Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Nurie Emrullai

Orfeut tim

U harxhua ëndrra ime
si një çamçakëz i tejpërtypur,
që ia harron shijen e parë.

S’e di çfarë më mban akoma këtu,
sa kohë do të rrinë çelur portat e mishit për mua?
Më vjen të teshtij,
por kjo s’lejohet në ëndrra dhe varrime,
ndryshe duhet të gris mbathjet e trupit tim.

Ti më shfaqesh përtej rruge,
dhe unë atëherë kujtohem,
se ëndrrat kanë mesazhe.
unë afrohem të të prek dorën,
ti këtë herë shikomë!
Orfeu im, hapi sytë këtë jetë
dhe kundroje shpirtin tënd,
jam e bërë për ty,
prej dëshirash e gjaku,
prej pritjesh e mishi,
jam e bërë në ditë dhe shekuj,
jam gati të hidhem zjarreve për ty,
jam shumë gati…
të ha hirin e eshtrave të mia për ty.

Ti përtypesh,
dashurinë e mbledh topth,
e pështyn rrugëve,
një pëllumb gënjehet pas tij,
e provon ta hajë dhe mbytet.
Dikush më shkund nga krahët
dhe më zgjon të bëhem gati
për një ditë të re.

Udhëtar

Më çoni atje,
ku perënditë janë në paqe me veten.

Ku mbrëmja nuk është aq e dhimbshme,
sa veç për të fjetur.

Më çoni atje,
ku buka hahet prej dëshire,
jo veç prej mungesës së gjithçkaje tjetër.

Të shkoj atje,
ku gjallë akoma është dashuria,
dhe veç prej saj çelin frutet,
e jo nga frika mos vjeshtohen degët vetëm.

Më çoni atje
ku njerëzit japin ditës dritë dhe
shpirtin e ndjejnë gjallë brenda tyre.

Më çoni atje,
ku perënditë janë në paqe me veten.

Dhe t’u rrëfej numërimin e viteve tona…

Lidhur pas hëne

Hëna m’ka lidh pas saj…
Unë si e çmendur
kërkoj të më lëshojë…
‒ Më lësho! – bërtas
‒ Nuk të dua!
Kurrë s’kam dashur në jetë.
Veç njëherë!
Atëherë thanë se isha fëmijë
(ku merrja vesh nga dashuria?!)

Mos ndriço dhe ti!

Lërmë të zhytem në thellësinë e natës…
S’të dua as ty, as botën,
në jetë veç një herë më kanë dashur
(dhe nuk e mbaj mend)
atëherë isha fëmijë…

Hëna m’ka lidh pas saj..
Unë si e çmendur
kërkoj të më lëshojë…

X

Të kam blerë një ëndërr
në pazarin e Esmës.
Ajo ma dha lirë
e më premtoi se është e bukur.

Në pazarin e vjetërsinave,
mes krevateve të braktisur prej lëkure të vërtetë,
karrigeve pa tavolina
dhe ca byzylykë të këputur,
që mbajnë erën e dikujt që s’e njohim,
mes atyre gjërash,
gjeta këtë ëndërr t’harruar.
Esma ma premtoi se:
Ajo qenka e paëndërruar më parë,
pastaj si të thuash,
pas një pazari të gjatë…
Ajo ma shiti aq lirë, sa ma fali!

Tani merre
sepse unë nuk di ç’t’i bëj,
s’do të mbahet në duart e mia,
shpirtin më ka ngrënë gjatë gjithë rrugës.
Duket, vendet e braktisura nuk i do.

Merre, tani është e jotja!
Provoje a të nxen?

Limontisje

Nuk mëtoj më të vjedh prej ditëve të mia e t’ia fal mungesës tënde,
edhe durimi pas një kohe limontohet.

Nuk mëtoj më të jem e verbër, vetëm se s’dua të shoh mospërfilljen tënde.
Kërkoj e shtirem se s’di ç’kërkoj,
e krejt kjo vjen se ti nuk je.

Tani jam gjysmë mendje e gjysmë zemër,
teksa tërheq shpirtin tim herë në një anë, e herë në anën tjetër.
Vetëm për të lëvizur kohën e panumëruar, ditët në trajktoren time…
A e di se sa vite mbas kam mbetur?

Nuk mëtoj më t’ia vjedh ditët jetës sime,
nuk mundem ta lë zemrën mbi duar që duken e tërhiqen.
Mos iu frikëso rritjes

Unë dhe ti nuk flasim gjuhën e njëjtë,
Lëvizjet e trupave tanë tregojnë se jemi harruar, mu kur betoheshim!
U dimëruam gjer në palcën e mbrame të ashtit,
koha e bluajti me dhëmbët e egër të dyshimit.
Por, i mbijetuam rritjes.
Sa stinë kaluan nëpër rrudhat tona?!
Dhëmbët tanë kërcëllohen nga premtimet e ngrëna,
Këmbët plaken nga ikjet e mendjes.
Po jetës i shpëtuam?
Po shpirti ku është tani?
S’ka pse të të vijë turp,
shpirt s’kemi më. A nuk ke dhe t’i të ftohtë?
Ishim të tjerë kur qeshnim,
krejt të tjerë kur gjuhëmjaltëzoheshim.
Tani që hamë njëri-tjetrin me fjalë,
trupëzohemi, trungjëzohemi.
Mos u frikëso:
Urrejtjen dhe dashurinë gjuha di t’i ndajë.
Këtë e kuptova unë që u ngjita flakëve,
unë që në zjarrin tim veten shkrumbova.

Pritja

Më thuaj cila pritje
e ka bërë njeriun të buzëqeshë
e t’ia gëzojë shpirtin?

Më thuaj cila pritje
s’ka hapur varre nëpër kujtesë
për t’i mbushur ata me ëndrra t’lëna në gjysëm?
më thua dot?

Cila pritje nuk ngjan me orën e kurdisur
që të zgjon të bëhesh gati, e ti s’din për ku?

Cila pritje nuk t’ka mbajtur me kokën ngjeshur në orë,
e ora vërtetë s’ka pasur rëndësi.

Cila pritje nuk t’ka çuar të shohësh kalendarin
Të çdo nate që lind diell të ri.

Cila pritje nuk ka ngjarë në krakëllimë korbi
i mbështetur në degë të pritjes,
në pritje t’ia nisi këngës, mbase…

Ma thuaj cila pritje
t’ka bërë të besosh në premtime
që s’kanë qenë veç dalldisje çasti.

E ty të them që pritja
është më e fortë se harrimi…

Po cila pritje e ka bërë njeriun të buzëqeshë
e prap’ ta lë të harrojë.

Do të ik

Duhet të ik. Kjo është e pashmangshme.
Prita se dikush do më kërkonte.
Asgjë s’erdhi në jetën time të lëmuar dhe shkëlqyese si teh thike.

Ndryshova veten gjer në rrënjë.
S’ma kërkoi kurrë asnjë. Sa e dhimbshme!
E ndryshimi i rrënjve than gjethet.
S’ka më as filiza. S’ka më as pranvera.
S’ka zogj që vinë dritares sime;
unë vrisja vetminë, ata donin bukën time. S’ka më as bukë.

Ngulmoja se dikush do ta sjellë çelsin e burgut tim.
Dikush do të ma ndërrojë racionin e ushqimit në mendim.
Dikush a diçka do jetë e vetmja ndodhi e imja. E unë do kem më n’fund diçka.

Sa e gabuar, të mos dallosh Do të pres dhe Të pres.

Një karrocë po ma ndal mendimin.
Vrapon kali sikur i digjen këmbët në zjarrin e ferrit.
Heshtje e ftohtë na zuri të dyve si bora mbi shpinë varfënjaku.

Jo, jo, duhet të iki. Kjo është e pashmangshme.
Në fund të fundit është rruga ime.

Karroca u ndal. Njeri mbi të s’kishte.

Ferri është vend i heshtur

Ne digjemi mes zjarresh,
këtu është një vjeshtë që plak secilin shëmtueshëm,
si me qenë gjethe që digjemi nga bryma.
Është një zjarr për të cilin s’flitet,
e s’i kujtoj dot piskamat e këtyre djegieve,
se ferri është vend i heshtur.

Ja zjarri
që e mbajmë ndezur,
fry e fry që ta silisim,
që mëkatet me heshtje t’i djegim.

Të pathënat e një jete

Në kohën që po jetoj,
ajo çka më pak dua është trishtimi yt.
Andaj unë po ik i dashur,
për të të lënë me përgjigjet e pakta që i ke mbi botën,
e ty fatmirësisht të mjaftojnë.

Po ik për të të lënë me frikën tënde,
të jesh i lirë prej dashurie,
të njohësh njerëz të tjerë,
e t’i duash dhe ata veç për një ditë,
siç më doje mua…

Ajo çka u rrit bashkë me ne,
në ty ishte frika, në mua fjalët e pathëna,
që s’patën vend e kohë për të t’i thënë më.

E çka nëse të thoja se të dua?
Nata përsëri do të vinte pa hënë,
në ty përsëri frika do të ishte më e fortë se dashuria.

Prej njerëzve mësova se ata jetojnë me frikën
e të dashuruarit marrëzisht,
frikën e të puthurit siç puth Uliksi tokën e vet,
siç puthi për herën e fundit Kalipso Odisenë…

Prandaj sonte është nata e fundit
që i shoh yjet nga kjo anë
e në ata kudo shikoj fytyrën tënde.
Kam për t’u kthyer në hije si kjo natë sonte,
aq e heshtur do të bëhem, njëjtë sikur erdha…/exlibris

Please follow and like us: