Zamira Çavo: Apeli im për pronarë dhe gazetarë të mediave
Sikur të kontribuonit sadopak në rigjallërimin e vlerave të kombit, Shqipëria do t’u ishte me siguri mirënjohëse!
E di se fitimi është gjithçka në këtë botë tinzare, por misioni tuaj është përtej fitimit material, është fitim në kohë, në vlera, në mundësi, fitim në të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Sikur ta mendonit qoftë edhe një çast veten si të tillë, do gjenit pak mundesi, pak vend, pak kohë për t’iu kushtuar vlerave. Por jo, ju keni zgjedhur te bëni heronj të kohës, antivlerat! Keni preferuar të shkatërroni çdo vlerë nën tezën absurde të rrëzimit të miteve. Keni shkelur dhe hedhur baltë mbi çdo grimcë sinqeriteti njerëzor, mbi çdo pafajshmëri fëmije, mbi çdo hallemadh! Dhe e keni bërë këtë vetëm për paral! Ju keni zgjedhur të thoni të pavërteta ose gjysmë të vërteta duke shkatërruar një opinion të tërë publik. Keni zgjedhur të vini në ekranet tuaja, figura që për cilësinë që bartin duhen refuzuar nga çdo mjedis. Por jo, ju i keni bërë persona VIP!
E keni menduar se me siguri Shqipëria do të ishte shumë më mirë nëse ju, nuk do të rendnit pas së keqes, nuk do i linit hapësirë gjuhës së urrejtjes, krimit dhe poshtërimit. Sikur, në vend që të rendnit pas atyre që na i kanë nxirë jetë për 30 vjet duke na futur ankthin e përditshëm ne të tjerëve, të përpiqeshit për të përhapur më shumë dashuri për vendin, jeta do kishte qenë më e mirë dhe të rinjtë nuk do iknin rrugëve të botës! E keni menduar se ju keni në dorë armën më të madhe që ka shpikur njeriu për njeriun? Nëse këtë armë e drejtoni kundër popullit, kundër vlerave, kundër historisë, dëmi është më i madh se i një goditje bërthamore, është një shfarosje në masë e humanizmit, optimizmit, shpresës e besimit.
Dhe së fundmi, kur gjeni kaq shumë kohë e vend për t’ia lënë në dorë mikrofonin gjëmëmëdhenjve të Shqipërisë, antivlerave morale apo kujtdo që nuk meriton as vëmendjen e vet, si nuk gjetët një çast kohë për të folur me shpresë, me pozitivitet, me besim te vlerat tona! Vetëm një javë të flisni për Shqipërinë dhe vlerat e saj! Kjo është një kërkesë fare e vogël, por që tregon një mision të madh. Ndryshe jo vetëm politika, por edhe ju jeni fajtorë të braktisjes së vendit, të humbjes së shpresës për të ardhmen!
Please follow and like us: