Albert Vataj: TEKST I NDALUAR (+16)
Britma ngjethëse e “Echo”, mitit fatkeq të gruas, një nimfe që drithëron gjithëkohjen e shpirtit të dlirë të bartëses së jetës
“Echo” është emri i kësaj pune të piktorit francez Alexandre Cabanel, piktorit akademik, tablosë së penelatës së njëmëntë të trillit njerëzor, filozofik dhe mitologjik, atij guximi krijues që përballet ngulmueshëm në një betejë titane për të triumfuar shpirti.
Në mitologjinë greke, “Echo” është nimfa e bukur që bie në dashuri me Narcisin, një djalë i ri, gjithashtu i bukur, por që e do vetëm reflektimin e tij, ose saktësisht ai është i dënuar të jetë vetëkënaqësia e shprehur në një natyrshmëria të trisht dhe përjetuese, si në një mallkim, ceremoniali i të cilës përcaktohet te shkakësia e sipërfaqshme e bukurisë, kësaj përkohshmërie torturuese që vë në sprovë trupin po kaq sa dhe shpirtin.
Dashuria, kjo hyjni e shndërrimit të trupave në magji, e transformimit të çastit të sublimes përjetuese, në një mrekullim magjepsës dhe tharmin në një shkakësi trashëgimi, ka lindur për të qenë fatkeqe në sytë e perëndive dhe përcaktuese në gjithmonshmërinë e gjithgjësë që kridhet në krahët e jetës, si në prehrin ëmë të natyrës, me të lartin mision të hyjt, atë të mëkimit të vetes si përjetësi.
Ende në dashuri me Narcisin, Echo tërhiqet në një shpellë të largët ku mund të dëgjojë vetëm zërin e saj, po, njëjt siç fati i thërret gratë e përjetësisë në një akt sakrifice, në një frymësia eterne që lind brenda saj për të populluar botën dhe shtriqur tej caqet e gjithsisë.
Kësisoj, kumti mitologjik dhe filozofik, klasikja dhe modernia, pikëtakohet në një ceremonial solemnitetesh, në tashmërinë e gjithmonshme të komunikimit të shpirtit, në gjasshmërinë e zemrave që ndizen dhe digjen, në çdoditshmërinë e ballfaqjes se me çfarë i duhet të ndeshet njënjës dhe përjetimit, për të jetuar si energji, si shkas galaktik i gjëshmërisë së jetës si mit dhe materie.
Britma e një zemre të refuzuar, e përçuar me nota tragjike nga mjeshtri në këtë pikturë, kuja e një shpirti të zbrazur prej honit asgjësues të mospranimit, e një vajze, bukuria e së cilës nuk mund të thyej koracën e mendimit mitologjik dhe trillit idilik klasik, është real. Gjithëpoaq ajo është një brimë që dëgjohet në çdo kohë dhe lëngon çdo zemër, dlirësia e së cilës e gjendur përballë të pamundurës i mbetet vetëm t’i lëshohet krahëve ngjethës të një britme eterne, për të treguar se sa e sa shpirtra lëngojnë nën gurin e rëndë të së pamundurës, në fatin e pafat të ëndërrimit.
Mitologjia dhe arti njëherësh, na mëtojnë se për shkak të britmave të saj të pafundme, Hera e dënon Echo-n me një jetë të heshtur, njëjtë si çdo grua që nuk ka guxuar të dojë atë që do, të dëshirojë me gjithë shpirt atë që adhuron me gjithë qenien re saj, të triumfojë si ëma e gjithmonshmërisë në ligjësinë e bartjes së jetës në gjakun, limfën dhe shpirtin e saj prej eteri.
Ajo mund të dëgjojë në mënyrë të përsëritur atë që të tjerët i thonë asaj, ajo e vë zemrën e saj në vërshimin e njëmijë magmave, e ngre zërin më lart se ç’mund të kulmojë shpirti, i blatohet gruas dhe nënës, vetë përtëritjes së jetës, si një shenjtërie që kurrë nuk e besoi. E megjithatë kurajën e saj nuk e nënshtroi asnjë trill klasik apo përfytyrim mitologjik, ajo ishte dhe mbeti fatmjerë në misionin e saj prej nëne, ishte dhe mbeti gjithçka në gjithmonshmërinë e jetës e së natyrshmes dhe sfiduese, me të cilën ndeshet në një betejë epike jeta.
Alexandre Cabanel e ka përcjell këtë element të mitologjisë me një elegancë dhe mjeshtëri të admirueshme. Sfondi në këtë pikturë vjen i ashpër si një manifestim i atij atributi që bart në vetvete ndëshkimi, kemi parasysh faktin se ajo, jetën e pasosur e shtyn diku e degdisur duke dëgjuar zërin e saj dhe duke vuajtur dashurinë e pamundur.
Coha që mbulon lakuriqësinë e përfytyrimit të përsosur të femërores është si një mjegull e mëndafshtë, e cila derdhet në linjat e saj duke lënë të zbuluar faqe ëndjes për të përcjellë këtë bukuri, pjesën joshëse të kësaj femëroreje të epshme dhe fatkeqe.
Puna është e realizuar në vitin 1874. Teknika e realizimit, vaj në kanavacë. Përmasat e saj janë 38 1/2 x 26 1/4 in (97.8 x 66.7 cm)
Please follow and like us: