Albspirit

Media/News/Publishing

Heronjtë e rremë të diktaturës dhe poezia e Vincës për Shkurte Pal Vatën

Kastriot Dervishi

Komunizmi krijoi heronjtë e rremë të punës nën shembullin e ndikimit të revolucionit kulturor kinez dhe të modeleve të tjera që merrte nga Kina. Sidomos në vitet 60-70, njerëz anonimë të vdekur aksidentalisht në punë, apo të tjerë që lindur me probleme, u bënë shembuj të heronjve të palodhur që realizonin e tejkalonin normat, por edhe binin në krye të detyrës me shqetësimin e vetëm për të realizuar normën e partisë. Lej fenët e Shqipërisë filluan të shtohen kohë pas kohë sepse ata i prodhonte aparati propagandistik i Partisë së Punës së Shqipërisë. Në krye të kësaj strategjie u vu vetë Enver Hoxha. Ai gjeti raste të shkëlqyera të hynte në korrespondenca apo të priste vizita të familjeve të “heronjve”. Tipik në këtë periudhë ishte vdekja e 14-vjeçares Shkurte Pal Vata në hekurudhë dhe kooperativisti i verbër Fuat Çela nga Vërzeshta e Skraparit. Për të parën, përveç keqpërdorjes së emrit u bë i njohur babai i saj, Pal Vata, ndërsa i dyti filloi të propagandohej si “kooperativist i dalluar” që tejkalonte normat bujqësore edhe pa shikuar. Në komunikatën e MPB-së nr.244, datë 20.10.1967, thuhej se në Lushnjë, një ditë më parë, në sektorin e Dushkut ku ndërtohej hekurudha Rrogozhinë-Fier, gjatë punës u shemb një grumbull dheu duke zënë aksionisten Shkurte Pali, e cila u dërgua në spitalin e Lushnjës në gjendje shumë të rëndë. Sipas komunikatës së MPB-së nr.256, datë 4.11.1967 në spitalin e Lushnjës, dy ditë më parë, vdiq aksionistja Shkurte Pali, 14 vjeç, nga Pecaj i Dukagjinit. Për interesa të regjimit, i panjohuri Pal Vata u bë figurë qendrore e propagandës. I gjendur në një situatë të papritur, Pali kujtoi se ishte i rëndësishëm për shtetin e për partinë, madje e ndjente se ishte ndër njerëzit më të rëndësishëm të regjimit. Në popull dolën edhe barsoleta për thëniet e tij në lidhje me lajmet e reja apo situatat në vend. Më datën 2 nëntor vdiq Shkurta, por më datën 3 nëntor, babai i saj “malësori kooperativist” Pal Vatai shkruan moshatarit të tij Enver Hoxhës. Pasi thotë se nuk e qau vajzën, ai shkruan se vendosi të nisej në hekurudhë bashkë me kushërirën e parë të Shkurtes, për të zënë vendin e vajzës së vdekur. Gjashtë ditë më vonë, Enver Hoxha i përgjigjet me letër Pal Vatës, duke lavdëruar “malësoren revolucionare”. Te të dy letrat, pra të Palit dhe Enverit, përmendet edhe “regjimi i satrapit Zog”. Kjo estradë nuk ndalej këtu. Më 24.11.1967 u njoftua se ushtarët e repartit të kufirit nr.619 Kukës, e regjistruan Shkurten si efektive të batalionit të tyre, pavarësisht se femrat nuk kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pal Vata filloi të vijë më shpesh në Tiranë. I hapej dera në Komitetin Qendror të PPSH-së. Vetë Enver Hoxha filloi ta sajdiste. Pali vazhdonte të kujtonte veten të rëndësishëm. Megjithatë nuk zgjati shumë si histori, ndërsa emri i Palit vijoi të përmendej në popull në lloj-lloj formash në lidhje me ato që ai thoshte kohë pas kohe.

————————

Një gjë interesante që vihet re në dosje janë edhe disa poezi në dorëshkrim me autorë Jakup Çerajën dhe Agim Vincën, dy që ia kanë besuar krijimet e tyre Qosjes për t’i sjellë në Tiranë dhe për t’i botuar ato në ndonjë gazetë. Kjo porosi u krye, pasi poezia e Vincës u botua.

Vinca në atë kohë ishte frymëzuar nga “akti heroik” i 14­vjeçares Shkurte Pal Vata nga Dukagjini, e cila humbi jetën aksidentalisht teksa punonte si vullnetare në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë­Fier. Dhe, kësisoj, ai ka shkruar një poezi (apo më saktë një poemë), për vajzën e ndjerë së cilës iu akordua titulli “Heroinë e Punës Socialiste”.

Please follow and like us: