.

Në moshën 20 vjeçare, në nëntor 1941, Qemali mori pjesë në Mbledhjen Themeluese të PKSh, ku u zgjodh në dy detyrat që u përmendën më sipër. Në muajt e parë të organizimit të Partisë nëpër qarqe, Qemali dhe Enver Hoxha ishin ndër anëtarët e KQ të Partisë që qëndruan më shumë në Tiranë për të ndihmuar Miladin Popoviçin, i dërguari i Partisë Komuniste (PK) të Jugosllavisë për ngritjen e PKSh.

Në raportin e përgatitur për Kominternin, Koço Tashko e paraqit Qemal Stafën si “shoku më aktiv, njëkohësisht më sektar në të cilin bazohej shoku Miladin”. Si shembull, K. Tashko tregon një përgjigje të Qemalit e cila duhet të ketë qenë një mësim i M. Popoviçit: “S’na duhen ne këta nacionalistë, se këta nesër do të jenë armiqtë tanë”.

Më 5 maj 1942, gjashtë muaj pas ngritjes së PKSh, Qemali 21-vjeçar u vra në Tiranë, në një rrethim nga policia fashiste.

Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, e cila jetoi burgjet e internimet e pushtetit për të cilin luftoi, e pranishme në ditën dhe vendin e vrasjes së Qemalit, tregon se ky vrau veten, teksa ishte i plagosur. Një veprim i ndaluar për komunistët, një tabu.

2.

Pas ‘çlirimit’, shokët e armëve nuk treguan ndonjë interes të veçantë për figurën e Qemal Stafës. Nuk njihet arsyeja.

Ceremonitë e organizuara për kujtimin e tij më 5 maj 1945, ishin të zbehta. I tillë ishte edhe kryeartikulli i gazetës Bashkimi, shkruar nga Nako Spiru, ku veç të tjerash duket sikur autori nuk e ka njohur talentin letrar të djaloshit Stafa. Në vizitën përkujtimore në varrin e Qemalit, varr i cili, si në raste sektesh të ndryshme, në atë kohë ndodhej përpara hyrjes së godinës së KQ të PKSh, nuk ishte i pranishëm asnjë anëtar i KQ të Partisë. Kurse mbrëmjen e Konferencës përkujtimore, nuk ishte i pranishëm asnjë anëtar i Byrosë Politike të PKSh.

Po atë ditë Enver Hoxha, në vend që të shkruante për Qemal Stafën, shkroi në gazetën Rinia artikullin e gjatë “Rinia në luftë dhe në punë”, ku tjerr për një partizan pa emër, për një ish-nxënësin e tij, rënë te ura e Shëmbërdhenjit. Aty shkruan vetëm dy fjalë për Qemal Stafën, të cilin, për të mbyllur gojët e këqija, pas rreth katër dekadash, e ka quajtur “shoku nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëpunëtorin tim më të dashur”. Dhe, për të mos e lënë vetëm, i vë pas dhe Misto Mamen, vrarë më 16 gusht 1942.

Më 9 korrik, u shënua një hop: KANҪ dekoroi Qemal Stafën me urdhrin Hero i Popullit, sikundër edhe Vojo Kushin, Reshit Ҫollakun e Misto Mamen.

3.

Kur u vendos të shpallej një ditë përkujtimore për Dëshmorët e Kombit, KQ i PKSh dhe Këshilli Ministrave caktuan atë të rënies së Qemal Stafës, duke e cilësuar kështu si përfaqësues i dëshmorëve të popullit shqiptar për të gjitha kohët.

Kjo u bë me një sektarizëm të plotë, me argumentin se Qemal Stafa, kishte qenë komunist e bile një nga “udhëheqësit” e Partisë: anëtar i KQ Provizor të saj dhe në krye të Rinisë Komuniste, pra me psikologjinë e ‘vitit zero’, se çdo gjë në Shqipëri duhej të fillonte me krijimin e Partisë Komuniste.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet sesi një i ri me kohë veprimtarie aq të shkurtër gjatë së cilës kishte mbajtur një revolver dhe që u vra gjatë një rrethimi policie, të nderohet me titullin Hero i Popullit e aq më tepër të konsiderohet si simbol mbi ata që ranë në përballje me armiqtë dhe luftuan për mëmëdheun prej vitesh, me pushkë e me penë.

Më 5 maj 1947, me rastin e pesëvjetorit të rënies së “Heroit Kombëtar Qemal Stafa”, Sekretariati i Frontit Demokratik organizoi një konferencë përkujtimore ku nuk ishte i pranishëm asnjë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PKSh. Partia vazhdonte të mbante një qëndrim pothuaj të ftohtë për atë që e kishte nderuar duke e cilësuar si përfaqësues të dëshmorëve të popullit Shqiptar.

Në kurorën e vendosur në bustin e tij, shkruhej me shkronja të mëdha: “Qemal Stafa luftoi dhe vdiq si hero për kauzën e Partisë dhe të popullit”.

Fjalët që qarkullonin mbi qëndrimin jo dashamirës të Enver Hoxhës gjatë bashkëpunimit të shkurtër me Qemal Stafën, gjejnë mbështetje, veç dënimit me burg e internim shumë të gjatë të së fejuarës së tij, Drita Kosturit, edhe me qëndrimet e vakëta të Enverit e të PKSh ndaj Qemalit, por edhe në dëshmi të tjera.

Në psikologjinë e komunistëve kishte zënë rrënjë ideja se heroizmat e tyre gjatë periudhës nëntor 1941 – nëntor 1944, nuk mund të krahasoheshin me asnjë periudhë tjetër të historisë kombëtare.

4.

Me veprimtarinë tepër të shkurtër dhe me rrethanat e rënies, Qemal Stafa mbetet i papranueshëm edhe si simboli i dëshmorëve të Luftës 1939–1944. Për shembull për njërin prej tyre – për Mujo Ulqinakun –, shkruhet se emri i tij “ka hyrë në kujtesën popullore si simbol i luftës patriotike”. Por Mujo Ulqinaku, kur ra përballë ushtrisë zaptuese italiane, ‘fatkeqësisht’ ishte kapter i Ushtrisë e Mbretërore.

Jashtë diskutimit të mësipërm, mbeten pa dyshim konsideratat më të larta që brezat ruajnë për ata që ranë për Kombin në çdo kohë. Por, për Qemal Stafën, është tepruar, siç është bërë edhe për ata që ranë vullnetarisht në luftën civile në Spanjë, të cilët u nderua shumë prej drejtuesve të pushtetit komunist.

 

Please follow and like us: