Hafize F. Elshani: Prishtina zyrtare dhe liria e medias
Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit i gjen disa nga mediat në Kosovë nën çensurën qeveritare dhe kontrollin e oligarkisë. Mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese; rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante.
Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos e tradhëtoni profesionin e misionin që e keni, ne jemi pranë njeri-tjetrit në këtë ditë dhe gjithmonë duke ditur sakrificat që bëjmë për të mbrojtur dinjitetin dhe fjalën e lirë. Ne do të triumfojmë sepse në Kosovë s’mund të kthehemi 40 vite pas për të ndjekur mediat e huaja, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre…
Ndryshimi është në dorën tonë dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste!
Gjithmonë do të ketë gazetarë dhe media që nuk shiten dhe as nuk blihen, që kanë me hulumtu çdo qeveri që do jetë në pushtet, çdo organizatë të keqëbërëse dhe ëdo fushë të mundshme që ka për qëllim fshehjen e veprimtarisë së dyshimtë.
E për krejt juve ne institucione që na pasni uruar sot formalisht kuptohet, me ja rikujtu që shumë shpesh hajmë bërryla nga truprojat tuaja, shpesh mbesim me orë jashtë, shumë shpesh kërcenohemi e shumë herë edhe ushtrohet dhunë ndaj gazetarëve; ju tentoni me na mbyllni gojën dhe shumë herë me na ble e me na shit, andaj ju uroni formalisht se na as seriozë nuk ju marrim se e keni kamuflim, hipokrizi, shtirje dhe nesër harroni…
Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.
Gëzuar për krejt gazetarët në Kosovë e Shqipëri që nuk iu nënshtrohen shefave debila që nuk i lejojnë me hulumtu disa kompanin ose disa sektorë thjesh e vetëm sepse i ka mbështetje financiare; gëzuar për krejt gazetarët që nuk i nënshtrohen shefave idiotikë që duhet patjetër me bë një artikull për iks personin me tendencë; gëzuar për gazetarët e kolegët me të mirë që nuk ndalen duke punuar në këto kushte shumica pa kontrata e pa paga të mira, por punojnë sepse e duan punën dhe profesionin e tyre.
Gëzuar për gazetarët që nuk shiten në asnjë formë dhe ku rëndësi ka informacioni i saktë se sa një pozicion pune në kabinetin qeveritar apo nëpër ministri të ndryshme; pushteti ynë i katërt nuk mund të zëvendësohet as nga pushteti legjislativ, as nga ai ekzekutiv dhe as nga i drejtësisë.
Gëzuar për secilin që nuk hesht e nuk lejon të jetë i dirigjuar nga askush!
3 Maji është po ashtu dita e përkujtimit të atyre gazetarëve e reporterëve që e kanë humbur jetën në ndjekje të së vërtetës dhe raportimit profesional.
https://www.zeriamerikes.com/a/6555462.html