Ndue Lazri: ME GJENIUN E LETRAVE SHQIPE
Me shkrimtarin tonë të madh, gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, më ka rastisur të takohem disa herë. Që kur punoja si gazetar në Shkodër, ai vinte gjithnjë gjatë muajit të letërsisë, në tetor, i ftuar nga Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të atij rrethi, e cila drejtohej nga dramaturgu i mirënjohur Fadil Kraja. Ishte një nga degët më të mëdha e më aktive të Lidhjes, pasi Shkodra kishte një numër të madh shkrimtarësh, piktorësh, fotografësh, aktorësh të teatrit e të estradës, këngëtarë etj.
Takimet bëheshin zakonisht në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës që mbante emrin e kompozitorit të madh Prenkë Jakova. I ngarkuar nga gazeta, por edhe si lexues i pasionuar i Ismailit, shkoja me dëshirë në këto takime, madje shkoja gjithnjë para orës së fillimit, edhe për të zënë ndonjë vend në radhët e para të sallës. Atë pasdite ngjita shkallët për në katin e dytë. Ende nuk kishte ardhur asnjeri, as nga drejtuesit e institucionit e as nga Lidhja. Sapo ngjitem në koridorin e madh të katit të dytë, shikoj që aty po vërtitej i vetëm shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Për të flisnin se ishte disi i rreptë, por ai, me një korektesë të jashtëzakonshme kishte ardhur që nga Tirana përpara tlë gjithëve në takim. E takova disi i ndrojtur, sepse pata përshtypjen se ishte disi nervoz nga ajo pritje në vetmi. Por jo, më përshëndeti me përzemërsi dhe pastaj, duke vështruar orën më tha: – “Ç’kemi ndonjë barcaletë të re nga Shkodra?”. U gjenda aq i papërgatitur sa m’u lidh goja. Jo se nuk dija barcaleta, se Shkodra i nxirrte me bollek, por për momentin nuk m’u kujtua asnjë. Pastaj, edhe po të më ishte kujtuar, zor se do merrja kurajon të tregoja përpara tij ndonjë barcaletë.
-Tani do vijnë edhe artistët e humorit, e me siguri ata dinë plot barcaleta të bukura,-dola nga situata.
-Hë pra, po ku janë?-pyeti përsëri duke vështruar orën. Në këtë kohë nëpër shkallë u ngjit shkrimtari i mirënjohur Skënder Drini. Ai kishte tjetër njohje e të tjera marrëdhënie me Ismailin dhe pasi u takuan, i lashë të bisedonin me njëri-tjetrin. Bisedonin duke ecur nëpër koridorin e madh. Ndërsa unë u futa në sallën ku do të zhvillohej takimi, ku pati një pjesëmarrje të gjerë dhe Ismaili zhvilloi një takim të ngrohtë me artistët shkodranë. Të nesërmen erdhi për një takim edhe në ish komitetin e Partisë të rrethit, në të cilin e shoqëronte Skënder Drini.
Një herë tjetër, nga mesi i viteve ’90, kishte ardhur në Shqipëri shkrimtari argjentinas me origjinë kalabreze, madje me nënën arbëreshe, Ernesto Sabato, të cilit i ishte akorduar çmimi “Ismail Kadare”. Takimi u bë në ambientet e hotel “Tirana” dhe të dy, si Sabato, ashtu edhe Kadare shkëlqyen në fjalën e tyre para artistëve, gazetarëve e personaliteteteve e shumta që merrnin pjesë. Me atë rast i mora një intervistë të shkurtër Ismailit për gazetën “Albania”, ku isha redaktor i faqes kulturore.
Këtë radhë u takuam pas 26 vjetësh, nga ikja ime në emigracion. Tamam, pak kohë pas asaj interviste, qeshë larguar për në Itali. Botuesi i tij i njohur, Bujar Hudhri, më krijoi mundësinë e takimit në ambientet e “Juvenilias”. Është gjithmonë kënaqësi ta takosh gjeniun e letrave shqipe. Në lartësinë e viteve të tij, tashmë ai është bërë disi më i heshtur (gjithmonë ka qenë fjalëpak), por kur e tërheq argumenti i bisedës gjallërohet, të vështron me vëmendje e thotë diçka nga këndvështrimi i tij. Biseduam për lidhjet e kontributin e tij për Kosovën. Kisha lexuar shumë rreth këtij argumenti, për merakun e tij mbi rrezikun e zhbërjes së Kosovës nga politika e agresioni serb, për lidhjet e tij si intelektual e personalitet shqiptar me konferencën e Rambujesë, në një kohë që qeveria shqiptare e tradhëtonte Kosovën duke thyer embargon ndaj Serbisë e duke e furnizuar atë me naftën që i shërbente makinës luftarake serbe kundër vëllezërve tanë kosovarë. Dija edhe për lidhjet e tij me Ukshin Hotin e për librin që kishte shkruar nga biseda me këtë personalitet kosovar kur ishte i mbyllur në qeli nga Serbët. I tregova për përkthimin që i kam bërë në italisht librit të shkrimtarit kosovar Rexhep Hoti “Nata e Kosovës”, parathënien e të cilit e ka bërë Kadare.
-Ajo parathënie ka krijuar jo pak diskutime në Kosovë,-ndërhyri Bujar Hudhri, duke patur patrasysh se aty Kadare flet mbi hermetizmin e letërsisë kosovare të periudhës kur është shkruar libri.-Por Kadare diti t’ua japë përgjigjen, -përfundoi ai.
Pastaj i fola për aktivitetin e shoqatave shqiptare në Itali dhe për dëshirën që kisha patur ta ftoja një herë në takim me krijuesit e shumtë emigrantë shqiptarë në Itali, por nuk kisha patur asnjë kontakt të tij gjatë kohës që jetonte në Francë.
-Mund të ishim organizuar,-tha ai. Dhe ndjeva një keqardhje të madhe që nuk kisha besuar më shumë tek vetja në këtë mundësi për ta organizuar një takim me shkrimtarin tonë të madh në tokën italiane.
Mes të tjerash fola edhe për ngulimet e familjeve fisnike shqiptare në Capodistria (Koperin e sotëm) pas vdekjes së Skënderbeut, për kalanë e Dukagjinëve mbi Trieste, si dhe për librin e shkruar nga albanologu Peter Štoka, mbi këto ngulime. Ky djalosh slloven i pasionuar, me origjinë të hershme nga Pojani i Korçës, ka shkruar një libër me vlera, ku sjell dokumente të shumta, që për shekuj kanë qëndruar të fshehura në bibliotekën e Koperit, ku ai punon. Ai i ka çpluhurosur ato dokumente e mbi bazën e tyre, si dhe të toponimeve e zbulimeve arkeologjike ka shkruar një libër me rëndësi, që kam patur kënaqësinë ta përkthej në shqip e që do botohet brenda këtij viti. I shpreha dëshirën Kadaresë, që të mund të ishte i pranishëm në promovimin e këtij libri.
-Bisedoje me Bujarin, kur të vijë momenti dhe nëse nuk kemi ndonjë angazhim tjetër, vij me kënaqësi,-tha ai.
Në atë takim pata rastin të shihesha edhe me poetin e mirënjohur, Sadik Bejko dhe me gazetarin Çerçiz Loloçi, i cili bashkë me Bujarin na bënë disa foto nga ky takim me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare.
Please follow and like us: