Albspirit

Media/News/Publishing

Abdulla Mehmeti: Personalitete të spikatura shqiptare

Shpalime historie
1. MARIN DRINI (MARIN DRINOV), THEMELUES DHE KRYETAR I PARË I AKADEMISË SË SHKENCAVE TË BULLGARISË
2. BALE KONE (BALLAZHE KONESKI), THEMELUES DHE KRYETAR I PARË I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË MAQEDONISË
Si u bënë personalitetet me prejardhje shqiptare, Marin Drini – Marin Drinov (apo Marin Stepanoviç) dhe Bale Kone – Bllazhe Koneski, nën ndikimin e fesë ortodokse dhe me ndihmën e propagandës ruse, që sot njihen si baballarë të gjuhës, kulturës e të kombit bullgar dhe maqedonas?
Me shpalimin e kësaj të vërtete të pamohueshme, për prejardhjen dhe rrënjët shqiptare të këtyre personaliteteve, ne nuk pretendojmë t’i përvetësojmë këto figura (siç kanë vepruar ata gjatë shekujve të fundit), as t’ua mohojmë kontributin e tyre për popullin bullgar apo popullin maqedonas të sotëm. Ata me punën dhe kontributin e tyre u takojnë atyre kulturave, për të cilat kanë punuar dhe kontrubuar gjithë jetën, por duhet të dihet e vërteta, se këta popuj u kanë borxhe të mëdha botës shqiptare, jo botës sllave dhe propagandës ruse, për identitetin e tyre siç e kanë sot.
MARIN DRINI*
Lindi në katundin Panagjurishte të Trakisë, atëkohë nën Perandorinë Osmane, më 20 tetor 1838 – ndërroi jetë në Harkov të Ukrainës, më 13 mars 1906, ku punoi si profesor universiteti dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij.
1.
Njihet si personaliteti kryesor i Rilindjes kombëtare bullgare, autor i alfabetit modern dhe gjuhës standarde bullgare, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, autor i Kushtetutës së parë (e Tërnovës) e shtetit bullgar pas pavarësimit nga sundimi i Perandorisë Osmane, themelues i historiografisë së re bullgare dhe baba i gjuhës moderne, kulturës dhe shtetit të Bullgarisë.
2.
Marin Stojanov Drinov (bullgarisht: Marin Stojanov Drinov, rusisht: Marin Stepanoviç Drinov), historian dhe filolog bullgar i periudhës së Rilindjes kombëtare, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Rusi, ku studioi, jetoi dhe punoi deri në fund të jetës. Ka qenë njëri nga nismëtarët e historiografisë bullgare dhe themelues i Akademinë së Shkencave të Bullgarisë (fillimisht si Shoqëria letrare bullgare), si kryetar i parë i kësaj Akademie.
Lindi në Panagurishtë të Bullgarisë më 1838. Në vitin 1858 shkoi në Rusi ku më pas e vazhdoi shkollimin. Studioi histori dhe filologji në Kiev dhe në Universitetin Shtetëror të Moskës, një periudhë të shkurtë i vizitoi dhe punoi në Austri dhe Itali, midis viteve 1865 – 1871. Në vitin 1869 ka qenë njëri ndër themeluesit e “Shoqërisë letrare bullgare” dhe më pas, ndërsa nga fundi i vitit 1876 e filloi punën si profesor i rregullt në Universitetin e Harkovit, në Ukrainë.
3.
Gjatë periudhës së administrimit të Bullgarisë nga Rusia (1878 – 1879) Marin Drinovi ka qenë ministër i Arsimit Popullor dhe Ngritjes Shpirtërore, duke marrë pjesë aktive në organizimin e shtetit të sapoçliruar të Bullgarisë. Marin Drinovi njihet edhe si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Tërnovës të shtetit bullgar, si personalitet kryesor që e propozoi për kryeqytet të shtetit qytetin e Sofjes në vend të kryeqytetit të mëparshëm qytetit të Tërnovës, si ide të favorizuar nga diplomacia austriake. Drinovi ka qenë personaliteti që vendosi standardin e ri të alfabetit cirilik me 32 shkronja, i cili është përdorur në Bullgari deri në reformën e re drejtshkrimore në vitin 1945. Ka luajtur rol kryesor në standardizimin e gjuhës bullgare. Në vitin 1870 e refuzoi propozimin e Kuzman Shapkarevit (i lindur në qytetin e Ohrit në Maqedoni) për krijimin e një standardi të gjuhës bullgare të përzier mbi bazë të dialektit lindor- bullgar dhe dialektit perëndimor-maqedonas, me arsyetimin se: „Një kornizë e tillë artificiale e gjuhës së shkruar është diçka e pamundur, e paarritshme dhe që nuk është dëgjuar se një gjë e tillë ka ndodhur në ndonjë vend tjetër.“. Ky qëndrim i Marin Drinovit është kritikuar më vonë nga gjuhëtarët bullgarë, si Bllagoj Shklifov etj.
4.
Kodifikimi i parë i drejtshkrimit të gjuhës standarde bullgare, i vendosur me Vendim të Ministrisë së Arsimit, të udhëhequr nga ministri i atëhershëm Todor Ivançov, më 1899, i atribuohet pikërisht Marin Drinovit. Përndryshe, gjuha bullgare deri më sot ka pësuar disa reforma drejtshkrimore, edhe atë: më1921, 1923 dhe 1945.
*Duke respektuar më tepër fenë se kombin e tyre (rrënjët dhe prejardhjen), shumë personalitete me prejardhje shqiptare arritën të bëhen themelues dhe udhëheqës të shteteve të huaja, figura kryesore të historisë dhe kulturës së popujve të tjerë dhe baballarë të atyre kombeve. Një fat të tillë e përjetoi edhe Marin Drini, me prejardhje nga një familje shqiptare nga katundi Panagjurisht në Pellagoni (Maqedonia e sotme), e cila u shpërngul nga shek. XV në Traki (Bullgaria e sotme), për çështje të mbijetesës, ku themeluan katundin me të njëjtin emër, mbi gërmadhat e një vendbani të lashtë ilir të Trakisë. Ky nuk është personaliteti i vetëm që ka bërë emër të madh në historinë dhe jetën e një populli tjetër, nuk ka qenë as i vetmi, por është interesant fakti në këtë histori, se rrugëtimi jetësor, karriera dhe kontributi i tij i pazëvendësueshëm për kulturën, historinë dhe gjuhën bullgare, janë tepër të ngjashme më vonë me të Bllazhe Konevskit – babait i gjuhës maqedonase, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, për të cilin kemi shkruar më herët, i cili gjithashtu ka qenë me prejardhje nga një familje shqiptare ortodokse e Maqedonisë.
** Emri personal Marin dhe mbiemri Drini (pa prapashtesën sllave të imponuar nga regjimet e kohës, ruse e bullgare), asgjë nuk kanë të përbashkët me traditën e popujve sllavë.
(7 maj 2022)
Please follow and like us: