Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Fako Aliaj

Fako Aliaj ka lindur me  3. 4. 1958 në Brataj, Vlorë. Banon në Tiranë, që prej vitit 2008. Ka mbaruar  shkollën e mesme Ekonomike, nē Sarandë. Pastaj vazhdoi Shkollën e Lartë të Ministrisë së  Brendndshme, (dega e kufirit) . Ka punuar Oficer, në Vlorë nga viti1981 gjer më 2006. Aktualisht, ndodhet në pension të parakohshëm. Është i  martuar qē prej vitit 1983, prind  i tre fëmijëve. Eshtë i dhënë pas muzikes dhe pikturës, por poezia është pasioni i jetës së tij. Ka filluar tē krijojë  herët, qē prej vitit 1981, me fabula e poezi tē ndryshme. Ka hezituar të botojë, por më së fundi, është në shtyp libri i tij i parë, titulluar ” Spiranca e shpirtit”, ku janë përfshirë 100 poezi. Në të ardhmen, libra të tjere do vijnë pranë lexuesit.

SPIRANCA E SHPIRTIT

Një strehëz për shpirtin , kërkova papushim,
Një delfin shprese në detin pa mbarim.

Kuletës i besova, mikeshës më të mirë,
Pakt bëra me dashurinë, prapë s’u ndjeva i lirë…

U ktheva dhe nga pija, por nuk gjeta shërim,
Vetëm poezia, spiranca e shpirtit tim!…

SA SHPEJT  VJEN E SHTUNA

Sa shpejt  vjen ditë e shtunë,
Dhe koha trokun nuk e ndal,
Ashtu si koha vrapoj dhe unë,
Porse tani vrapoj ngadalë!…

Sa shpejt  vjen ditë e shtunë,
S’më gjen fundjava si më parë,
Pasionet nuk i braktisa kurrë,
Dhe shpirtin tim e kam si djalë!…

Sa shpejt që vjen ditë e shtunë,
Por jo, merak s’bëhem aspak,
Dhe në më pafshi me bastun
Nuk dua të më thoni “plak”!…

Sa shpejt  vjen ditë e shtunë,
Dhe unë i vetëm vozis në varkë,
Dhe dielli ngroh përherë më shumë,
Dhe bota ftohet pak nga pak!…

PRANË JUSH DO TË VIJ

I ftova fjalët si mikeshat në gosti,
Kur zogjtë nisin cicërimin,
Nuk ftova shumë, vetëm dy a tri,
Ato radhë-radhë më vinin!

I ftova fjalët si mikeshat në gosti,
Si balerina mu duk se vallëzonin,
Më buzëqeshën plot dashuri,
Dhe nuk u grindën për fronin!

I ftova fjalët si mikeshat në gosti,
Diku përballë meje u ulën,
Miqësisht u pamë sy më sy,
Si marinarët e ngritëm pëlhurën!

I ftova fjalët si mikeshat në gosti,
Dhe nuk i ngujova si robinat,
Me to në vargje, pranë jush do të vij,
Mëngjeseve, kur nisin cicërimat!…

VARGJET

Rreze drite ndaj të gdhirë, që na vijnë si prej Xhenetit,
Hapin portat për të hyrë, feksin vargjet e poetit…
Marrin jetë e marrin frymë, me poetin shkojnë ndër yje,
Edhe kthehen në çdo stinë, veshur me vel dashurie…

Please follow and like us: