Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Koha që jetojmë

 

U thinjën të gjitha,

Gurët, malet, dheu

U thinjën njerëzit, të rinj e të vjetër,

U thinj atdheu…

 

U thinjën retë atje në luginë,

U thinjën hardhitë kudo në vreshta,

U thinjën gjethet, u thinjën pemët,

Pa ardhur vjeshta.

 

U thinjën bashkëmoshatarët,

U thinje ti, u thinja dhe unë,

U thinj përrroi në shpatin e zhveshur,

Duke rrjedhur në lumë…

 

U thinjën shtëpitë nga njerëzit braktisur,

(Në çdo prag shtëpie bari mbiu,)

U thinjën portat që askush s’i hap,

Për pakëz frymë njeriu…

 

Ç’bëhet kështu, ç’është kjo e keqe?!

U thinj atdheu, u thinjëm të gjithë

U thinjën dashuritë brenda kraharorit,

U thinjën dhe miqtë.

 

Si m’u thinjën kështu

Ato që mbi gjithçka i desha?!

U thinjën ëndrrat që na jepnin shpresë,

U thinj edhe shpresa,

 

U thinjën lulet pa mbrritur pranvera,

U thinjën ditët qysh në  mëngjes,

U thinj dhe fjala e bukur magjike,

“Ti eja të pres”.

 

U thinj e nesërmja ende pa ardhur,

Për të parë një rreze drite,

U thinj populli  duke pritur pa fund,

Të iki kjo klasë e ndyrë politike,

 

U thinjën dhe udhët që s’ndiejnë hapa njerëzish,

Në zymtësi prej vitesh kredhur,

U thinj edhe pika e rëndë e lotit,

U thinj duke rrjedhur…

Please follow and like us: