Vepra daneze në latinisht që frymëzoi Shekspirin për tragjedinë “Hamleti”
Jóhanna Katrín Friðriksdóttir
Hakmarrja është një nga temat qendrore në traditën narrative norvegjeze. Synimi i saj ishte të rivendoste nderin e nëpërkëmbur të një personi apo të familjes së tij. Nëse një fyerje nuk ndiqej nga një reagim hakmarrës, kjo sjellje nënkuptonte përjashtimin e dikujt nga shoqëria e lashtë norvegjeze.
Historia e princit viking Almet (Amlóði në norvegjishten e vjetër), është një nga rrëfimet e shumta që përqendrohen tek hakmarrja e pamëshirshme e një personazhi, pavarësisht nga rreziqet që përfshin ajo. Diçka e tillë është mjaft e njohur në kulturën norvegjeze, pasi për të ka aludime të shumta në burimet mesjetare.
I vetmi version i plotë i ruajtur nga periudha mesjetare, është ai i treguar nga kleriku danez Sakso Gramatikus në veprën e tij monumentale “Veprat e danezëve” (Gesta Danorum), e cila u shkrua në latinisht në fillimin e shekullit XIII 13-të.
Ky tekst përmbledh gjithçka që Sakso dinte për historinë e Danimarkën, dhe më gjerësisht për Skandinavinë, për sa kohë jetoi. Ajo që ai shkroi, ka të ngjarë të jetë bazuar tek realiteti. Por studiuesit bien dakord se pjesa e parë e veprës së tij, është një koleksion mitesh dhe legjendash, më shumë se sa diçka që kishte të bënte me historinë.
Heronjtë e tregimeve që përmend Sakso në veprën e tij, përfshijnë luftëtarët e mirënjohur Ragnar Lotbrok (ose Lodbrok) dhe Latgerta (i njohur më shpesh si Lagerta për fansat e serialit televiziv Vikingët), si dhe perëndi norvegjeze dhe krijesa mitike.
Sakso i kushton një hapësirë të madhe rrëfimit mbi Amletin. Ashtu si edhe tek drama “Hamleti” e Uilliam Shekspirit, babai i princit të ri vritet nga xhaxhai i tij Fengi (Klaudi tek vepra e Shekspirit). Më pas, xhaxhai martohet me të venë e vëllait të tij, Mbretëreshën Geruta(Gertrud tek Hamleti), ndërsa Amlet shtiret si i çmendur dhe qëndron pranë vatrës, zhgërryhet në dyshemenë e pisët duke thënë fjali enigmatike që i futin të gjithë në mendime.
Shumë shpejt mësojmë se sjellja e tij e çuditshme, është një hile për të krijuar tek Fengi dhe oborrtarët e tij idenë e rreme sikur ishte çmendur, ndërkohë që fshehurazi bën plane për t’u hakmarrë për vdekjen e babait të tij.
Pjesa tjetër e tregimit përshkruan luftën për pushtet mes xhaxhait dhe nipit. Fengi përpiqet ta heqë qafe Amletin në mënyra të ndryshme, por nipi i tij në çdo rast tregohet shumë i kujdesshëm. Dhe në fund krijohet mundësia që Amleti të hakmerret.
Përpara se të vrasë xhaxhain e tij, ai kap edhe oborrtarët e Fengit dhe i djeg të gjithë brenda sallës, duke arritur kështu të marrë fronin. Përgjatë rrëfimit të Saksos, në pjesën më të madhe të veprës i bëhet një gjykim i madh moral Fengit – i cili vrau vëllain për shkak të ambicieve që kishte ndaj tij – si dhe ndaj atyre që e përkrahnin atë.
Personazhi kryesor i veprës Amleti u mban një fjalim të gjatë danezëve, se pse e kishin lejuar veten të sundoheshin nga një mbret kaq inferior. Ai gjithashtu i hakërrehet nënës së tij për humbjen e dinjitetit dhe prestigjit, pasi ajo u martua me njeriun që i kishte vrarë bashkëshortin.
Metoda e Amletit për t’`u shtirur si i çmendur në versionin që rrëfen Sakso është e pazakontë. Por tregimi ka detaje dhe tema të përbashkëta me tekstet e tjera norvegjeze. Vrasja e të afërmve, sallat e djegura, dhe i riu që qëndron i turpëruar pranë vatrës, gjenden të gjitha në sagat nordike.
Edhe saga islandeze, Gisla, përfshin një skenë në të cilën heroi i historisë pretendon sikur është budalla për t’u shpëtuar armiqve që e ndjekin. Ajo që haset më së shumti në tregimet norvegjeze, është perceptimi se njerëzit gjithnjë kanë një plan të zjarrtë hakmarrjeje, të cilin e mbartin për periudha shumë të gjata, madje edhe vite, përpara se ta vënë atë në zbatim.
Ai mund të jetë personi të cilit i është bërë një padrejtësi, por në pjesën më të madhe është figura rrëqethëse e nënës, ajo e cila nxit djalin apo një mashkull që qëndron pranë saj, për t’u hakmarrë në momentin e duhur.
Në sagën Laksdela, është nëna ajo e cila u kujton bijve të saj detyrën e marrjes së hakut tëbabait të tyre sapo të jenë mjaftueshëm të rritur, pra shumë vite pas vrasjes së tij. Në veprën e tij, Sakso zgjedh që mos t`i kushtojë shumë rëndësi personazhit të nënës së Amletit, duke mos e sjellë herë pas here në vëmendjen e lexuesit dhe duke e përmendur rrallë.
Autorët e teksteve mesjetare norvegjeze dhe filmi “The Northman” (Njeriu i Veriut), trajtojnë rolin që luanin gratë në nxitjen e ciklit të gjakderdhjes, dhe atë çka sillte detyrimi për të marrë hak me çdo kusht. Këto histori të vrasjeve të të afërmve, ku hakmarrja është një temë kaq qendrore, pasqyrojnë strukturën shoqërore norvegjeze gjatë epokës së vikingëve.
Familja ishte njësia shoqërore bazë, dhe nuk kishte shtet apo polici që të vendoste paqen. Ndaj njerëzit ishin në mëshirë të njëri-tjetrit për të mbetur gjallë dhe për të pasur siguri. Që të parandalonin grindjet mes tyre, familjet krijuan lidhje të ndërsjella përmes aleancave dhe martesave të përziera.
Megjithatë, këto lidhje nuk u ruajtën gjithmonë, sidomos kur hynë në lojë emocionet universale si lakmia dhe xhelozia. Filmi “The Northman”, me regji të Robert Egers dhe bashkë-skenar të Egers dhe shkrimtarit islandez Sjon, është një realizim spektakolar për dashamirësit e filmave dhe historisë.
I xhiruar në shumë vende historike, dhe me një kostumografi dhe skenografi që i kushton një vëmendje të jashtëzakonshme detajeve historike, ai tregon historinë e princit legjendar viking Amlet. Në film, Amleti (Aleksander Skarsgard) bëhet dëshmitar i vrasjes së babait të tij, mbretit viking Orvandil (Etan Houki), nga xhaxhai i tij Fjolnir (Klaes Bang).
Ai arrin që të arratiset dhe rritet diku larg për t’u bërë vetë viking. Por e braktis këtë jetë për të marrë hak për të atin, dhe për të shpëtuar nënën e tij Mbretëreshën Gudrun (NikolKidman). Por Amleti zbulon se misioni i tij i hakmarrjes, nuk ishte edhe aq i lehtë sa mendonte.
Filmi përshkruan pengesat që ai has në synimin e tij, të vendosura përkundër botëkuptimit të dallueshëm të vikingëve, mënyrave të jetesës dhe ritualeve të tyre të veçanta. Në vend të botës mitiko-legjendare të Sakso, filmi është vendosur në një kontekst të njohur të shekullit X-të.
Pas vrasjes së babait të tij, Amleti bashkohet me një grup luftëtarësh vikingë dhe shkon në Rusi (Ukrainën dhe Rusinë e sotme). Fati i Gudrun dhe Fjolnir merr një kthesë dramatike menjëherë pas vrasjes së Orvandil, që më pas pasohet nga pushtimi i mbretit norvegjez Harald, kohë në të cilën atyre u duhet të largohen nga mbretëria e tyre, e cila ishte në një ishull në veri të Skocisë.
Ata përfundojnë në Islandë, ku fillojnë të jetojnë si fermerë, ndërkohë që kërkoheshin nga Amleti. Personazhi Amlet i Sakso, ngjitet triumfalisht në fron pas vdekjes së xhaxhait të tij, dhe detyra e tij e parë ishte të qortonte bashkatdhetarët e tij për dobësinë e treguar për të rrëzuar Fengin.
Por filmi “The Northman”, ofron një panoramë më komplekse mbi koston që ka hakmarrja, dhe Amleti në film mbërrin në një pikë ku kupton se hakmarrja do ta çojë drejt një rruge pa kthim. Zgjedhja e tij përfundimtare, do të tërheqë shikuesit e filmit, po aq sa ata që dikur dëgjonin tregimet mbi luftëtarët, mbretërit dhe mbretëreshat vikinge qindra vjet më parë.
Shënim: Dr.Jóhanna Katrín Friðriksdóttir, historiane e Mesjetës, e specializuar mbi historinë, letërsinë dhe dorëshkrimet e Norvegjisë së Vjetër. / “History Extra” – Bota.al