Albspirit

Media/News/Publishing

Garsia Marquez: Fantazma e çmimit Nobel 2

 

 

 

Përktheu Artur Spanjolli

Thuhet shpesh që shkrimtarët më të rëndësishëm të tetëdhjetë vjetëve të fundit kanë vdekur pa e marrë çmimin Nobël. Kjo është diçka e ekzagjeruar, por jo dhe aq shumë. Lev Tolstoi, romani i të cilit: “Lufta dhe paqja” është me siguri, më i rëndësishmi në llojin e tij, vdiq në vitin 1910, në moshën tetëdhjet e dy vjeçare, ndërkohë që çmimi Nobël kishte dhjetë vjet që jepej. Libri i tij i çmuar, kishte tashmë dyzet e pesë vjet lavdi, me aq shumë përkthime dhe botime në të gjithë botën dhe asnjë kritik nuk dyshonte se ai libër kishte lindur që të ekzistonte përgjithmonë.

Ndërsa, nga dhjetë shkrimtarët që iu dha çmimi Nobël, ndërkohë që Tolstoi ishte akoma i gjallë, i vetmi që mbijetoi në kujtesën kolektive është anglezi Kipling. I pari që e mori këtë çmim, qe francezi Sully Prudhomme, i cili në kohën e tij ishte shumë i famshëm, por tashmë librat e tij gjenden me vështirësi dhe vetëm nëpër libraritë e specjalizuara. Për më tepër, po të kërkosh emrin e tij në fjalorin francez, do të gjesh veç një citim marrë paraprakisht, i cili shëmbëllen si një lojë ironike e fatit: “Prototipi modern i hiçit të kënaqur dhe i vulgaritetit pa kurrfarë mase”. Një tjetër nga të dhjetë shkrimtarët e kurorëzuar kur Tolstoi ishte gjallë, qe edhe polaku Sienkiewicz, i cili kishte hyrë kontrabandë në lavdinë e Nobelit me librin e tij të pavdekshëm: “Quo vadis”? Një tjetër ishte Federic Mistral, poet provincal që shkroi në gjuhën e tij vernacola (gjuha popullore) dhe që pati nderin e trishtuar ta ndante çmimin me një nga dramaturgët më të mjerë që nëna Spanjë, kishte lindur ndonjëherë: Don Jose Echegaray, matematikan i ndritur, Zoti e bekoftë.

Gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve më pas, ikën pa e marrë çmimin edhe pesë nga shkrimtarët më të mëdhenj të çdo kohe. Henry James në vitin 1916, Marcel Proust në vitin 1922, Franc Kafka në 1924, Joseph Conrad në të njëjtin vit dhe Rilke në vitin 1926. Gjithmonë gjatë atyre viteve u ul tek bankat e gjenive deri dhe G. K. Chesterton, i cili vdiq pa çmimin e tij në vitin 1936. Po ashtu edhe James Joyce, që vdiq në vitin 1941, ndërkohë që “Uliksi” i tij e kishte ndryshuar rrjedhën e letërsisë, që prej nëntëmbëdhjetë vjetësh. Nga katërmbëdhjetë autorët që e morën atë, gjatë asaj periudhe të shëmtuar, vetëm katër shkrimtarë mbijetuan nga harrimi. Belgu Maurice Maeterlinck, francezët Romain Rolland e Anatole France dhe irlandezi G. B. Shaw. Indjani Tagore, të cilit i kemi borxh aq shumë lotë të sheqerosur, u fshikullua nga erërat e drejtësisë. Knut Hamsun, norvegjezi që e mori çmimin në vitin 1920, në kulmin e lavdisë së tij, pati të njëjtin fat. Edhe ai, mori atë që meritonte. Dy vjet më vonë, akademisë suedeze, do t’i ndodhte aksidenti i dytë fatal në gjuhën spanjolle: ia dhanë njërit të cilit nuk i duhet shqiptuar as emri, don Jacinto Benavente, Zoti e mbajttë sa më afër don Jose Echegaray, në shekuj të shekujve. Me meritat e tyre të mëdha apo të vogla, asnjë nga fituesit e kësaj periudhe nuk e meritoi sa ato, të cilët vdiqën pa e marrë, por e merituan atë vërtet.

Mungesa e Kafkës dhe e Prustit është e kuptueshme. Në vitin 1917, kur çmimi u nda mes dy autorëve, të shquar dhe të njohur, por veç në atdheun e tyre, Karl Gjellerup dhe Henrik Pontoppidan, Franz Kafka u detyrua të tërhiqej nga shoqëria e sigurimeve ku punonte dhe vdiq shtatë vjet më vonë, i goditur nga tuberkulozi në një spital të Vjenës. “Metamorfoza”, kryevepra e tij, sapo ishte publikuar në një revistë gjermane. Vetëm në vitin 1926, siç dihet tashmë,  miku i tij Max Brod, veproi kundër dëshirës së të ikurit dhe i publikoi të dy romanet gjeniale “Kështjellën” dhe “Procestin”. Gjatë po atij viti ia dhanë çmimin Nobël italianes Grazia Deledda, e cila jetoi akoma për dhjetë vjet të tjera që ta besonte.

Edhe Marcel Prousti vdiq pa e njohur lavdinë e tij. Vëllimi i parë i veprës së vet madhështore ishte refuzuar nga shumë editorë, mes të cilëve edhe nga Galimardi, i cili kish dëgjuar këshillën e bashkëpuntorit e tij Andre Gide, shkrimtar i cili e fitoi çmimin më prestigjoz të botës, në vitin 1947. Më pas libri u botua me shpenzimet e vetë autorit. Pak më vonë, në vitin 1919, Proust botoi volumin e dytë “Në hije të vajzave të lulëzuara”, libër i cili u nderua përnjëherësh me çmimin më prestigjoz të letërsisë franceze, çmimin Goncourt. Por duhet të jemi të drejtë: vetëm një forcë hyjnore autentike do ta kishte parashikuar atë, që do të ishte në të ardhmen një monument i shkëlqyer letrar i këtij shekulli: “Në kërkim të kohës së humbur”, i cili doli tërësisht në dritë vetëm mbas vdekjes së autorit.

Gjatë së njëjtës bisedë që citova këtu dje, Graham Greene më rrëfeu se dy nga autorët që e kishin influencuar më shumë ishin Henry James dhe Joseph Konrad, që të dy të konsideruar që në të gjallë, si dy klasikë të letërsisë angleze. Vitin që vdiq Henry James, çmimi Nobel iu dha suedezit Verner Von Heidenstam. Ndërsa vitin që vdiq Konrad, iu dha një shkrimtari tjetër nga e njëjta vëndlindje, Polonia, Wladislaw Reymont. Asnjë nga dy fituesit nuk ishte një gjeni që duhej zbuluar, siç ishte me siguri greku Seferis, të cilit iu akordua çmimi në vitin 1963 apo amerikani Isaac B. Singer, i nderuar me çmimin e madh në vitin 1978.

Ndryshe nga Kafka dhe Proust, Conrad e kishte përjetuar lavdinë e tij. Kishte publikuar gjashtëmbëdhjetë romane dhe shumë tregime, nga të cilët, pjesa më e madhe mjeshtërore. Ndaj ai ishte njohur tashmë si një nga penat më të rëndësishme të kohës së tij. Kishte arritur edhe të refuzonte Urdhërin e Kalorësit të perandorisë britanike. Sapo kishte mbushur moshën gjashtëdhjetë vjeçare, moshë e konsideruar e mirë në ato kohë, për të ikur nga kjo botë në paqe.

Marie Curie e mori çmimin Nobel për fizikë në vitin 1903, të cilin e ndau me të shoqin Pierre. Më pas, i dhanë edhe atë për kimi, çmim i cili iu akordua vetëm asaj dhe kjo ndodhi në vitin 1911.

Edhe amerikani John Bradeem i cili kishte zbuluar efektet e tranzistorit, e ndau çmimin për fizikë në vitin 1956 me një tjetër. Të njëjtin fat pati edhe më vonë kur u detyrua ta ndante prap atë me një tjetër në vitin 1972 për kontributin në zhvillimin e teorisë së përçuesve të fuqishëm. Së fundi, profesori L. C. Pauling, të cilit iu dha çmimi Nobel për kimi në vitin 1954, rimori atë për paqen në vitin 1962. Ndërsa Ajnshtajni e meritoi dy herë çmimin Nobel, por ia dhanë vetëm një herë. Ato që e gjykuan, u treguan tejet të kujdesshëm: ngurronin se mos teoria e realtivitetit do të dilte bllof, ndaj ia dhanë çmimin vetëm për zbulimet e ligjeve dhe të fenomeneve fotoelektrike.

Akademia suedeze nuk merret me çikërrima. Përkundrazi: nëse do t’i njihnim ndonjë virtyt, është natyra e saj e rreptë. Ajo nuk ka frikë të gabojë, gabon shpesh natyrisht-, çmimin ajo e jep vetëm një herë për veprën e të gjithë jetës. Por duket sikur ajo mendon se kush është i aftë në një shkencë, nuk mund të jetë i zoti edhe në artin e të shkruarit. E vetmja mospërputhje kur ajo ka gabuar – dhe ndoshta nuk do ta përsërisë më kurrë, – ka qenë kur ia akordoi çmimin postumo, në vitin 1931, poetit më popullor të Suedisë, Erik Axel Karlfeldt, i cili kishte ikur nga kjo botë gjashtë muaj më parë. Çudia akoma më e madhe ishte se: Karlfeldt-i e kishte refuzuar çmimin në vitin 1918, ndaj atë vit çmimi ishte konsideruar bosh, sepse askush nuk e tërhoqi atë. Nuk ka shpjegim pse nuk u sollën në të njëjtën mënyrë edhe me Pastërnakun në vitin 1958 apo me J. P Sartre-n në vitin 1964, të cilët u konsideruan si fituesit të cilëve u ishte dhënë çmimi kundër vullnetit të tyre të lirë. Megjithatë, një besëtytni shumë e përhapur në mes të shkrimtarëve citon se çmimi Nobël për letërsi është megjithatë si një homazh mbas vdekjes dhe se e ndjell atë. Nga shtatëdhjetë e pesë fituesit e tij, vetëm dymbëdhjetë janë akoma gjallë. Njoh shumë shkrimtarë të mëdhenj që gjatë këtyre ditëve nuk e jetojnë aspak ankthin e Borgesit, përkundrazi. Jetojnë një tmerr metafizik, sepse gjithnjë e më shumë po i ngulitet në mëndje bindja se asnjë nuk mbijeton më shumë se shtatë vjet, mbas dhënjes së çmimit Nobël për letërsi. Statistikat nuk e provojnë por as edhe nuk e përgënjeshtrojnë. Ndërkohë, në harkun e shtatë vjetëve, kanë vdekur njëzet e dy autorë. Shembullin më fatkeq e patën dhënë fituesit e parë. Sully Prudhomme vdiq gjashtë vjet pasi e kishte marrë atë. Gjermani Theodor Mommset iku fill pas një viti. Norvegjezi Bjornstjerne Bjornson vdiq pas shtatë vjetësh. Rekordin e dhjetvjeçarit të parë e mbajti poeti italjan Giosue Carducci, i cili e mori çmimin Nobël në nëntorë të vitit 1906 dhe vdiq në shkurt të vitit në vijim. Mëgjithatë, rekordin aktual e mban poeti i madh anglez John Galsworthy, i cili e fitoi çmimin në vitin 1932 dhe vdiq veç gjashtëdhjetë ditë më pas.

Kush nuk është supersticjoz, natyrisht i jep një shpjegim llogjik: mosha mesatare kur fitohet çmimi është gjashtëdhjet e katër vjeçare, ndaj është shumë e mundshme që fituesit të ikin nga kjo botë brenda shtatë viteve në vijim. E kundërta ndodh me fituesit më të rinj: Rudyard Kipling, më i riu nga të gjithë, i cili e mori çmimin dyzet e dy vjeç, vdiq në moshën shtatëdhjet e dy vjeçare; Sinclair Lewis, që e fitoi çmimin dyzet e pesë vjeç, vdiq gjashtëdhjetë e gjashtë vjeç; Pearl S. Buck, – i harruar për fat -, e cila e fitoi në moshën dyzet e gjashtë vjeçare, vdiq tetëdhjetë e një vjeçe, dhe Eugene O’Neill, i cili e fitoi dyzet e tetë vjeç, vdiq shtatëdhjetë e tre vjeç. Rasti më i trishtuar dhe fatkeq qe ai i Albert Camus, që e fitoi çmimin dyzet e katër vjeç, në kulmin e shkëlqimit të lavdisë dhe talentit, dhe vdiq dy vjet më vonë, gjatë një aksidenti me makinë, i udhëhequr nga një fat i cili ndoshta nuk ishte ai i tij.

Megjithatë, jeta gjen gjithmonë mënyrën e saj si ti kundërvihet llogjikës. Këtë e tregon edhe lista e fituesve më të vjetër: gjermani Paul Heyse, me tetëdhjetë vjetët e tij; Bertrand Russell, me shtatëdhjetë e tetë vitet e tij dhe Winston Churchill me shtatëdhjet e nëntë. Heyse, i cili në këtë rast bën përjashtim si rasti i kundërt, vdiq katër vjet pas marrjes së çmimit. Por Churchill-i arriti të mbijetojë për njëmbëdhjetë vjet akoma, duke pirë një paketë cigare dhe dy shishe konjak në ditë. Edhe Bertrand Russell i mundi të gjithë rekordet e mundshme: vdiq njëzet vjet pasi kishte fituar çmimin, në moshën nëntëdhjetë e tetë vjeç.

Rasti më i çuditshëm, dhe jashtë çdo llogarije, qe ai i Shemuel J. Agnon dhe i Nelly Sachs, të cilët ndanë çmimin në vitin 1966. Agnon kishte lindur në Poloni në vitin 1888, por kishte emigruar në Izrael bashkë me familjen e tij, duke marrë kështu edhe qytetarinë hebraike. Ishte, me siguri romacjeri më i madh hebre. Nelly Sachs, e cila qe një poeteshë e madhe dhe një autore teatri e mrekullueshme, kishte lindur në Berlin në vitin 1891, edhe ajo po nga familje hebraike, por e cila e ruajti përherë qytetarinë gjermane.

Gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, arriti t’i shmangej persekucionit nazist dhe u vendos në Suedi. Ditën e shtatëmbëdhjetë shkurtit 1970, në moshën tetëdhjetë e dy vjeçare, Agnon vdiq në Jeruzalem, veç katër vjet pasi kishte fituar çmimin Nobel. Tetëdhjetë e katër ditë më pas, në moshën shtatëdhjetë vjeçare, Nelly Sachs, vdiq në Stokholm. Jean – Paul Sartre nuk la të kuptojë asnjëherë se i besonte misterit të numrave. Përveç njërës; kur një gazetar e pyeti nëse ishte penduar se kishte refuzuar çmimin Nobel, ai iu përgjigj: “Krejt e kundërta, më ka shpëtuar jetën”. Fakti më i çuditshëm është se vdiq gjashtë muaj mbasi kishte dhënë intervistën.

9 Tetor 1980.

Please follow and like us: