Odise Kote: Kaçolja e Hysës
Kaçolja e Hysës ishte dyqani i mëhallës. Vërtet i vogël sa një kaçole. Emrin kaçole, s’e kuptova asnjëherë plotësisht. Shkurtane, gati me sipërfaqe të habitshme, dy me dy metër, në atë dyqan gjeje gjithçka, nga maja e gjilpërës tek qumështi i dallēndyshes. Pak, po nga të gjitha. Hysa nuk thoshte kurrë s’kam! Kam, thoshte – ja ta marr në shtēpi! Ikte dhe kthehej sa gëlltitej klienti.
Tek kaçolja e Hysës linte qumështin për banorët e pallatit të ri dhe Myrvetja, fshatarka e bukur me bluxhinse top pas trupit që zbriste nga furgoni rrangallë i Shametit. Kushedi sa palë sy rrinin pas qelqeve tê dritareve në pritje të shihnin Myrveten.
Ishim mësuar me kaçolen tonë. Por ishte kohë ndryshimesh e tranzicioni dhe dikush ia trazoi gjumin Hysës së shkretë. Një mëngjes mbi kaçole u shfaq e vendosur mbi ballinë, tabela: MINIMARKET Hysa. Epo për hajër qoftë, mërmëritën zëdridhur ca pleq të mëhallës, me parandjenjën e rritjes së çmimeve.
Ditët më pas u duk se s’do të ndryshonte asgjë, Myrvetja e hirshme zbriste si zakonisht nga furgoni rrangallë i Shametit për të na sjellë qumështin e fshatit dhe Hysa shërbente duke e hapur kaçolen që kur lindte dielli, për ta mbyllur kur binte nata. Por qenkëshim gabuar.
Në një tjetër mëngjes, shqyem sytë kur pamë mbi ballinë të kaçoles tjetër tabelë, ishte hequr ajo MINIMARKET Hysa dhe qe vendosur e reja, madje me drita neoni SUPERMARKET Hysa.
O zot, – tha im gjysh, një plak heshtan qê s’merrte kënd nëpër gojë. Nga Minimarket në Supermarket, dhe kaçolja mbeti shtatanike…? Nuk u rrit asnjê pëllëmbë?!
Askush nuk ia vuri veshin. Ne tani kishim Supermarketin tonë në mëhallë. Mēhalla tē tjera s’kishin Supermarket. Kishin thjesht dyqane të kohës së qepës, siç thoshte Mikua, kapedani ynë. Ne mburreshim në shkollë. Por kapardisja jonë me Supermarketin e Hysës nuk zgjati shumë. Një mbasdite mësuam nga të rriturit lajmin që përcillej si gjëmë, që Hysa e paskësh thënë me fjalët: Ky vend nuk bëhet! Do të iki!
Mallin e ndau brenda natës nëpër miq e shokë dhe të nesërmen iku vërtet. Kushedi se ku. Në Amerikë, thanë plakat e mëhallës. Në Australi, pleqtë. Iku dhe nuk e ktheu kokës pas. Askush në mëhallë nuk di gjë për fatin e tij.
Hysa ishte njeri pa njeri. Vetmitar. Ajo që dihet është fakti se kaçolen e zuri Plani Urbanistik dhe atij krahu u zgjerua rruga, bashkë me trotuarin. Aty tani, luajnë fëmijët me biçikletat e tyre, ndërsa fare rrallë dëgjon të shkuarën: Takohemi nga Kaçolja e Hysës!